A mund të agjërohen shumë ditë pa ndërprerë?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

 

Pyetje: Kemi dëgjuar se është e ndaluar të agjërohet çdo ditë, ndërkohë hadithi që qarkullon me rastin e muajit Shaban tregon, se Profeti e ka agjëruar të gjithë muajin Shaban. A mund të agjërohen shumë ditë pa ndërprerë, ose të gjithë muajin sikur ka ardhur në hadith?

Përgjigje: Së pari duhet të kemi parasysh që Profeti (alejhis-salatu ues-selam) e ka ndaluar të agjërohet në formë të vazhdueshme pa ndërprerë me muaj të tërë. Kurse në rastin e muajit Sha’ban ka dallim, sepse mund të agjërohet pothuajse i gjithë muaji dhe nuk futet te ndalesat profetike. Për sa i përket hadithit, që thotë se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) e ka agjëruar të gjithë muajin Sha’ban e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në dy Sahihët e tyre nga Aishja (r.a.), e cila thotë: “Profeti (alejhis-salatu ues-selam) nuk ka agjëruar në ndonjë muaj sikurse ka agjëruar në muajin Sha’ban. Ai e agjëronte të gjithë muajin Shaban.”  Arabët e kanë zakon në gjuhën e tyre, që të përdorin masën maksimale të diçkaje ndërkohë kanë si qëllim shumicën. Pra, në këtë hadith Aishja do të tregojë, se ai e agjëronte pothuajse të gjithë muajin, por jo të tërin. Këtë na e dëshmon edhe një version tjetër i hadithit te Sahihu i Muslimit (nr. 1156),  ku thuhet: “Ai e agjëronte Shabanin të gjithë përveç disa ditëve.”  Nga kjo kuptojmë se mund të agjërojë kushdo prej muajit Sha’ban sa të dojë, nëse është i mësuar dhe kjo nuk e pengon dhe nuk e dobëson për të qenë i gjallë dhe i zellshëm për agjërimin e Ramazanit. Përndryshe nëse nuk është mësuar të agjërojë shpesh, atëherë le të agjërojë disa ditë nga muaji Sha’ban, por jo më shumë se gjysma e muajit. Për këtë kemi një hadith tjetër, ku Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Kur të vijë gjysma e Sha’banit ndërpriteni agjërimin.” Transmetoi Ebu Davudi.  Shumë dijetarë këtë hadith e shikojnë të saktë, kurse shumë të tjerë hadith të dobët, munker (të papranueshëm), mes tyre dhe imam Ahmedi, por ata që e shikojnë të saktë e komentojnë siç përmendëm më sipër, se agjëruesi që nuk është mësuar duhet të ruajë gjallërinë dhe forcën e tij për agjërimin e Ramazanit.  Ndërsa për ata që hadithin e konsiderojnë të dobët çështja kthehet te vetë agjëruesi. Nëse e shikon veten të aftë dhe të fortë për të agjëruar shumë ditë nga Sha’bani dhe Ramazanin, po ashtu mund ta veprojë, e nëse e shikon veten jo të gjallë e të gatshëm për të agjëruar prej Sha’banit nuk agjëron në mënyrë që të jetë sa më aktiv dhe më i përkushtuar në agjërimin e Ramazanit.

 

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.