A më lejohet të bëj tavaf me rrobet e veshura pa pëlhurën e ihramit?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

 

Pyetje: Jam në umre  dhe e kam përfunduar tavafin dhe të gjithë ritualin e umres. Kam dëshirë të bëj tavaf rreth Qabes herë pas here deri sa të largohem, a më lejohet të bëj tavaf me rrobet e veshura pa pëlhurën e ihramit?

Përgjigje: Tavafi është një adhurim më vete sikur adhurimet e tjera të larmishme që ka Islami. Tavafi nuk bëhet vetëm kur je në ihram dhe me pëlhurën e Ihramit  në haxh ose në umre, por mund të bëhet dhe kur je jashtë haxhit ose umres, kurdo qoftë dhe për rrjedhojë nuk është detyrë të vishet pëlhura e bardhë. Madje vetë tavaf el-Ifada (tavafi i haxhit), në ditën e dhjetë të Dhul-Hixhes, që përkon dhe me ditën e Bajramit, mund të bëhet me rrobe të zakonshme, sepse haxhiu pas rruajtjes ose qethjes së flokëve, është liruar nga ihrami dhe i janë lejuar të gjitha gjërat e ndaluara më parë, përvec marrëdhenieve seksuale me bashkëshorten, të cilat lejohen pas çlirimit të dytë. Pra brenda ritualit të haxhit kemi hapësirën dhe tolerancën që vetë tavafi më kryesor i haxhit të bëhet me rrobe të zakonshme. Në rastin e umres veshja e rrobës së ihramit duhet të jetë e veshur vetëm gjatë kryerjes së ritualit të umres, por pas përfundimit të saj mund të bëhet tavaf sa herë të kesh dëshirë me rrobat e zakonshme, duke qenë se tavafi është adhurim i posaçëm që nuk nevojë të jetë i shoqëruar me umre.

Profeti ( alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Kush bën tavaf duke u sjellë rreth Qabesë shtatë herë, për çdo hap që bën do t’i shënohet një sevap dhe do t’i fshihet një e keqe, do të ngrihet te Zoti një gradë më lart dhe (për të gjithë tavafin) do t’i shënohen sevapet sikur të kishte liruar një rob nga skllavëria.”  Transmetuan Ahmedi nr. 5701 dhe Tirmidhiu nr. 959.

Në një version tjetër te Musnedi i Imam Ahmedit (nr 4462) thuhet: “Kush bën tavaf duke u sjellë rreth Qabesë shtatë herë, pastaj fal dy rekate do t’i shënohen sevapet sikur të kishte liruar një rob nga skllavëria.”

Po ashtu duhet të kihet parasysh një gjë e rëndësishme. Sa herë bëhet tavaf qoftë në rastin e haxhit, umres ose tavaf i pa shoqëruar me umre është detyrë të merret abdes si për çdo namaz, sepse Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka konsideruar tavafin namaz, por tavafi është një namaz ku tolerohet të flitet sic përmendet në një hadith: “Tavafi është sikur namazi, përveç faktit se në të lejohet të flasësh, andaj kush flet gjatë tavafit le të flasë vetëm me fjalë të mira.”  Transmetoi Tirmidhiu nr. 960 ku tregon se ky hadith është përcjellë si thënie profetike, por dhe si thënie e Abdullah ibn Abasit gjithashtu.

Kurse në një version tjetër te Musnedi i Imam Ahmedit (nr 15423) thuhet: “Tavafi është namaz, andaj kur të bëni tavafin flisni më pak.”

Gjithashtu këshillojmë që besimtari kur të jetë në Qabe të mundohet ta praktikojë këtë sunet profetik, pra krahas adhurimeve të ndryshme si namazi, leximi i Kuranit, duaja, sadakaja, etj. të mundohet kur ka mundësi të bëjë herë pas here tavaf për ta adhuruar Allahun dhe për t’iu përkushtuar Atij me të gjitha format e adhurimit.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH