Alban Kodra
Akuzë: Tre parimet, sajesë beduinësh të shtyrë nga anglezët.
Ndërkohë tre parimet te hadithi i pyetjes së varrit: Cili është Zoti yt? Cili është i dërguari yt? Cila është feja jote? Dmth, njih Zotin, profetin dhe fenë tënde.
Shumë e thjeshtë. Por ca njerëz kanë prirjen të mos i pranojnë gjërat e thjeshta. Sipas tyre e vërteta duhet të jetë e ndërlikuar, sepse ndryshe të hedhin në tuç filozofët. A thua se do u japim llogari atyre e jo Allahut që e bëri të thjeshtë për natyrën e pastër njerëzore ta përthithë besimin monoteist
Akuzë: Kushtet e teuhdit janë sajesa beduinësh të etur për tekfir
Ndërkohë kushtet:
1. Dija: “Dije se nuk ka Zot tjetër përveç, Allahut” (Muhammed, 19) “Kush vdes duke e ditur se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, do të hyjë në Xhenet” (hadith sahih)
2. Bindja në zemër: “Vërtet, besimtarë janë vetëm ata që besojnë në Allahun dhe në të Dërguarin, pastaj nuk dyshojnë” (Huxhurat: 15) “Këdo që të takosh pas këtij muri, i cili dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, duke qenë i bindur në zemër dhe pa pasur asnjë pikë dyshimi, lajmëroje se do të hyjë në Xhenet” (hadith sahih)
3. Pranimi me gjithë zemër: “Kur atyre u thuhej: Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut – ata refuzonin me mendjemadhësi.” (Saffat: 35)
4. Dorëzimi ndaj domethënies dhe rrjedhojave të shehadetit: “Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për lidhjen më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë. Sa për ata që nuk besojnë, ti (o Muhamed), mos u brengos nga mohimi i tyre”. (Lukman 22 – 23) Cila është lidhja më e fortë? Fjala e shehadetit, e cila ia mohon hyjninë gjithçkaje (la ilahe) dhe ia pohon vetëm Allahut (Il-All-llah): “Ai që mohon idhujt dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë” (Bekare: 256)
5. Sinqeriteti, dëshmia me vërtetësi: “Kush dëshmon me sinqeritet nga zemra e tij, se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, do të hyjë në Xhenet” (hadith sahih)
6. Pastërtia e përkushtimit ndaj Allahut: “Njeriu më me fat për të gëzuar ndërmjetësimin tim është ai që thotë me pastërti nga zemra dhe shpirti i tij se nuk ka Zot tjetër, përveç Allahut”. (hadith sahih)
7. Dashuria, dmth që dashuria për Allahun të mbizotërojë mbi çdo dashuri tjetër në zemrën e besimtarit: “Disa njerëz marrin zota që i quajnë të barabartë me Allahun dhe i duan ata siç duhet Allahu. Mirëpo ata që besuan e duan Allahun më shumë (se çdo gjë)” (Bekare: 165)
Domethënë, këto përfundime nuk kanë dalë nga hiçi, por mbështeten në ajete e hadithe. Madje, po të meditosh pak, del se ato janë përfundime shumë të logjikshme.
Pra, si mund të pretendojë dikush se është monoteist i pastër, nëse nuk e di domethënien e fjalës së shehadetit, nëse nuk është i bindur për vërtetësinë e saj, nëse nuk e pranon atë me gjithë zemër, nëse nuk i dorëzohet kuptimit të saj, nëse nuk e thotë atë sinqerisht, nëse në përkushtimin e tij fetar ka vend edhe për të tjerë krahas Allahut, dhe nëse dashuria e tij për Allahun nuk ia kalon dashurisë së tij për krijesat?
Akuzë: Kjo formë shpjegimi e teuhidit është shumë e vonë, madje vetë termi teuhid është i sajuar dhe nuk gjendet në tekstet e Kuranit dhe Sunetit.
Përgjigje: Akuza do të ishte e saktë nëse gjërat që u thanë më sipër nuk do të ishin të vërteta si koncepte dhe nuk do të gjendeshin në teksetet e Shpalljes hyjnore si kuptime. Përderisa këto koncepte janë të vërteta dhe hasen rëndom në tekstet e Shpalljes, atëherë ku qëndron problemi?