A falet xhumaja për ditë Bajrami?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

Pyetje: Kemi dëgjuar se nëse qëllon dita e Bajramit për ditë xhumaje rrëzohet namazi i xhumasë. A është kjo e vërtetë?

Përgjigje: Kjo çështje nuk është e prerë në këtë formë, por ka sqarimet e veta dhe mendimet e ndryshme të dijetarëve.

Sipas medh’hebit Hanefi dhe atij Maliki asnjëra nga dy namazet, namazi i Bajramit dhe namazi i Xhumasë nuk e rrëzojnë dhe nuk e zëvendësojnë njëri-tjetrin

Sipas medh’hebit Shafi rrëzohet detyrimi për ata që vinë në xhamitë kryesore nga fshatrat përreth ose nga periferitë, por jo për banorët brenda qytetit. Pra nëse njerëzit e ardhur nga jashtë e falin namazin e Bajramit pastaj largohen nuk e kanë më detyrë të vinë përsëri për të falur namazin e xhumasë, kurse banorët brenda qendrave dhe qyteteve e kanë detyrë.

Ndërsa imam Ahmedi ka dy mendime për këtë çështje, një mendim thotë se nuk rrëzohet xhumaja në ditë Bajrami, dhe mendimi i dytë i cili ëshë dhe mendimi zyrtar i medh’hebit hanbeli thotë, se xhumaja rrëzohet si detyrim nëse është falur më parë namazi i Bajramit.

Pra siç shikojmë është mendimi i pakicës ai që thotë, se xhumaja nuk është më detyrë, nëse është falur më parë namazi i Bajramit. Argumentet dhe arsyetimet e dijetarëve janë të ndryshme, por argumenti kryesor që e përmbledh këtë çështje është hadithi, që e përcjell Ebu Hurejre nga Profeti (alejhis-salatu ues-selam) i cili thotë: “Kanë qëlluar dy festa në një ditë, prandaj kush dëshiron mund të mjaftohet me Bajramin, kurse ne do ta falim xhumanë.” Transmetuan Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. Pamja e parë e këtij hadithi është argument për medh’hebin hanbeli, që nëse është falur namazi i Bajramit nuk është më detyrë namazi i Xhumasë. Kurse imam Shafiu dhe dijetarët e medh’hebit Shafi kanë sqaruar, se ky hadith bën fjalë për njerëzit që jetojnë në fshatrat përreth ose periferinë e qytetit dhe jo për banorët brenda për vetë faktin, se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) tha, se ata vetë do ta falnin xhumanë, që do të thotë se tolerimin për detyrimin e xhumasë e ka pasur për një kategori tjetër njerëzish, dhe jo për banorët brenda. Këtë e argumentojnë edhe me transmetime të tjera, që përcillen për këtë temë dhe njëri prej tyre është transmetimi, ku tregohet se në kohën e Omerit r.a.  ndodhi e njëjta gjë dhe Omeri iu drejtua muslimanëve, që vinin nga lagjet e sipërme në periferinë e Medines, duke iu thënë se janë të lirë të presin xhumanë, ose të shkojnë e mos të vinë më, dhe se iu ka dhënë leje atyre për këtë gjë.  Transmetoi Buhariu.  Të njëjtën gjë e transmeton imam Maliku nga Othmani r.a, në kohën kur ai ishte khalif. Pra duket qartë se Omeri dhe Othmani nuk iu dhanë leje banorëve brenda të mos e falin xhumanë, por vetëm njerëzve të tjerë, ndërkohë që fjalët dhe veprimet e sahabëve si Ebu Bekri, Omeri, Othmani etj., janë më parësore në shpjegimin dhe kuptimin e haditheve profetike.

Gjithsesi, edhe nëse dikush është i bindur me mendimin e medh’hebit hanbeli për rrëzimin e xhumasë si detyrim prej sunetit është që xhumaja të falet përderisa Profeti (alejhis-salatu ues-selam) tha: “Kurse ne do ta falim xhumanë.” Sidomos në vendet dhe kohët tona sot, ku e kemi të nevojshme prezencën e njerëzve për xhuma, dhe jo siç bëjnë disa muslimanë, që nuk falin asgjë në kohën e xhumasë, duke menduar se nuk ka më asnjë detyrim në atë kohë dhe braktisin një sunet profetik në emër të sunetit. Kurse ata që jetojnë larg qytetit dhe nuk kanë xhami në vendin e tyre do të falin namazin e drekës. Ndërsa mendimet e dijetarëve të tjerë janë të qarta, të cilët nuk tolerojnë në këtë pjesë, por e konsiderojnë namazin e xhumasë detyrë.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.