Pyetje: Jam një agjëruese e rregullt dhe sot gjithashtu e fillova agjërimin e ditës së Ashurasë por tani gjatë ditës u rëndova dhe pashë që e kisha të vështirë ta vazhdoja andaj dhe vendosa ta çel. A duhet të shpaguaj për këtë ditë dhe sa është shuma e shpagimit apo duhet të agjëroj një ditë kaza?
Përgjigje: Së pari ju përgëzojmë për dëshirën e mirë dhe fillimin e agjërimit në ditën e Ashurasë gjë që nuk e bëjnë të gjithë. Gjithashtu prishja e ditës së agjërimit në rast sëmundjeje apo rëndese në trup apo shkak tjetër të arsyeshëm është një vendim i mirë sepse keni zgjedhur lehtësimin me të cilën ju ka lehtësuar vetë Allahu. Në një ajet kuranor Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dëshiron për ju lehtësimin dhe jo vështirësimin.” Surja el-Bekare 185. Ndërkohë agjërimi në ditën e Ashurasë është agjërim i pëlqyeshëm dhe jo i detyruar (vaxhib) dhe për rrjedhojë nuk shpaguhet madje nuk është më nevoja të agjërohet kaza, sepse është një agjërim që lidhet me një ditë dhe shkak të caktuar dhe me kalimin e asaj dite kalon dhe vetë agjërimi pa pasur nevojë të zëvendësohet me ditë tjetër. Gjithashtu shpresojmë që sevapet e agjërimit të shkruhen si një ditë e plotë përderisa dëshira ishte e tillë.