Adhurimi është ngjyrim nga Allahu

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

Kur Allahu përmendi fenë dhe ligjin e Tij, të cilin Ai ua zbriti profetëve të Tij Ibrahimit, Ismailit, Isakut, Jakubit, Esbatëve dhe Musait. menjëherë pas kësaj Ai tha: Thoni: “Kjo fe është “ngjyra” që na ka dhënë Allahu! S’ka “ngjyrë” më të bukur se ajo që jep Allahu! Ne vetëm Atë adhurojmë!” [El-Bekare: 138] d.m.th.: Thuaju: O Muhamed, o hebrenj dhe të krishterë, ndiqni fenë e Ibrahimit, ngjyrimin e Allahut, që është ngjyrimi më i mirë, sepse ai është Islami i pastër, dhe hiqni dorë nga idhujtaria  -shokvënia e Allahut- dhe humbja pasi u është bërë i qartë udhëzimi.(1)

Por cila është domethënia e ngjyrimit? Me ç’kuptim vjen ajo në ajet? Pse e quajti ngjyrim? Cilat janë përmbajtjet e këtij termi?

Sa për kuptimin e saj, ngjyrimi është: ngjyrosja e gjërave me ngjyra të ndryshme, të tilla si rrobat dhe të ngjashme me to.

Ajo që nënkuptohet me ngjyrim është: feja e Allahut, ligji i Tij dhe besimi tek Ai, kështu që ajeti në këtë rast shpreh atë se: Feja për ju është bërë e natyrshme, pikërisht si ngjyrosja e rrobës e cila tanimë është bërë karakteristikë e saj.(2).

Arsyeja se pse Allahu e ka përshkruar fenë dhe adhurimin si ngjyrim, është për faktin se adhurimi, fetaria dhe besimi duhet të jetë i njëjtë si ngjyrosja e veshjes dhe lëkurës në shoqërimin që ajo i bën njeriut, sepse ngjyrosja e veshjes e shoqëron atë në mënyrë të pandashme, edhe ngjyrosja e lëkurës gjithashtu. Ashtu sikurse ju hyni në xhami duke pasur veshje apo lëkurë të ngjyrosur e cila ju shoqëron sa herë që hyni dhe dilni, apo edhe në aktivitetet e tjera që i praktikoni në jetën tuaj, ngjyra e rrobës apo lëkurës do jetë me ju kudo që të shkoni. Po kështu, Allahu dëshiron që besimi, feja dhe Islami t’ju shoqërojnë në të gjitha rrethanat tuaja, të jetë pjesë e karakterit tuaj. Kështu Ai nuk pëlqen që ju të keni më shumë se një karakter.

Pra Ai dëshiron që ju të mos keni më shumë se një ngjyrim, ku të hyni me një dhe të dilni me një tjetër. Kjo nuk është ngjyrim i pandashëm dhe pjesë e karakterit, përkundrazi ajo është ndryshim dhe kamuflim.

Sa i përket përmbajtjes së përshkrimit me ngjyrim: Ajo tregon se ana e dukshme dhe e brendshme janë të ngjyrosura, siç është rasti në ngjyrosjen e rrobës, po ashtu edhe besimi i robit duhet ta ngjyrosë atë si brenda ashtu dhe jashtë, kështu zemra e tij është e ngjyrosur me besim në Allahun, engjëjt e Tij, librat, Profetët, Ditën e Fundit dhe kaderin, ndërsa pamja e tij e jashtme ngjyroset me dispozitat Islame, kështu që pamja e tij e jashtme dhe brendësia e tij kanë të njëjtin ngjyrim, të njëjtën bojë.

Kjo zbulon faktin se adhurimi (të qenurit rob) është i vazhdueshëm dhe besimtari nuk shkëputet prej tij, pasi që ai është adhurues i Allahut brenda xhamisë dhe jashtë saj, në kuvendet e dijes dhe dyqanin e tij, gjatë gjumit por edhe kur është i zgjuar, madje në të gjitha gjendjet e tij.

Ndjenja që na shoqëron kur shkojmë në xhami të premten, ose kur udhëtojmë për në Umre dhe Haxh, ku shpesh hasim në lodhje apo në mundim që nuk e dëshirojmë, megjithatë ne ndiejmë një siguri në vetvete dhe shpresojmë shpërblimin e mundimit, ajo që na lehtëson shpirtin në këtë rast është ndjenja se jemi të angazhuar me adhurimin e Allahut. Kjo lloj ndjenje madje edhe më e lartë se kjo, duhet të na shoqërojë në të gjithë jetën tonë nëse pretendojmë se jeta dhe vdekja jonë është për Allahun.

Gjëja më shqetësuese me të cilën përballet koncepti i adhurimit (të qenurit rob i Zotit), është dallimi që ndodh midis adhurimit të dukshëm dhe brendësisë së tij, por dhe më e rrezikshme nga kjo është kujdesia për adhurimin në aparencë (jashtë) dhe neglizhenca e brendësisë tonë, pasi kjo një defekt në kuptimin e ngjyrimit të Zotit, ndaj dhe adhurimi duhet të jetë në një harmoni midis formës së tij aparenciale dhe asaj të brendshme.

Për shkakun se është e vështirë për çdo njërin prej nesh që të kujdeset për brendësinë e tij duke përmbushur veprat e zemrës, ne përpiqemi ta demonstrojmë forcën në kujdesin për formën e jashtme, duke i dhënë prioritet kështu të jashtmes më shumë se ngjyrosjes së brendshmes së tij me fenë e Allahut. Kështu do gjesh shumë prej nesh që kujdesemi për veprat synete apo të pëlqyera që kanë lidhje me aparencën, dhe neglizhojmë dhe lëmë mbas dore veprat e domosdoshme dhe detyrë që kanë lidhje me zemrën dhe të brendshmen.

E gjitha kjo ndodh për faktin se kuptimi i adhurimit nuk është perceptuar si duhet në mendjet tona.

Një fatkeqësi tjetër që lidhet drejt-përsëdrejti me këtë, është se një dallim i tillë është pasqyruar edhe në jetën tonë të përditshme, për shembull muslimanët tregojnë neglizhencë në shkuarjen në xhami dhe gjallërimin e tyre, dhe këtë përpiqen ta kompensojnë me zbukurimin dhe dekorimin e xhamive. Kur nuk arrimë të meditojmë si duhet apo të kuptojmë qartë kuptimet madhore të dhikrit (tesbihut, hamdit, shprehjes la haule ue la kuvete ila bilah), atëherë përpiqemi t’i kompensojmë me numra (duke i përsëritur sa më shumë), madje duke shpalosur dhe vetëpëlqim se kemi bërë shumë dhikër.

E gjitha kjo edhe një herë na tregon kuptimin e largët dhe periferik që ne kemi për adhurimin dhe qenien tonë si robër të Allahut.

Përzgjodhi: Bledar Tefik Haxhiu