Aksidentet e Automjeteve

Lidhja e Hoxhallarëve
6 minuta lexim

Përplasjet e automjeteve – Aksidentet rrugore

Paraqitja e Çështjes: Nëse ndodh një aksident për shkak të përdorimit të automjeteve, cilat janë dispozitat që rrjedhin prej tij, qoftë në lidhje me personat apo pronën? Kush është përgjegjës për dëmin e shkaktuar? A konsiderohet ky veprim i qëllimshëm apo i paqëllimshëm (gabim)? A mban përgjegjësi shoferi për atë që ka ndodhur, pavarësisht nga qëllimi apo vullneti i tij?

Gjykimi i Çështjes: Akademia e Fikhut Islam e ka marrë në shqyrtim këtë çështje pasi ka konstatuar shtimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e rreziqeve të tyre për jetën dhe pronat e njerëzve. Por nisur edhe nga interesi i përgjithshëm (maslaha), që kërkon vendosjen e rregullave në lidhje me licencimin e automjeteve, mënyrën si përmbushen kushtet e sigurisë, siç janë gjendja teknike e pajisjeve, rregullat e transferimit të pronësisë, lejet e drejtimit dhe masat e duhura paraprake duke dhënë leje drejtimi me kritere të veçanta për moshën, aftësinë, shikimin, njohjen e rregullave të trafikut, respektimin e tyre, caktimin e shpejtësisë së arsyeshme dhe ngarkesës. Akademia vendosi si më poshtë:

Së pari:

A – Respektimi i këtyre rregulloreve, të cilat nuk bien ndesh me dispozitat e Sheriatit Islam, është obligim (uaxhib) sipas Sheriatit, sepse është pjesë e bindjes ndaj prijësit (ulul-amr) në atë që ai rregullon, bazuar në parimin e interesit të përgjithshëm (maslaha mursala). Këto rregullore duhet të përfshijnë dispozitat e Sheriatit që zbatohen në këtë fushë.

B – Ndër kërkesat e interesit të përgjithshëm është edhe vendosja e rregulloreve frenuese në të gjitha format e tyre, duke përfshirë sanksionet financiare, për ata që shkelin udhëzimet e trafikut, me qëllim që të pengohen ata që rrezikojnë sigurinë e njerëzve në rrugë, tregje dhe të shkaktojnë dëme te pronarët e automjeteve dhe mjeteve të tjera të transportit, duke marrë parasysh dispozitat e ndalimit të së keqes të vendosura nga Sheriati.

Së dyti:

Aksidentet që vijnë si pasojë e qarkullimit të automjeteve u nënshtrohen dispozitave për krimet (xhinajet) të përcaktuara në Sheriatin Islam. Edhe pse në shumicën e rasteve ato janë të paqëllimshme (gabim), shoferi është përgjegjës për dëmin që i shkakton të tjerëve, qoftë dëm shëndetësor apo material, nëse plotësohen elementet e tij (gabimi dhe dëmi). Ai nuk përjashtohet nga kjo përgjegjësi, përveçse në rastet e mëposhtme:

A – Nëse aksidenti ka ndodhur si pasojë e një force madhore që ai nuk mund ta parandalonte dhe nga e cila ishte e pamundur të mbrohej. Kjo përfshin çdo çështje të jashtëzakonshme që është jashtë kontrollit të njeriut.

B – Nëse aksidenti është shkaktuar nga veprimi i palës së dëmtuar dhe ky veprim ka qenë faktori kryesor në shkaktimin e pasojës.

C – Nëse aksidenti është shkaktuar nga gabimi i një pale të tretë, atëherë pala e tretë mban përgjegjësinë.

 

Së treti:

Dëmet e shkaktuara nga kafshët shtëpiake të lëna pas dore nëpër rrugë, si rezultat i aksidenteve rrugore, duhet të kompensohen nga pronarët e tyre nëse ata kanë qenë neglizhentë në mbikëqyrjen e tyre. Zgjidhja e çështjes i takon gjykatës.

Së katërti:

Nëse në shkaktimin e dëmit marrin pjesë bashkërisht shoferi dhe i dëmtuari, përgjegjësia për dëmin e shkaktuar ndahet mes tyre, në varësi të dëmit që secili i ka shkaktuar tjetrit, qoftë në vetë personit apo pasurisë.

Së pesti:

A – Parimi bazë është se shkaktari i drejtpërdrejtë është përgjegjës (për kompensim), edhe nëse nuk ka pasur qëllim. Ndërsa shkaktari jo i drejtpërdrejtë nuk mban përgjegjësi, përveç rasteve kur ka vepruar me dashje ose ka qenë neglizhent.

B – Nëse shkaktari i drejtpërdrejtë vepron bashkë me atë jo të drejtpërdrejtë, përgjegjësia i takon shkaktarit të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur shkaktari jo i drejtpërdrejtë ka vepruar me dashje dhe ai i drejtpërdrejti jo.

C – Nëse bashkohen dy shkaqe të ndryshme, ku secili prej tyre ka ndikuar në shkaktimin e dëmit, atëherë secili prej dy shkaktarëve mban përgjegjësi sipas masës së ndikimit të tij në dëm. Nëse masa e ndikimit të secilit prej tyre është e barabartë ose nuk dihet, atëherë përgjegjësia ndahet mes tyre në mënyrë të barabartë.

 

Burimi: el-Meusuatu el-Mujesere fil fikh el-Kada uel Alakat ed-Deulije 9/255.