ADN dhe fushat e përfitimit prej saj
Akademia e Fikhut Islam me qendër në Mekë
Së pari: Lejohet të bazohesh në testin e ADN-së në hetimet penale, si një element ndihmës, që provon një krim, i cili nuk bën pjesë në radhën e ndëshkimeve të përcaktuara në tekstet e sheriatit (hudud) dhe as në një dënim kapital, duke u nisur nga argumenti që thotë: “Shmangini ndëshkimet e rënda, vërtetimi i të cilave është i dyshimtë”. Nëpërmjet kësaj metode mund të realizohet drejtësia dhe siguria shoqërore dhe ajo mund të bëhet shkas, që krimineli të marrë ndëshkimin e merituar dhe të lirohet i akuzuari nga akuzat. Kjo në vetvete përbën një nga synimet thelbësore të legjislacionit islam.
Së dyti:Përdorimi i ADN-së në vërtetimin e prejardhjes familjare duhet të realizohet me kujdes të plotë, dhe në fshehtësi totale. Ndaj dhe për këtë arsye tekstet e legjislacionit islam (që provojnë prejardhjen) kanë përparësi ndaj rezultateve të ADN-së.
Së treti:Nuk lejohet fetarisht të bazohesh tek testi i ADN-së për të mohuar përkatësinë prindërore të dikujt dhe po ashtu nuk i jepet testit të ADN-së përparësi, në rastet e divorcit me mallkim (kur bashkëshortët në rast dyshimi për thyerjen e kurorës mallkojnë njëri-tjetrin, nëse nuk thonë të vërtetën).
Së katërti: Nuk lejohet përdorimi i ADN-së për të vërtetuar përkatësinë prindërore, që njihet dhe pranohet fetarisht. Në të tilla rastet duhet që autoritetet përkatëse ta ndalojnë këtë gjë dhe të japin dënime të ashpra, sepse kjo cenon nderin e njerëzve dhe vë në diskutim prejardhjen e tyre.
Së pesti: mund të bazohemi tek testi i ADN-së për të vërtetuar prejardhjen në këto raste:
a- Në rastet e konfliktit për prejardhjen e një njeriu që nuk i dihet prejardhja. Këtu përfshihen të gjitha llojet e konflikteve që kanë përmendur dijetarët, qoftë në rastet e konfliktit për një njeri me prejardhje të panjohur, për shkak të mungesës së provave apo kur ato janë të barabarta, apo edhe për shkak të një kontakti seksual nga një martesë e dyshimtë etj.
b- Rastet e dyshimit për foshnjat nëpër spitale, qendrat e kujdesit për fëmijët etj., si dhe po kështu për rastet e dyshimit për fëmijët e lindur me anë të metodës së fekondimit In Vitro.
c- Rastet e humbjes së fëmijëve apo të përzierjes së tyre për shkak aksidenteve, të fatkeqësive natyrore apo luftërave, për shkak të vështirësisë së identifikimit të famil-jarëve të tyre, apo për shkak të ekzistencës së kufomave, që nuk ka qenë e mundur identifikimi i tyre, ose me synimin për t’u siguruar për identitetin e robërve të luftës dhe njerëzve të humbur.
d- Nuk lejohet shitja e gjenit njerëzor për një gjini, shtet apo individ, për çfarëdo lloj arsye qoftë, ashtu siç dhe nuk lejohet falja e tij për ndonjë institucion i çdo lloji qoftë, për shkak të pasojave dhe dëmeve të mëdha që sjell kjo praktikë.
e- Akademia sugjeron sa vijon:
1- Shteti duhet të ndalojë çdo kontroll të iniciuar individual të ADN-së, përveç kur kjo bëhet me kërkesën e gjykatës dhe realizohet në laboratorët e organeve përkatëse. Të ndalohet sektori privat, që ka si synim fitimin, që të realizojë këtë test, për shkak se kjo krijon rreziqe të mëdha.
2- Krijimi i një komisioni të veçantë për ADN-në në çdo shtet, në të cilin të marrin pjesë specialistë ligjorë, mjekë dhe zyrtarë, që kanë për detyrë kontrollin e ADN-së dhe zyrtarizimin e rezultateve të saj.
3- Vendosja e një mekanizmi strikt, për të ndaluar mashtrimin dhe vjedhjen, ndotjen dhe çdo përpjekje njerëzore, që synon të fusë hundët në laboratorët e ADN-së. E gjitha kjo që rezultatet të përkojnë me realitetin, të përmbushin konfirmimin e saktë-sisë së laboratorëve, numri i gjeneve të përdorura për kontroll të jetë i mjaftueshëm, aq sa për të larguar dyshimet, në bazë të asaj që vendosin specialistët.
http://www.themwl.org/Fatwa/default.aspx?dw1&cidiw151&lwAR&cidw12