Ata nuk e meritojnë dashurinë e Allahut

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

Hoxhë. Dr. Justinian Topulli


 

Allahu thotë në Kuran:

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ‌مَن ‌يَرتَدَّ مِنكُم عَن دِينِهِ فَسَوفَ يَأتِي ٱللَّهُ بِقَومٖ يُحِبُّهُم وَيُحِبُّونَهُۥ أَذِلَّةٍ عَلَى ٱلمُؤمِنِينَ أَعِزَّةٍ عَلَى ٱلكَٰفِرِينَ يُجَٰهِدُونَ فِي سَبِيلِ ٱللَّهِ وَلَا يَخَافُونَ لَومَةَ لَآئِمٖ ذَٰلِكَ فَضلُ ٱللَّهِ يُؤتِيهِ مَن يَشَآءُ وَٱللَّهُ وَٰسِعٌ عَلِيمٌ

“O ju që keni besuar! Kush e braktis prej jush fenë e tij, (le ta dijë se) Allahu do të sjellë njerëz të tjerë, që Ai i do ata dhe ata e duan Atë; ata do të jenë të përulur ndaj besimtarëve, por krenarë ndaj mohuesve. Ata do të luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk do t’i frikësohen kanosjes së asnjë kërcënuesi. Kjo është dhurata e Allahut, që ia jep atij që Ai do. Allahu është Dhurues i madh e i Gjithëdijshëm.” (el-Maide: 54)

***

Islami, në radhë të parë, për muslimanët, është dhuratë e veçantë e Zotit për secilin prej tyre, para se të jetë përzgjedhje individuale apo trashëgimi e gjithsecilit prej tyre. Dhe kjo dhuratë e veçantë nuk i jepet kujtdo, edhe pse ajo është e hapur potencialisht për të gjithë njerëzit.

Tipari, nga i cili karakterizohet kjo dhurëti, është dashuria e veçantë që Krijuesi ka për këta njerëz, dhe kësaj dashurie, ata i përgjigjen me dashurinë e tyre për Të, aq sa për hir të dashurisë së Tij, ata janë të përulur dhe dashamirës me besimtarët, por krenarë dhe të panënshtruar përballë atyre që nuk e duan Allahun dhe Ai nuk i do ata. Dhe dashuria që kanë për Allahun, i bën ata të gatshëm të luftojnë për Të dhe kauzën e Tij, dhe të mos i frikësohen asnjë kundërshtari.

Kështu që kushdo prej atyre që i thotë vetes musliman, e braktis këtë fe, nga frika apo interesi i kësaj bote, i lidhur me ata që ai i sheh si më të fortë dhe më të pasur, apo për shkaqe të tjera, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për asnjërin prej tyre. Në fund të fundit, ai me aktin e tij të dezertimit tregon qartë se nuk e meritonte të ishte prej atyre që i do Allahu. E Allahu i di më mirë se kush janë ata që e meritojnë dashurinë e Tij.

Në këtë mënyrë, Krijuesi i zëvendëson brezat e njerëzve dhe popujt, duke nxjerrë nga skena e dashurisë së Tij, ata që nuk i do, dhe duke sjellë në skenën e betejave të jetës të tjerë, për të përmbushur kështu paracaktimin dhe urtësinë e Tij të krijimit.

Ajeti më sipër nënkupton gjithashtu se ata muslimanë, që nuk janë të gatshëm të luftojnë për kauzën e Zotit, dhe të përballen me armiqtë e Tij, nuk e meritojnë plotësisht dashurinë e Tij, sepse edhe dashurinë e tyre për Allahun e kanë të mangët apo të devijuar.