Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 14 minuta lexim

Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam (IIFA) është një organizëm shkencor ndërkombëtar, i dalë nga Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI).

Akademia u krijua me rezolutë të Samitit të Tretë Islam të Organizatës (N. 8/3-T/S-I) më 19–22 Rabī’al-Euel 1401H, që korrespondon me 25–28 janar 1981. Selia e saj ndodhet në Xhedah, në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Akademia ka statusin e personit juridik. Anëtarët e saj janë juristë islamë, dijetarë, studiues dhe intelektualë të shquar myslimanë, të cilët janë të specializuar në jurisprudencë (fikh), kulturë, arsim, shkencë, ekonomi dhe sociologji, nga pjesë të ndryshme të botës muslimane.

Akademia ka marrë përsipër sqarimin e vendimeve dhe dispozitave të Sheriatit për çështjet që shqetësojnë muslimanët në mbarë botën, në pavarësi të plotë dhe duke u bazuar në Kuranin e Shenjtë dhe Sunetin Fisnik të Profetit (alejhi salatu ue selam). Ajo gjithashtu studion problematikat bashkëkohore të jetës, duke performuar përmes një ixhtihadi (përpjekje) autentik dhe efektiv, që synon ofrimin e zgjidhjeve që rrjedhin nga trashëgimia islame dhe e hapur ndaj zhvillimeve të mendimit islam.

Për katër dekada dhe me hirin e të Plotfuqishmit, Akademia ka mbajtur njëzet e katër sesione, që kanë miratuar rezoluta në lidhje me çështje, ngjarje dhe zhvillime të ndryshme bashkëkohore. Deri më sot Akademia ka nxjerrë dyqind e tridhjetë e tetë (238) vendime.

Vizioni

Akademia synon të bëhet referenca kryesore juridike islame, tek e cila vendet e botës muslimane dhe komunitetet myslimane jashtë botës islame, do të konsultohen për sqarimin e dispozitave të Sheriatit, mbi çështjet që shqetësojnë muslimanët si dhe për të ofruar zgjidhje të përshtatshme për problemet bashkëkohore të jetës, që rrjedhin nga Kurani i Shenjtë dhe Suneti Fisnik i Profetit si dhe trashëgimia e pasur islame.

Misioni

Misioni i Akademisë përmblidhet në aspiratat më të rëndësishme për të cilat ajo është krijuar:

Paraqitja e Sheriatit Islam në mënyrë të saktë dhe të moderuar, duke theksuar meritat dhe kapacitetin e tij të plotë për t’u marrë me problemet dhe çështjet e jetës dhe aftësinë e tij për të ndihmuar njerëzimin të arrijë lumturinë, stabilitetin, paqen, sigurinë në këtë jetë dhe përtej saj. Ky mision bazohet në një kuptim gjithëpërfshirës dhe të integruar të fesë islame, themeleve, burimeve, objektivave, parimeve dhe dispozitave të saj.

Vlerat

Me vlera iu referohemi parimeve etike, që rregullojnë dhe drejtojnë aktivitetet e institucionit dhe përcaktojnë marrëdhëniet e tij. Përmbushja e vizionit, misionit dhe objektivave të Akademisë varet nga përkushtimi ndaj këtyre vlerave, të cilat mund të përmblidhen si më poshtë:

• Të qenit mesatar: shmangia e të gjitha formave të ekstremizmit fetar, teprimit dhe shkujdesjes, në ide dhe sjellje, ku përfshihet gjithashtu edhe praktika e të qenit i mesëm, fleksibël, i hapur dhe i ekuilibruar në marrëdhëniet me të tjerët.

• Disiplina: respektimi i plotë i ligjeve dhe rregullave që rregullojnë punën në Akademi dhe përcaktojnë autoritetet dhe përgjegjësitë, duke respektuar termat e referencës dhe hierarkinë administrative.

• Transparenca: përkushtimi ndaj integritetit, ndershmërisë, qartësisë dhe drejtësisë në fjalë, veprime dhe sjellje, dhe shmangia e të gjitha formave të korrupsionit dhe paqartësisë.

• Drejtësia: shmangia e padrejtësisë dhe pabarazisë, vendosja e gjërave në pozicionin e duhur dhe dhënia e të drejtës së secilit, duke shmangur totalisht paragjykimet dhe favorizimet.

• Barazia: përkushtimi ndaj drejtësisë në trajtimin e të tjerëve duke respektuar të drejtat dhe duke i dhënë hakun bartësve të tyre, duke zbutur padrejtësinë dhe duke ndaluar agresionin.

• Produktiviteti: duke punuar shumë për të kryer sa më shumë aktivitete dhe detyra në një kohë sa më të shkurtër që të jetë e mundur, përmes përkushtimit, fokusimit dhe këmbënguljes.

• Kreativiteti dhe Inovacioni: promovimi i punës dhe përmirësimi i performancës duke dalë me ide të reja që arrijnë rezultatet më të mira dhe duke gjetur zgjidhje të shpejta për zhvillimet dhe ndryshimet në mjedisin e punës.

• Bashkëpunimi dhe Integrimi: solidariteti, sinergjia, mbështetja dhe ndihma e ndërsjellë ndërmjet punonjësve, për të arritur rezultatet e dëshiruara duke zbatuar aktivitetet dhe programet.

• Përkryerja: kryerja e detyrave dhe optimizimi i funksioneve brenda kornizës kohore të dhënë, duke respektuar specifikimet dhe standardet e kërkuara, për arritjen e objektivave dhe rezultateve përfundimtare.

• Përmbushja: përkushtim ndaj saktësisë, preciziteti, zgjuarsia dhe shkathtësia në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive, për të përmbushur vizionin, misionin dhe objektivat me lehtësi dhe fleksibilitet.

Objektivat

Përmbushja e harmonisë intelektuale dhe e integrimit të njohurive ndërmjet juristëve islamë, nga shkollat e njohura të jurisprudencës islame, dhe ekspertëve në fushat e shkencave humane, shoqërore, natyrore dhe të aplikuara, për të qartësuar pozicionin e Sheriatit ndaj problematikave bashkëkohore të jetës.

Shprehja e opinionit sheriatik dhe përkthimi i tij në temat që lidhen me realitetin, në mënyrë që të lehtësohet përfitimi prej tij në zhvillimin e legjislacioneve, rregullave dhe sistemeve, për të qenë në përputhje me dispozitat sheriatike islame.

Promovimi i Ixhtihadit Kolektiv për çështjet dhe problematikat bashkëkohore të jetës, përzgjedhja e opinioneve fikhore, të cilat përmbushin interesat e myslimanëve si individë, shoqëri dhe shtete, në harmoni të plotë me argumentet sheriatike dhe objektivat përfundimtare të Sheriatit.

Braktisja e fanatizmit medhhebor, ekstremizmit në fe dhe tekfirit të medhehebeve dhe ithtarëve të tyre, duke përhapur frymën e vetëpërmbajtjes, mesatares, hapjes dhe tolerancës midis ndjekësve të shkollave të ndryshme juridike dhe sekteve islame.

Refuzimi i fetvave që bien ndesh me bazat e fesë, rregullat e vendosura të ixhtihadit dhe shkollat juridike islame të dijetarëve, pa asnjë argument sheriatik të njohur.

Dhënia e fetvave për komunitetet muslimane jashtë botës islame, në mënyrë të atillë që ruan vlerat, kulturën dhe traditat e Islamit, duke synuar gjithashtu mbrojtjen e identitetit të tyre islam, duke respektuar normat e shtetësisë dhe qëndrimit në këto shoqëri jomuslimane.

Promovimi i bashkëpunimit, integrimit dhe përafrimit ndërmjet juristëve të shkollave të ndryshme islame, në lidhje me parimet themelore të fesë, për të përforcuar të përbashkëtat, respektuar dallimet, ruajtur etikën e mosmarrëveshjeve fikhore, duke i dhënë kështu peshën e duhur opinioneve të shkollave të ndryshme juridike në rastet kur Akademia nxjerr fetva dhe rezoluta.

Koordinoni ndërmjet autoriteteve të fetvasë dhe institucioneve të jurisprudencës islame, brenda dhe jashtë botës myslimane, për të shmangur kontradiktat dhe armiqësitë midis opinioneve për të njëjtën çështje, veçanërisht për çështjet e përgjithshme (publike) që mund të shkaktojnë konflikte.

Përpjekja për ripërtëritjen e fikhut (jurisprudencës) islam, duke e zhvilluar atë nga brenda dhe evoluuar përmes rregullave të deduksionit ligjor, parimeve, argumenteve dhe objektivave të Sheriatit.

Dialogu konstruktiv me ithtarët e feve dhe kulturave të tjera, me synim bashkëpunimin për të mirën e shoqërisë njerëzore.

Mjetet

Nxjerrja e fetvave për çështje të përgjithshme që shqetësojnë muslimanët, përkthimi i tyre në gjuhë të ndryshme dhe përhapja e tyre sa më gjerë që të jetë e mundur, për të inkurajuar përqafimin e qasjes islame të mesme, e cila do t’i mbrojë muslimanët nga ekstremizmi, teprimi, neglizhenca dhe pasimi i opinioneve të veçuara.

Organizimi i konferencave dhe simpoziumeve të specializuara shkencore, për të diskutuar çështje specifike ose tema problematike, të cilat kërkojnë hulumtime dhe diskutime juridike në një shkallë më të gjerë, se sa zakonisht sigurohet nga mbledhjet e Këshillit të Akademisë.

Dhënia e opinionit sheriatik rreth dokumenteve që lëshohen nga OBI ose ndonjë organizatë tjetër islame ose joislame, sa herë që kjo i kërkohet Akademisë.

Krijimi i një drejtorie për njohjen e autoriteteve dhe këshillave të fetvasë, si dhe institucioneve dhe akademive të fikhut, brenda dhe jashtë botës islame, me qëllim identifikimin e subjekteve dhe organeve me të cilat Akademia mund të bashkëpunojë dhe të bashkërendojë marrëdhëniet.

Krijimi i qendrave për studime islame në disa zona qendrore jashtë botës islame dhe bashkëpunimi me qendrat ekzistuese për të përmbushur objektivat e Akademisë, për të monitoruar botimet mbi Islamin në rajonet e tyre dhe për të hedhur poshtë dilemat që ngrihen mbi Islamin.

Publikimi i enciklopedive juridike të thjeshtuara (në tre gjuhë) që trajtojnë çështje bashkëkohore në fusha të ndryshme të jetës dhe fokusohen në çështjet e diskutuara në librat e fikhut. Këto botime duhet të formulohen në një gjuhë të thjeshtuar për publikun, që është i përfshirë në kulturë dhe media.

Nxitja e hulumtimeve fikhore serioze mbi sfidat bashkëkohore, zhvillimet e reja dhe çështjet aktuale, përmes departamenteve dhe komisioneve të Akademisë, në bashkëpunim me universitetet dhe institucionet e tjera akademike.

Hartimi i ligjeve model në fusha të ndryshme (në tre gjuhë) që kërkojnë kodifikimin e dispozitave të Sheriatit, duke marrë parasysh dallimet ndërmjet shkollave juridike dhe sigurimin e përkthimit dhe përhapjes së tyre në botën islame, për të qenë referencë e lehtë në procesin e amendimit të legjislacioneve dhe sistemeve ekzistuese.

Rigjallërimi i trashëgimisë së jurisprudencës islame, me theks të veçantë librat që kanë të bëjnë me teorinë e fikhut islam, objektivave përfundimtare të Sheriatit, fikhun dhe fikhun e krahasuar; botimi i veprave të pabotuara në fushat e mësipërme pas shqyrtimit të tyre; dhe përkthimi i përzgjedhur i kësaj trashëgimie në gjuhët e rëndësishme të botës islame dhe ato ndërkombëtare.

Përpunimi i një fjalori gjithëpërfshirës të fikhut islam dhe teorisë së tij (në të tri gjuhë), duke përcaktuar në mënyrë të saktë secilin term dhe formuluar në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme.

Publikimi i të gjitha veprave, rezolutave, fetvave të Akademisë si dhe hulumtimet më të rëndësishme të paraqitura, në revistën shkencore dhe faqen e Akademisë, si dhe publikimi dhe përkthimi i tyre në gjuhët e rëndësishme të botës islame dhe ato ndërkombëtare.

Kërkimi i ndihmës nga ekspertë të specializuar në fusha të ndryshme shkencore dhe aplikative, për të studiuar dhe hulumtuar temat e paraqitura në Akademi.

Departamentet dhe Drejtoritë

Akademia përbëhet nga departamentet dhe drejtori të ndryshme.

Kryetarët e Akademisë

Sheikh Dr. Bekër ibn Abdullah Ebu Zejd (1984-2007).

Sheikh Dr. Salih ibn Abdullah ibn Humejd (2007 e në vazhdim).

Sekretarët e Përgjithshëm

Sheikh Muhamed el-Habib ibn el-Khoxha (1984- 2008).

Prof. Dr. AbduSelam Daud el-Abadi (2008-2009, 2015-2020).

Prof. Dr. Ahmed Khalid Babekr (2011-2015).

Prof. Dr. Kutb Mustafa Sano (2020- e në vazhdim).

Anëtarët përfaqësues

Akademia përbëhet nga dijetarë anëtarë përfaqësues nga të gjitha shtetet anëtare të OBI, me përjashtim të disa shteteve, shumica kanë dërguar përfaqësuesin e tyre, kështu që sipas të dhënave aktuale të faqes zyrtare shtetet që kanë përfaqësuesin e tyre në Akademinë Ndërkombëtare të Fikhut Islam janë:

Afganistani, Algjeria, Arabia Saudite, Bahrejni, Bangladeshi, Benini, Bregu i Fildishtë, Brunei, Burkina Faso, Çadi, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gambia, Iraku, Irani, Ishujt Maldive, Jemeni, Jordania, Kameruni, Katari, Kazakistani, Kenia, Ishujt Komore, Kuvajti, Libia, Malajzia, Mali, Maroku, Mauritania, Nigeri, Nigeria, Omani, Pakistani, Palestina, Senegali, Somalia, Sudani, Taxhikistani, Togo, Tunizia, Turqia, Uganda, Uzbekistani, Xhibuti.

Për më shumë informacion mund të shihni:

Faqja zyrtare e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam është:

https://iifa-aifi.org/

Kanali zyrtar i Akademisë në youtube:

https://www.youtube.com/@Iifa-aifiOrg/featured

Në Facebook

https://www.facebook.com/iifa.aifi