Sureja El-Enbija quhet “Sureja e Përgjigjes”

Lidhja e Hoxhallarëve
5 minuta lexim

(Kur Zoti e edukon zemrën tënde para se të ndryshojë fatin tënd!)

Ka sure në Kuran që të mësojnë dispozita… dhe sure që shpjegojnë besimin… Por Sureja El-Enbija bën diçka krejt tjetër… Nuk i drejtohet mendjes sate së pari…

Ajo qëndron pranë zemrës tënde dhe i pëshpërit:
“Qetësohu… çdo gjë që po kalon, e ka kaluar dikush më i mirë se ti, dhe fundi ka qenë gjithmonë mëshirë.”

Çelësi i parë…
Në këtë sure nuk gjendet asnjë profet pa sprovë! Nëse e vëzhgon, zbulon diçka të çuditshme… Çdo profet mbante një dhimbje tjetër: dikë e luftonte populli, dikë e gëlltiti balena, dikë e lodhi sëmundja, dikë e brengoste vetmia, dikush priste fëmijë me flokë të zbardhur, dikush përballej me pushtetin e një mbreti.
Është sikur Zoti të thotë: sprova nuk është shenjë zemërimi, por rruga që ecën më të dashurit e Tij.

Çelësi i dytë…
Çdo profet ka një lutje që i përshtatet plagës së tij. Junusi nuk tha “më shpëto”, por njohu gabimin e vet para se të kërkonte. Ejubi nuk e përshkroi sëmundjen, u lidh vetëm me mëshirën e Zotit. Zekerija nuk u ankua për moshën, kërkoi vetëm mirësinë që i përket.

Çelësi i tretë…
Zoti nuk tregon fundin e historisë, por tregon *përgjigjen* — fraza “iu përgjigjëm atij” përsëritet vazhdimisht. Sureja do që të mësosh jo vetëm emrat, por një ligj: çdo lutje e sinqertë ka te Zoti një takim me përgjigjen — ndoshta jo kur ti dëshiron, por kur Zoti e di se është e mira.

Çelësi i katërt…
Mrekullitë më të mëdha s’ishin ligje natyre të thyera, por zemra të rregulluara. Ibrahimi ishte i madh sepse hyri në zjarr me zemër të qetë; Ejubi, sepse nuk humbi mendimin e mirë për Zotin ndërsa vuante; Junusi, sepse u kthye tek Zoti para se të dilte nga balena. Mrekullia e vërtetë: zemra jote mbetet e gjallë mes sprovës.

Çelësi i pestë…
E përbashkëta e të gjithë profetëve ishte *shpresa*. Nuk ishin rrethana, mosha apo vende të njëjta — por asnjëherë s’e mbyllën derën e qiellit. Sa më shumë shtrëngohej toka, aq më shumë zgjeroheshin lutjet.

Një sekret i fshehur…
Shumica e çlirimeve erdhën pasi kishin mbaruar të gjitha mjetet njerëzore — Ibrahimi në zjarr, Junusi në balenë, Zekerija plak, Merjemja pa ndihmë, Ejubi pa asgjë. Kur mbaron fuqia jote, fillon të shfaqet fuqia e Zotit.

Mesazhi që ndoshta nuk e vumë re…

Sureja nuk flet për profetët, por për Zotin — për mëshirën, butësinë, përgjigjen dhe afërsinë e Tij. Prandaj i mbyll historitë me përgjigje, jo heroizëm. Heroi i vërtetë është butësia e fshehtë e Zotit.

Çfarë mësojmë?
🌸 Nëse çlirimi vonohet, mos u dëshpëro.
🌸 Nëse shtohen shqetësimet, ngrit duart me lutje.
🌸 Nëse ndihesh vetëm, kujto se asnjë profet s’u la pa ndihmë.
🌸 Nëse mendon se jeta jote ka mbaruar, lexo El-Enbija — Zoti krijon fillime të reja aty ku njerëzit shohin vetëm fund.

Një pëshpëritje e fundit…
Nuk je profet, por adhuron Zotin e profetëve — po ai që iu përgjigj Junusit në errësirë, Ejubit pas viteve të sëmundjes, Zekerijas pas pleqërisë — dhe që dëgjon lutjen tënde tani.
Mos e nënvlerëso një lot a një lutje të fshehur; ndoshta një fjalë e vetme sonte do jetë fillimi i historisë sate “…dhe iu përgjigjëm atij”.

“Me të vërtetë, ata nxitonin drejt veprave të mira, na luteshin me shpresë e frikë, dhe ishin të përulur ndaj Nesh.”