Pyetje: Në shkrime dhe ligjërata të ndryshme po shpërndahet, se Muaji Muharrem ku ndodhemi është muaji i agjërimit, a ka argument për këtë dhe a do të thotë kjo, se mund të agjërojmë të gjithë muajin?
Përgjigje: Në hadithet profetike është përmendur, se Muaji Muharrem është muaji më i mirë pas Ramazanit për të agjëruar. Nga Ebu Hurejre përcillet, se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi në muajin e Allahut Muharrem dhe namazi më i mirë pas farzeve është namazi i natës.” Transmetoi Muslimi.
Ky hadith tregon qartë për vlerën e agjërimit në muajin Muharrem. Gjithashtu hadithi përfshin edhe agjërimin e të gjithë muajit përderisa nuk ka argument tjetër që e ndalon atë, pra mund të agjërohet i gjithë muaji duke shpresuar shpërblimet nga Allahu. Ndërsa ndalesa për agjërimin vullnetar pandërprerë është përcjellur për agjërimin e të gjithë vitit dhe jo për agjërimin e të gjithë muajit nga muajt e kalendarit hënor, sidomos për muajin Muharrem, ku hadithi profetik e tregon qartë vlerën e tij.
Gjithsesi duhet patur kujdes, që agjërimi në këtë muaj nuk duhet të krijojë keqkuptime me të tjerët, kur dihet që agjërimi i tillë mund të ndikojë për të mos qenë aktiv dhe i zellshëm në detyra të ndryshme, që mund të kenë njerëzit. Pra çdo kush mund të agjërojë pa krijuar probleme dhe situata të pakëndshme në familje dhe në rrethin ku jeton. Përtej adhurimit që çdo kush ia dedikon Zotit të tij, besimtari duhet të jetë i mirë, i gjallë, dobiprues dhe i zellshëm, edhe me krijesat e Zotit në jetën e përditshme. A nëse nuk përbën asnjë pengesë në punët e tij dhe te njerëzit që e rrethojnë, secili mund të agjërojë kur dhe sa të dojë prej ditëve të këtij muaji të mirë.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.