Të nderuar besimtarë!
Feja jonë, Islami, nuk është vetëm një grumbull ritesh, por është një sistem i plotë që synon pastrimin e shpirtit dhe fisnikërimin e sjelljes. Sot në këtë hytbe do të ndalemi te katër thënie pejgamberike, të cilat dijetarët i konsiderojnë si bazat e moralit islam. Nëse i vëmë në jetë këto parime, sigurisht që ne kemi rregulluar marrëdhënien tonë me Allahun dhe me krijesat e Tij.
E para: Kontrolli i Gjuhës:
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit, le të flasë mirë ose le të heshtë.” (Buhariu)
Besimi i vërtetë manifestohet te gjuha. Gjuha mund të jetë çelësi i Xhenetit, por mund të jetë edhe portë e xhehenemit. Besimtari i vërtetë, e peshon fjalën para se ta nxjerrë atë. Nëse fjala është këshillë, ngushëllim apo përmendje e Allahut, ai flet. Por nëse është thashetheme, fyerje apo gënjeshtër, ai zgjedh heshtjen si adhurim dhe bindje ndaj Allahut. Pa kontrollin e gjuhës, besimi mbetet i mangët. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet ku na kujton se asnjë fjalë nuk mbetet pa u regjistruar:
“Për çdo fjalë që ai (njeriu) nxjerr, ka pranë tij një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar).” (Kaf, 18)
Pejgamberi ﷺ duke iu drejtuar Muadhit me një porosi ndër të tjera i tha: “A të të tregoj për atë që i rregullon të gjitha çështjet?” Thashë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Atëherë ai kapi gjuhën e tij dhe tha: “Ruaje këtë!” Unë thashë: “O i Dërguari i Allahut, a do të japim llogari për atë që flasim?” Ai tha: “Të faltë nëna, o Muadh! Po a i hedh njerëzit në zjarr me fytyrat e tyre (apo tha: me hundët e tyre), përveçse ajo që korrin e gjuhët e tyre?”Tirmidhiu
Ndërsa në një hadith tjetër u ka thënë shokëve të tij: “A nuk e dini se Allahu nuk dënon për lotin e syrit e as për pikëllimin e zemrës, por dënon ose mëshiron për këtë, – dhe bëri me shenjë nga gjuha e tij.” Buhariu dhe Muslimi
E dyta: Pastërtia e zemrës:
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk beson asnjëri prej jush (plotësisht), derisa të dëshirojë për vëllain e tij atë që dëshiron për vete.” Buhariu
Ky hadith është ilaçi kundër sëmundjeve të zemrës: xhelozisë dhe egoizmit. Islami na mëson se suksesi i tjetrit nuk është humbja jote. Pastërtia e zemrës arrihet kur ne gëzohemi për mirësinë që i vjen tjetrit po aq sa do të gëzoheshim për veten tonë. Shpirti i besimtarit është i gjerë, i çiltër dhe i pastër. Në të nuk ka vend për smirë dhe dashakeqësi. Pejgamberi Muhamed ﷺ në një nga hytbet e tij ndër të tjera tha: Banorët e Xhenetit ndahen në tri lloje:
- Udhëheqësi i drejtë, lëmoshëdhënësi i suksesshëm,
- Një njeri i mëshirshëm, me zemër të butë për çdo të afërm e çdo musliman, dhe
- Ai që është i përmbajtur nga fitimi haram, përpiqet në vazhdimësi për ndershmëri, edhe pse ka familje (që kërkojnë përkujdesje financiare). Muslimi
E treta: Lënia e gjërave të kota:
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Prej Islamit të mirë të një personi është lënia e asaj që nuk i takon (nuk i hyn në punë).” (Tirmidhiu)
Një nga shenjat se Allahu është i kënaqur me një rob është kur e bën atë të merret me punë të dobishme. Besimtari i vërtetë nuk e harxhon kohën duke u marrë me jetën private të të tjerëve apo me debate që nuk i sjellin dobi as në këtë botë, as në botën tjetër. Lënia e gjërave të kota është shenjë e pjekurisë shpirtërore. Besimi dhe kontrolli i gjuhës ecin krah për krah për të përmirësuar gjendjen e besimtarit:
“O ju që keni besuar! Frikësohuni Allahut dhe thoni vetëm fjalë të drejta. Ai do t’jua bëjë të mira veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet tuaja…” (Ahzab, 70-71)
II
E katërta: Vetëpërmbajtja (Kontrolli i vetvetes):
Kur një burrë i kërkoi këshillë, Pejgamberi ﷺ i tha: “Mos u zemëro!” këtë e përsëriti disa herë.” (Buhariu)
Zemërimi është një flakë që djeg moralin dhe arsyen. Shumë pendime dhe keqardhje në jetë vijnë nga një moment zemërimi i pakontrolluar. Muhamedi ﷺ na mëson se i forti nuk është ai që rrëzon tjetrin në tokë, por ai që mposht veten dhe emocionet e tij në çastet e vështira.
Allahu na udhëzon që në bisedat tona të zgjedhim fjalët më të bukura për të shmangur nxitjet e djallit:
“Thuaju robërve të Mi që të thonë atë që është më e mira, sepse shejtani mbjell përçarje mes tyre.” (Isra, 53)
Vëllezër dhe ju o Motra!
Këto katër hadithe janë programi i jetës sonë.
Le të pyesim veten çdo ditë:
A fola mirë?
A ia dëshirova të mirën vëllait tim?
A e ruajta kohën nga kotësitë?
Dhe a e mposhta zemërimin tim?
O Allah, ashtu siç na e ke zbukuruar pamjen e jashtme, na zbukuro edhe moralet tona. O Zot, na udhëzo drejt sjelljeve më të mira, sepse askush tjetër përveç Teje nuk udhëzon drejt tyre, dhe largoji prej nesh sjelljet e këqija, sepse askush tjetër nuk i largon ato përveç Teje.
O Allah, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga sherri i dëgjimit tonë, nga sherri i shikimit tonë, nga sherri i gjuhës sonë dhe nga sherri i zemrës sonë. O Zot, bëje heshtjen tonë meditim dhe fjalën tonë përmendje të Madhërisë Tënde.
“O Allah, na jep atë frikë ndaj Teje sa të na shërbejë si pengesë ndaj gjynaheve, dhe na jep atë bindje (iman) sa të na i bësh të lehta sprovat e kësaj bote. Na bëj prej atyre që e përmbajnë zemërimin dhe që ua falin njerëzve.”
“I Madhëruar qofsh Ti, o Allah, dhe Ty të takon Falënderimi. Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Teje. Të kërkojmë falje dhe te Ti pendohemi.
Ulvi Fejzullahu
