A mund të falin femrat namaz me xhemat?!
Pyetje:
Esselamu alejkum. Jemi një grup vajzash muslimane në një konvikt dhe kujdestarja na propozon: duke qene se rastet ne të cilat mblidhemi të gjitha së bashku nuk janë të shpeshta dhe duke menduar nga ana tjetër që namazi është adhurim i veçantë ku rëndësi të madhe i kushtohet dhe xhematit propozoi që të paktën në ditë të falim një vakt së bashku. Unë mendova për namazin e jacisë, me qenë se është më i përshtatshmi për të qenë të gjitha prezente si dhe duke iu referuar hadithit që tregon se kush fal namazin e jacisë me xhemat ka shpërblim sikur është falur gjysmën e natës, pa harruar shumëfishimin e sevapeve që ka ardhur për namazin me xhemat në raport me namazin individual. Mirëpo këtë propozim e kundërshtoi një motër tjetër pasi i kishin thënë se hadithi vlen vetëm për burrat në xhami dhe jo për këtë rast, i cili nuk mund të konsiderohet si namaz me xhemat. Si qëndron e sakta?
Përgjigje:
Lavdërimi i takon Allahut, ndërsa salevatet qofshin për Profetin tonë.
Për sa i përket namazit me xhemat në përgjithësi për femrat në mesin e tyre ai shihet nga shumë dijetarë si vepër e pëlqyer (mustehab), ndaj kjo nuk vlen si praktikë vetëm për namazin e darkës, por për çdo namaz, nëse është e mundur që ata të falen me xhemat.
Argumentet që tregojnë se namazi me xhemat i grave mes tyre është një vepër e pëlqyer janë disa transmetime nga sahabet e nderuar. Abdurrezzaku transmeton në Musannefin e tij (nr.5086) si dhe Ibn ebi Shejbe ne Musannefin e tij (2/89) se nëna e besimtarëve, Aishja, qe bërë imame për gratë e tjera dhe kishte qëndruar në të njëjtin rresht me to në mesin e tyre, duke mos dalë përpara siç del imami mashkull në xhami. Gjithashtu të dy ata Abdurrezzaku (nr.5082) dhe Ibn Ebi Shejbe (2/88) transmetojnë se si imame për gratë në formë të tillë është bërë dhe Ummu Seleme. Në versionin e Abdurrezakut tregohet se Ummu Seleme është bërë imame për gratë e tjera në namazin e ikindisë. Ndërsa në një version tjetër të imam Shafiut siç e përcjell Bejhekiu (Ma’rifetussunen vel athar 4/231) tregohet se edhe Aishja është bërë imame për gratë për namazin e ikindisë. Po në të njëjtin koleksion transmetimesh përcillet se Safvan ibn Sulejmi, prej tabiinëve, ka thënë: “Është prej sunetit është që femra tu prijë femrave të tjera në namaz, duke qëndruar në mes tyre (pa dalë përpara).”
Ndërsa për sa i përket shumëfishimit të sevapeve dhe vlerës së namazit me xhemat, përderisa ka argument se është e pëlqyer (mustehab) që gratë të falen me xhemat mes tyre, praktikat e mësipërme tregojnë qartë se ato bëheshin pikërisht me synimin e shumëfishimit të sevapeve. Mirëpo a është e njëjtë sikur xhemati i burrave në xhami? Për këtë ka dy mendime në mesin e dijetarëve, ku më e njohura është se xhemati i burrave në xhami është më i rëndësishëm dhe me vlerë më të madhe se namazi i grave mes tyre. Por, nga ana tjetër theksojmë se femrat mund të falin namazin e tyre me xhemat në xhami, mirëpo namazi në shtëpitë e tyre është më i pëlqyeshëm. Për këtë Ebu Davudi (nr. 567) shënon se Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Mos i privoni gratë tuaja nga xhamitë, por shtëpitë e tyre (për të falur namazin) janë më të mira për to.”
Allahu e di më së miri.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH