Mendimi dhe letersia shqipe e shekullit të XIX mbajnë vulën e dy hoxhallarëve dhe intelektualëve të mëdhenj nga Çamëria, Muhamed Kyçykut dhe Hasan Tahsinit. Ndonëse jetuan në faza të ndryshme të zhvillimit shoqëror, udhëtimi i tyre jetësor reflekton të njëjtën përpjekje: ngritjen e gjuhës dhe mendimit shqip përmes një formimi të thellë oriental e perëndimor.
Hoxhë Muhamed Kyçyku, i lindur në Konispol, mori arsimimin e tij teologjik në Universitetin Ezherit të Kairos. Ai përfaqëson kulminacionin e traditës së bejtexhinjve, por me një ndryshim me rëndësi historike. Përmes poemës së tij të njohur “Erveheja”, Kyçyku shkëputet nga poezia e thjeshtë fetare apo lirike dhe sjell veprën e parë me subjekt të strukturuar narrative në gjuhën shqipe. Ai përdori alfabetin arab të përshtatur për shqipen, duke dëshmuar se gjuha amtare zotëronte fleksibilitet të lartë shprehës për të përcjellë mesazhe morale e artistike. Më vonë, rilindësit si Jani Vreto e panë këtë vepër si një gur me vlerë, duke e përpunuar e përshtatur, si dhe duke e përdorur për arsimimin e brezave të rinj.
Nga ana tjetër, Hoxhë Hasan Tahsini nga Ninati i Konispolit përfaqëson një etapë krejt tjetër: kalimin drejt racionalizmit shkencor dhe ideologjisë së Rilindjes Kombëtare. Pasi perfeksionoi studimet në Stamboll dhe më pas kaloi më shumë se një dekadë në Paris, Tahsini u shndërrua në një nga mendimtarët dhe enciklopedistët më të mëdhenj të kohës. Ai u emërua rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe ligjëroi mbi astronominë, fizikën e filozofinë moderne. Përveç kontributit të tij shkencor, Tahsini ishte mjaft i lidhur me çështjen kombëtare shqiptare. Ai bashkëpunoi ngushtë me vëllezërit Frashëri për formimin e Komitetit të Stambollit dhe krijoi madje një alfabet vetjak origjinal për shkrimin e shqipes.
Të dy autorët ndajnë rrënjët gjeografike, formimin e hershëm fetar dhe dashurinë e pakushtëzuar për gjuhën e tyre, por rrugëtimi i tyre intelektual merr drejtime të ndryshme.
Ndërsa Kyçyku e pasuroi shqipen brenda kornizës letrare e kulturore të botës Lindore, Tahsini e ngriti atë në rrafshin e shkencës dhe institucionalizmit arsimor. Të marrë së bashku, ata krijojnë urën natyrore që lidhi traditën e vjetër e shkrimit shqip me kërkesat moderne të Rilindjes Kombëtare.
Bledar Haxhiu
_____________________
Referencat:
-Elsio, R. (2005). Historical Dictionary of Albania. Lanham: Scarecrow Press.
-Hoxha, I. D. (1998). Hoxhë Hasan-Tahsin Efendiu: Jeta dhe veprimtaria. Tiranë: Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.
-Myderrizi, A. (1955). “Muhamed Çami (Kyçyku) dhe vepra e tij”. Revista Nëntori, Nr. 4, Tiranë.
-Shuteriqi, Dh. S. (1987). Historia e letërsisë shqipe. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë.
