Planifikimin e lindjeve

Lidhja e Hoxhallarëve
3 minuta lexim

Me emërin e Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin, vulën e pejgamberëve, si dhe mbi familjen dhe mbarë shokët e tij.

Vendimi nr: 39 (5/1)[1] Mbi planifikimin e lindjeve.

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i mbledhur në sesionin e Konferencës së tij të Pestë në Kuvajt, nga data 1 deri më 6 Xhumada el-Ula 1409 H., që përkon me datat 10-15 dhjetor 1988, pasi shqyrtoi kërkimet shkencore të paraqitura nga anëtarët dhe ekspertët lidhur me çështjen e planifikimit të lindjeve dhe pas dëgjimit të diskutimeve që u zhvilluan rreth kësaj teme, gjithashtu duke u bazuar në faktin se një nga qëllimet e martesës në Sheriatin Islam është riprodhimi dhe ruajtja e qenies njerëzore, si dhe duke qenë se nuk lejohet anulimi i këtij qëllimi, sepse bie ndesh me tekstet e Sheriatit dhe udhëzimet e tij, të cilat nxisin shtimin, ruajtjen dhe kujdesin ndaj pasardhësve, duke marrë në konsideratë se ruajtja e pasardhësve është një nga pesë domosdoshmëritë universale, mbrojtja e të cilave përbën thelbin e ligjeve hyjnore, vendosi sa më poshtë:

Së pari: Nuk lejohet miratimi i një ligji të përgjithshëm që kufizon lirinë e bashkëshortëve në lidhje me riprodhimin.

Së dyti: Ndalohet rreptësisht ndalimi i aftësisë riprodhuese te burri ose te gruaja, procedurë kjo e njohur ndryshe si sterilizim, përveç rasteve kur këtë e dikton një domosdoshmëri e justifikueshme sipas kritereve të Sheriatit.

Së treti: Lejohet kontrolli i përkohshëm i shtatzanisë, me qëllim largimin e intervaleve midis lindjeve, ose ndërprerja e tij për një periudhë të caktuar kohore, nëse për këtë ekziston një nevojë e konsiderueshme dhe e pranuar fetarisht. Kjo vendoset në bazë të vlerësimit të vetë bashkëshortëve, përmes konsultimit dhe pëlqimit të ndërsjellë mes tyre, me kusht që nga ky veprim të mos pasojë ndonjë dëm shëndetësor, që metoda e përdorur të jetë e ligjshme, dhe që të mos përbëjë cenim ndaj një shtatzënie tashmë ekzistuese.

Allahu e di më së miri!

Burimi: https://iifa-aifi.org/ar/1746.html