A lejohet balsamosja me qëllim mësimi dhe praktike?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

images

A lejohet balsamosja me qëllim mësimi dhe praktike?

Pyetja: A lejohet balsamosja me qëllim mësimi dhe praktike?

Përgjigja: Së pari duhet thënë se çdo krijesë e gjallë një ditë do të vdesë dhe askush nuk bën përjashtim nga ky ligj i Zotit. Allahu thotë për këtë gjë në Kuran: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe pastaj të gjithë do të ktheheni tek Ne.” (Ankebut: 57).

Së dyti, sipas normave të fesë islame, çdo njeri që vdes duhet të varroset dhe çdo kafshë që ngordh duhet të groposet. Allahu duke treguar sesi u varros njeriu i parë në këtë botë thotë: “Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait.” (Maide: 30-31).

-Për sa i përket balsamosjes, ajo e thyen këtë normë, për këtë dhe në origjinë nuk lejohet balsamosja dhe ruajtja e trupave të vdekur apo të ngordhur.

-Përjashtim nga ky rregull bëjnë rastet kur balsamosja është e domosdoshme apo e nevojshme, sipas këndvështrimit islam, siç mund të jetë p.sh: nevoja mësimore.

-Për sa i përket trupave të njerëzve, balsamosja e tyre nuk lejohet, pasi –me aq sa dimë- asnjë domosdoshmëri apo nevojë – sipas këndvështrimit islam- nuk ka në këtë rast. Po kështu procesi i balsamosjes shoqërohet me gjymtimin e organeve të trupit dhe kjo është një arsye më vete pse nuk lejohet balsamosja e trupit të njeriut, pasi feja islame e ndalon gjymtimin e kufomës, edhe nëse ai nuk është musliman. Veç kësaj mund të shtojmë se balsamosja e njerëzve është traditë e disa popujve idhujtarë, siç ishin egjiptianët e lashtë, dhe bëhej për shkak të besimeve të tyre të kota.

– Për sa i përket balsamosjes së kafshëve mendojmë se:

1- Lejohet nëse bëhet vetëm për arsye studimi, me kusht që të mos teprohet në këtë drejtim, si në kohën apo shpenzimet që merr kjo punë.

2- Lejohet për arsyen e mësipërme, sepse nuk ka ndonjë argument të drejtpërdrejtë fetar që e ndalon apo e lejon atë dhe si argument bazë në këtë drejtim qëndron rregulli që thotë, se diçka e cila nuk ka të bëjë me adhurimet është e lejuar, përderisa nuk ka asnjë argument që ta ndalojë atë.

3- Lejohet sepse kafsha e balsamosur nuk i ngjan statujave, pasi ajo nuk është përngjasim i krijesës së Allahut, por është vetë krijimi i Tij.

4- Ndërsa balsamosja e kafshëve për qëllime zbukurimi ne mendojmë se është e papëlqyeshme, sepse krijon imazhin e një statuje, të cilat nuk lejohen në Islam, edhe pse kafsha e balsamosur nuk është e tillë. Allahu e di më së miri.