Pyetje: Jam mësuar të agjëroj çdo ditë hëne dhe ditë enjte, por dita e enjte këtë vit qëllon dita e fundit e muajit Shaban dhe të nesërmen është Ramazan. A më lejohet të agjëroj këtë ditë?
Përgjigje: Për ata që nuk e kanë zakon agjërimin dhe agjërojnë rrallë nuk lejohet, që të agjërojnë një ose dy ditë përpara Ramazanit. Për këtë Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Mos i paraprini muajit të Ramazanit me agjërimin e një ose dy ditëve përpara tij përveç se në rastin kur dikush agjëron agjërimin e tij (të zakonshëm).” Transmetoi Muslimi.
Një pjesë e dijetarëve e kanë bërë të ndaluar rreptësisht (haram) agjërimin në këtë formë dhe një pjesë tjetër e konsiderojnë mekruh (vepër të papëlqyer). Ndërkohë për ata njerëz që e kanë zakon të agjërojnë shpesh, në rastin konkret agjërimin e ditës së hënë dhe ditës së enjte dhe kjo përkon me një ose dy ditë përpara Ramazanit është e lejuar siç e tregon vetë hadithi profetik dhe nuk është e ndaluar. Kështu që mund të agjërojë kush të dojë, nëse agjërimin në këtë formë e ka zakon.
Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.