Agjërimi që na mungon: një lexim mbi thelbin dhe funksionin e tij edukativ

Lidhja e Hoxhallarëve
5 minuta lexim

Shpeshherë ndryshimi që vërehet gjatë muajit të Ramazanit është i lidhur ngushtë me atmosferën shpirtërore dhe shoqërore që karakterizon këtë muaj të bekuar. Intensifikimi i adhurimeve, shtimi i kujdesit moral dhe përfshirja kolektive në përjetimin e Ramazanit krijojnë një gjendje të veçantë reflektimi dhe përmirësimi. Megjithatë, me përfundimin e këtij muaji, shpesh zbehet edhe kjo gjendje, çka tregon se nuk kemi pasur të bëjmë me një transformim të thellë dhe të qëndrueshëm shpirtëror e shoqëror, por me një ndikim të përkohshëm.

Për të kuptuar natyrën e vërtetë të ndryshimit që synohet përmes Ramazanit, është e domosdoshme të kuptohet thelbi i agjërimit. Pyetja themelore që shtrohet është: Pse agjërojmë?

Përgjigjja gjendet në Kuran, në suren El-Bekare ku Allahu thotë:

“O ju besimtarë! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç ishte obligim për ata para jush, në mënyrë që të ruheni.” El-Bekare 183.

Në shumë përkthime, shprehja “që të ruheni” përkthehet si “që të bëheni të devotshëm”. Megjithatë, analiza gjuhësore e rrënjës arabe (tettekun) tregon se kuptimi themelor lidhet me nocionin e ruajtjes, mbrojtjes dhe vetëpërmbajtjes. Devotshmëria (takva) nuk është thjesht një ndjenjë e brendshme fetare, por një gjendje e vetëdijes aktive që e shtyn njeriun të ruhet nga ndalesat e vendosura nga Zoti.

Kjo “ruajtje” përfshin disa dimensione thelbësore:

Ruajtjen nga devijimet në fe, duke e orientuar adhurimin sipas udhëzimit hyjnor dhe jo sipas formave të krijuara nga prirjet njerëzore.

Ruajtjen nga zullumi dhe padrejtësia, jo vetëm në formën e veprimit të drejtpërdrejtë, por edhe në formën e pranimit pasiv apo të bashkëjetesës me të keqen pa reagim moral.

Ruajtjen nga ndalesat e shpallura, të përmendura në tekstet kuranore dhe në traditën profetike.

Ruajtjen nga sëmundjet e brendshme të shpirtit, si smira, zilia, lakmia e tepruar, mendjemadhësia, arroganca, urrejtja, armiqësia, etj.

Pra devotshmëria (takva) që prodhon agjërimi nuk është vetëm mburojë personale, por edhe garanci për një shoqëri më të drejtë, sepse individi që ruhet nga Zoti ruhet edhe nga cenimi i të drejtave të tjetrit, nëpërmjet fjalëve ose veprave. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë:

“Kush nuk e lë fjalën e rreme dhe veprimin sipas saj, Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ushqimin dhe pijen.” (Transmetoi Buhariu nr 1903)

Në këtë kuptim, agjërimi nuk reduktohet në përmbajtjen fizike nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet bashkëshortore gjatë ditës, por përfaqëson një program të plotë edukimi shpirtëror dhe moral. Përmbajtja fizike është mjeti, ndërsa vetëpërmbajtja etike dhe disiplinimi i brendshëm janë qëllimi.

Nëse agjërimi nuk prodhon këtë efekt transformues, ai rrezikon të mbetet një praktikë formale. Kjo ide përforcohet edhe nga hadithi i njohur ku Profeti (alejhissalatu uesselam) paralajmëron:

“Ndoshta një agjërues nuk përfiton nga agjërimi i tij veçse urinë.” (Transmetuan Nesaiu në Sunenin e madh nr 3236 dhe Ibn Maxheh nr 1690)

Ky tekst nënvizon dallimin midis agjërimit formal dhe atij thelbësor. Agjërimi formal përmbush kushtet e jashtme, por mund të mbetet i zbrazët nga përmbajtja morale dhe shpirtërore. Agjërimi i vërtetë, përkundrazi, synon edukimin e shpirtit dhe disiplinimin e vetes.

Në këtë pikëpamje, besimtari nuk agjëron vetëm me trupin, por me të gjithë qenien e tij: me zemrën, duke pastruar ndjenjat nga urrejtja dhe smira; me mendjen, duke kontrolluar mendimet dhe qëllimet; me shikimin dhe dëgjimin, duke shmangur të ndaluarën; me gjuhën, duke ruajtur fjalën; dhe me veprat, duke reflektuar drejtësi dhe mirësi.

Vetëm nëse agjërimi realizon këtë dimension gjithëpërfshirës, ai përmbush synimin e tij edukativ dhe prodhon devotshmëri të qëndrueshme. Përndryshe, ndryshimi mbetet sezonal dhe i varur nga atmosfera e Ramazanit, ndërsa thelbi i agjërimit mbetet i parealizuar.

Nëse Ramazani është shkolla e vetëpërmbajtjes, atëherë pjesa tjetër e vitit është provimi i saj.

Kështu, agjërimi që “na mungon” nuk është ai i stomakut, por ai i zemrës, shpirtit, mendjes dhe sjelljes — agjërimi që shndërron individin dhe, përmes tij, edhe shoqërinë.

Hoxhë Mustafa Terniqi.