Pyetje: Çfarë duhet të bëjmë me të sëmurin që është diagnostikuar me sëmundje të pashërueshme siç është rasti i kancerit, a duhet t’ia tregojmë të vërtetën apo t’ia mbajmë fshehur nga frika, se mos rëndohet më shumë gjendja psikologjike e tij?
Përgjigje: Së pari duhet të dimë, se në një hadith profetik, Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Kurohuni o robër të Allahut, sepse Ai që zbriti sëmundjen ka zbritur dhe ilaçin!” Transmetuan Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Kjo tregon që njeriu nuk duhet ta humbë shpresën, por të mundohet aq sa ka hapësirë me ilaçe, kurime, me dua dhe sadaka, që të gjejë shërimin. Ka plot raste, ku pacientë të ndryshëm janë diagnostikuar me sëmundje të pashërueshme, por nëpërmjet kurimeve të ndryshme, përfshi këtu edhe mjekësinë alternative kanë gjetur shërim, ndërkohë që mjekët nuk i jepnin më shpresë për të jetuar gjatë.
Nëse ia fshehin të vërtetën do të thotë që nuk mund të marrin masat e duhura për të gjetur shërim dhe për ta kërkuar atë. E nëse përballen me të vërtetën do të mobilizohen për të gjetur alternativa më të forta për shërim, duke filluar nga këndimi i Kuranit në formën e rukjes, lutjeve të ndryshme, dhënien e sadakasë e deri te mjekësia alternative. Por edhe në rastin më të keq, kur i sëmuri e shikon gjendjen e tij, që po përkeqësohet, ai fillon të shtojë namazin dhe adhurimet e ndryshme, shton istigfarin (kërkimin falje), ka kohë të orientojë punët e ndryshme apo të orientojë njerëzit dhe veten, gjen hapësirë më shumë për të lënë testament, nëse ka diçka konkrete, apo të lerë amanete të ndryshme, ka mundësi t’iu kërkojë hallallikun njerëzve, e plot gjëra të tjera, të cilat do ta dëshpëronin edhe më shumë, nëse do të vinte dita dhe do të përballej me gjithë këto gjëra pa pasur mundësi t’i realizojë ato. Madje edhe mund të përkeqësohet apo rëndohet gjendja e tij psikologjike dhe të zhgënjehet dhe hidhërohet me vetë familjarët, që ia mbajtën fshehur të vërtetën dhe detyrohen t’ia tregojnë në momente të fundit. E pra, është më e udhës, më njerëzore dhe më e drejtë, që njeriu të njihet me të vërtetën, në mënyrë që të gjejë të gjitha mundësitë, qoftë për t’u kuruar deri në fund, apo qoftë për të menaxhuar qetësisht dhe në kohë pjesën e fundit të jetës së tij.
Sidoqoftë duhet patur kujdes, që mënyra e lajmërimit për sëmundjet e rënda të jetë me urtësi dhe maturi, duke gjetur mënyrën dhe momentin e përshtatshëm, duke patur parasysh gjithashtu nivelin e besimit dhe karakterin e tij, pa lënë pas dore të folurit rreth caktimit të Allahut për çdo gjë dhe dhënies shpresë në formë të vazhdueshme, sepse jo të gjithë njerëzit janë njësoj në përballjen me sprovat dhe sëmundjet.
Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH