Pyetje: A vlen që shpagimi i agjërimit të bëhet iftar për xhematin, pa marrë parasysh nëse janë nevojtare apo jo?
Përgjigje: Shlyerja e agjërimit përmes shpagimit duke ushqyer të tjerët është e parashikuar në fikhun e agjërimit në rastet si këto, p.sh.:
për atë që ka kryer marrëdhënie seksuale gjatë agjërimit,
i sëmuri që nuk shpreson të shërohet dhe që duhet të hajë ushqim ose të pijë ilaçe gjatë ditës së agjërimit,
pleqëria, për shkak të moshës së avancuar, që nuk mund të agjërojë,
gratë shtatzëna apo ato që ushqejnë fëmijët me gji (sipas disa dijetarëve).
Në këto raste, ajo që pohohet nga dijetarët e të katër medhhebeve, nga më të hershmit e deri më sot, është se këtë ushqim e përfitojnë vetëm të varfrit dhe jo çdo agjërues.
Kjo mbështetet në ajetin 183 të sures el-Bekare: “…ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpërblim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi”.
Të gjithë dijetarët e Tefsirit shënojnë se i ushqyeri është vetëm i varfëri, qoftë i madh apo i vogël. (Shih komentet e Tabariut 3/418, Kurtubit 2/288, Ibn Kathirit 2/56, etj.)
Këtë e theksojnë edhe juristët e të katër shkollave juridike si dhe dijetarë të tjerë. (Shih: Sharh Mukhtesar Tahavi 2/440, el-Mudawwana 2/324, el-Hawi el-Kebir 3/465, el-Kafij 1/434, el-Muhalla 4/393.)
Një argument tjetër është fjala e Profetit (, i cili i tha atij që kishte pasur kontakt me bashkëshorten gjatë agjërimit në Ramazan: “A ushqen dot gjashtëdhjetë të varfër?”. (Buhari nr. 1947 & Muslimi nr. 1111)
Pra, hadithi thekson “të varfrit”, sepse ata janë përfituesit më meritorë nga akti i shlyerjes.
Përmbledhje: Siç përmendëm më lart, ushqimi si formë shpagimi u takon vetëm të varfërve.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH
