A ke më shumë sevape gjatë agjërimit, kur e ndjen më shumë etjen dhe urinë?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 3 minuta lexim

Pyetje: Nëse ndjehesh më i uritur dhe më i etur në një ditë agjërimi, a ke më shumë sevape nga një ditë tjetër, që nuk ke aq shumë etje ose uri?

Përgjigje: Sigurisht që po. Agjërimi është muaji i sakrificës dhe për çdo durim, sakrificë ose mundim shtohen sevapet më shumë. Nëse dikush ndjen etje dhe uri më shumë se një ditë tjetër agjërimi dhe ai e përmban veten duke duruar dhe sakrifikuar futet drejtpërdrejt në ajetet kuranore, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Përgëzoji durimtarët!” Surja el-Bekare 155. “Allahu i do durimtarët.” Surja 146. “Duroni, vërtet Allahu është me durimtarët!” Surja el-Enfal 48. Gjithashtu është përmendur edhe në hadithet profetike, se besimtari për çdo mundim që përjeton do t’i falen gjynahet e do të shpërblehet. Pra çdo adhurim që kryhet në rrethana më të vështira dhe mundimi për kryerjen e tij është më i madh edhe shpërblimi për të është më i madh siç tregon dhe hadithi i Aishes në kohën e kryerjes së riteve të umres, të cilës Profeti (alejhis-salatu ues-selam) i tha: “Shpërblimi yt është në varësi të lodhjes (mundimit) dhe shpenzimit që kryen.” Transmetuan Buhariu dhe Muslimi. Imam Neveviu në shpjegim të hadithit thotë: “Kjo gjë tregon qartë, se sevapi (shpërblimi) dhe vlera e adhurimit shtohet kur ka më tepër mundim dhe shpenzim.” Kështu që nëse agjëruesi duron për etjen dhe urinë e tij gjatë ditës duke shpresuar shpërblimin tek Allahu të jetë i bindur, se sevapet e tij janë në rritje e sipër. Sidoqoftë nëse etja dhe uria është e madhe dhe ka frikë se mund të dëmtohet në shëndetin e tij është mirë të marrë rekomandimet e mjekut, sepse mund të ketë dhe ndonjë sëmundje konkrete, e cila bën që t’i hiqet detyrimi i agjërimit për atë ditë, apo disa ditë në varësi në gjendjes shëndetsore. Por kur etja dhe uria janë të përballueshme atëherë duron, sepse durimi në vetvete është pjesë e adhurimit.

 

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.