بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje:: A mund të agjëroj ditën e Ashurasë, sepse ka disa që thonë nuk duhet të agjërohet ditë shtune?
Përgjigje: Agjërimi i ditës së Ashurasë është traditë profetike dhe një nga agjërimet më të pëlqyera, për të cilën Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Kjo është një ditë e madhe në të cilën Allahu shpëtoi Musain dhe popullin e tij duke e mbytyr Faraonin bashkë me ushtrinë e tij. Për këtë aryse Musai e agjeronte këtë ditë si shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi ndaj Allahut, andaj dhe ne e agjerojmë këtë ditë.” Transmetuan Buhariu nr 3397 dhe Muslimi nr1130. Në një transmetim tjetër Profeti a.s mësohet të ketë thënë pasi degjoi këtë gjë nga hebrenjtë e Medinës: “Ne jemi me afer Musait se ju.” Pastaj urdhëroi që të agjërohet ajo ditë.
Ndërsa për sa i përket agjërimit në ditën e shtunë, e kemi sqaruar në një fetva të mëparshme lejimin e agjërimit në ditën e shtunë kur përkon me ditën e Arafatit. Kemi shpjeguar keqkuptimin që kanë disa muslimanë te hadithi ku ndalohet agjërimi vullnetar në ditën e shtunë dhe kemi përmendur thëniet e dijetarëve dhe juristëve islamë për këtë cështje. I njëjti gjykim është dhe agjërimi në ditën e shtunë kur përkon me ditën e Ashurasë, madje dita e ashurasë është e pëlqyeshme që të shoqërohet me një ditë para ose pas, por më e preferueshme është një ditë përpara, siç përcillet në hadithin që e transmeton Muslimi nr 1134 ku thotë: “Nëse do jem gjallë në vitin e ardhshëm do të agjëroj ditën e nëntë (bashkë me ditën e dhjetë të ashurasë).
Kjo përkon fare qartë me hadhtin tjetër profetik ku tregohet se një ditë Profeti (alejhissalatu uesselam) hyri te Xhuvejrija ditë premte dhe ajo ishte me agjërim, andaj e pyeti: “A ke agjëruar një ditë përpara?” Ajo u përgjigj: Jo! E pyeti sërish? “A do agjërosh të nesërmen?” Ajo u përgjigj: Jo! Pas kësaj Profeti (alejhissalatu uesselam) tha: “Atëherë prishe agjërimin.” Transmetoi Buhariu nr 1986. Pra nëse do agjëronte një ditën e shtunë mund të agjëronte dhe të premten.
Për më shumë sqarim shiko fetvanë e kaluar sipas linkut të mëposhtëm:
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH