A lejohet kurbani për të vdekurit?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

Pyetje: Në një debat që patëm në një mexhlis, u diskutua rreth kurbanit për të vdekurin, a lejohet apo jo. Disa thoshin në formë të prerë, se nuk lejohet dhe disa thoshin që mund të bëhet. E shihja që kishim të gjithë paqartësi. A mund të na tregoni si qëndron kjo çështje?

 

Përgjigje: Fillimisht duhet të ndajmë çështjen për sa i përket nijetit (qëllimit) të kurbanit. Nëse bëhet fjalë për kurbanin që i bëhet të vdekurit, duke menduar se kjo sjellë fat, mbarësi, të ruan nga ndonjë e keqe apo është shkak për të mos vdekur dikush tjetër pas tij etj., të ngjashme me këto, ky lloj kurbani është i ndaluar në mënyrë kategorike, madje disa forma të këtij kurbani të çojnë në shirkun e madh, që të nxjerr nga feja. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (Surja el-En’Am: 162).

Por nëse me kurban, në çfarëdo dite të vitit qoftë, është si qëllim bamirësia për nevojtarët, duke ja ndarë atyre mishin, me nijetin që ky shpërblim t’i shkojë të vdekurit, kjo është e lejuar, sepse konsiderohet një nga llojet e sadakasë (lëmoshës).

Ndërsa Kurbani që bëhet enkas si adhurim i veçantë dedikuar Allahut të Plotfuqishëm me rastin e Kurban Bajramit, dihet që një kurban mjafton për të gjithë familjen, pra për anëtarët që janë gjallë. Por a vlen ky kurban, nëse bëjmë nijetin që sevapet të shkojnë dhe për një anëtar të familjes që ka vdekur?  Dijetarët për këtë kanë mendime të ndryshme.

Medh’hebi hanefi është i mendimit, se mund të përfshihen edhe të vdekurit e familjes në sevapin e Kurbanit. Të këtij mendimi janë dhe një pjesë e medh’hebit hanbeli. Argumenti për këtë është hadithi në Musnedin e Imam Ahmedit dhe Sunenin e Darekutnit, ku tregohet se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka bërë kurbane dy desh dhe kur nisi t’i therë ai tha: “O Allah ky kurban është në emër tim dhe në emër të atyre që nuk kanë bërë dot kurban prej umetit tim.”  Dhe duke qenë se ai këtu ka përmendur umetin, atëherë pjesë e umetit janë të gjallët dhe të vdekurit.

Kurse medh’hebi Shafi mendon, se nuk bëhet kurban për të vdekurit, pra ata nuk mund të përfshihen në nijetin e Kurbanit, por duhet të jetë vetëm për të gjallët, me përjashtim të rastit kur i vdekuri e ka lënë porosi të bëhet kurban edhe për të.  Dijetarët e këtij medh’hebi iu janë përgjigjur dijetarëve të mësipërm, duke sqaruar se hadithi flet për njerëzit e gjallë të umetit të Profetit (alejhis-salatu ues-selam), dhe  kjo është e veçantë vetëm për Profetin, për arsye se nuk është trashëguar si traditë, që ta kenë bërë edhe të tjerët pas tij në këtë mënyrë.

Ndërsa medh’hebi Maliki e shikon të paarsyeshme përfshirjen e të vdekurve në kurban. Imam Maliku thotë: “Nuk më pëlqen që dikush të bëjë kurban edhe për dy prindërit e tij të vdekur, sepse kjo gjë nuk na është përcjellë nga Profeti (alejhis-salatu ues-selam) dhe as nga selefët (gjeneratat e para të muslimanëve.” (Mevahib el-Xhelil fi Sherhi Muhtesar Halil 3/247).

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.