Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe bekimet qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin, vulën e profetëve, si dhe mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij!
Vendim nr.: 237 (24/8) Lidhur me monedhat elektronike
Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i dalë nga Organizata e Bashkëpunimit Islam, i mbledhur në sesionin e tij të njëzetekatër në Dubai gjatë periudhës 07–09 Eabiul-Evvel 1441 h., që përkon me 04–06 Nëntor 2019; mbasi u njoh me rekomandimet e dala nga simpoziumi shkencor mbi monedhat elektronike, të cilin Akademia e mbajti në Xhide gjatë periudhës 10–11 Muharrem 1441 h., që përkon me 9–10 Shtator 2019, dhe mbasi dëgjoi diskutimet e zhvilluara rreth tij;
Vendosi si vijon:
Së pari: Koncepti, mekanizmat e transaksioneve dhe rreziqet:
- Duke qenë se koncepti i monedhave elektronike është i përgjithshëm dhe përfshin kartat e kreditit, kartat e parapaguara, çeqet elektronikë e të tjerë, diskutimet përfunduan në përdorimin e termit “monedha digjitale të enkriptuara”. Ndër më të njohurat prej këtyre monedhave janë: Bitcoini, Ethereumi dhe Ripple, pavarësisht dallimeve që ekzistojnë mes tyre. Ajo që i veçon këto monedha është fakti se ato janë numra të enkriptuar, nuk kanë entitet lëndor të prekshëm apo ekzistencë fizike, dhe qarkullimi i tyre mes palëve kryhet pa ndërmjetës; ky transaksion njihet si sistemi nga-përdoruesi-te-përdoruesi (peer-to-peer). Sipas kërkimeve të paraqitura, ato klasifikohen në tri lloje: I pari: monedha (coins), që zbatohet për Bitkoinin; I dyti: alternativa monedhash (altcoins), si Litecoini, Bitcoin Cash, Ethereumi dhe Ripple; I treti: kuponë (tokens), të cilët janë asete të këmbyeshme dhe të qarkullueshme me mallra e me monedha të enkriptuara. Ndër veçoritë më të spikatura të llojit të parë është decentralizimi, që do të thotë mosekzistenca e ndonjë autoriteti qeveritar apo privat që mbikëqyr emetimin e saj, ndryshe nga llojet e tjera. Shumica e monedhave digjitale të enkriptuara bazohen në teknologjinë e “vargut të blloqeve” (blockchain), dhe pikërisht kjo teknologji është ajo që prodhon monedhën dhe ruan regjistrin e plotë të transaksioneve me të. Ndër veçantitë e Bitcoinit është ekzistenca e polemikave rreth identitetit të emetuesit.
- Veprimet me monedhat digjitale të enkriptuara kryhen përmes platformave elektronike të disponueshme në internet, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes ndërmjetësve (brokerave). Këtyre platformave u paguhen tarifa, dhe çdo përdorues duhet të ketë një portofol elektronik personal në kompjuterin e tij, i cili dokumenton pronësinë e tij mbi monedhat digjitale të enkriptuara që zotëron, si dhe mundësinë e përdorimit të tyre. Ndër veçoritë më të spikatura të operimit nga platformat dhe portofolat elektronike është mundësia e kryerjes së transaksioneve me pseudonime, gjë që njihet si anonimitet.
- Disa shtete, si Malajzia, kanë vendosur si detyrim marrjen e licencave të nevojshme nga autoritetet përkatëse për themelimin e platformave elektronike, si dhe kanë vënë rregulla për përdoruesit e atyre platformave, ku më kryesori është regjistrimi duke paraqitur identitetin e përdoruesit.
- Megjithëse këto monedha janë përhapur në shumë vende në mijëra njësi tregtare, krahas këmbimit të monedhave kombëtare me to dhe pranimit të tyre nga disa autoritete qeveritare, studime të shumta tregojnë për rreziqe që prekin veprimet me monedhat digjitale të enkriptuara në përgjithësi, ku më kryesorët janë luhatjet e çmimeve.
Së dyti: Gjykimi juridiko-fetar:
- Përmes studimeve të paraqitura dhe diskutimeve të zhvilluara, u bë e qartë se ka çështje me ndikim në gjykimin juridiko-fetar, të cilat ende mbeten objekt shqyrtimi, ndër to:
1.1. Natyra e monedhës së enkriptuar, a është ajo mall, apo shërbim, apo aset financiar investues, apo aset digjital?
1.2. A konsiderohet monedha e enkriptuar si pasuri e vlefshme dhe e vlerësuar juridikisht?
Së treti: Mbështetur në çka u përmend më sipër, dhe për shkak të rreziqeve të mëdha që i prekin këto monedha si dhe paqëndrueshmërisë së veprimeve me to; Këshilli rekomandon thellimin e hulumtimeve dhe të studimeve për çështjet me ndikim në gjykim.
Allahu e di më së miri!
