Pyetje:
A lejohet agjërimi i të gjithë muajit Muharrem? Disa thonë që është e ndaluar e disa thonë lejohet!
Përgjigje:
Së pari duhet të informohemi rreth teksteve të sheriatit islam që flasin rreth kësaj çështje. Në një hadith që e transmeton Muslimi në Sahihun e tij nga Ebu Hurejre përcillet se Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas agjërimit në muajin Ramazan është agjërimi i muajit të Allahut Muharrem dhe namazi më i mirë pas farzeve është namazi i natës.”
Në pamje të parë hadithi nuk e përjashton agjërimin e të gjithë muajit, madje nxit për të, duke treguar vlerën e madhe të agjërimit në këtë muaj. Në anën tjetër vëmë re se Profeti (alejhissalatu uesselam) në fund të jetës së tij, kur foli për agjërimin e ditës së Ashurasë, që është dita e dhjetë e muajit Muharrem, shprehu dëshirën që nëse do të ishte gjallë vitin tjetër do të agjëronte dhe ditën e nëntë, krahas ditës së dhjetë. (Buhariu & Muslimi)
Nga ky hadith kuptojmë që Profeti (alejhissalatu uesselam) nuk e ka agjëruar të gjithë muajin Muharrem. Mirëpo kjo s’do të thotë që agjërimi i këtij muaji është risi (bidat) në fe, sepse në hadithin që përcjell imam Muslimi që përmendëm më sipër tregohet për vlefshmërinë e agjërimit të këtij muaji dhe jo thjesht për vlerën e ditës së Ashurasë. Për këtë arsye vihet re se sahabi Abdullah ibn Umer, Hasani Basriu nga tabiinët dhe të tjerë e
agjëronin të gjithë muajin Muharrem, pasi nuk ka përcaktim se sa duhet të agjërohet dhe sa jo në këtë muaj të begatë. Kështu që cdo besimtar është i lirë të agjërojë sa të dojë sipas mundësisë së tij.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.
Total
0
Shares