Ata që nuk rrëzohen edhe kur tronditen

Lidhja e Hoxhallarëve
5 minuta lexim

H. Ulvi Fejzullahu

Falënderimi i takon Allahut, i Cili i forcon zemrat e atyre që qëndrojnë në tëd rejtën e Tij. Dëshmoj se s’ka të adhuruar me meritë veç Tij, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

O besimtarë!
Nuk është i fortë ai që nuk tronditet kurrë, por ai që edhe kur tronditet nuk
rrëzohet.
Ai që përkulet nga sprovat, por nuk thyhet. Ai që dridhet, por nuk dorëzohet. Ata janë si pema: era i lëkund, por rrënjët i mbajnë.
Ata janë si zemra që qan në heshtje, por nuk e humb dritën e shpresës. E tillë është forca e atyre që e mbështesin jetën e tyre mbi besimin.
— Durimi në sprova është shenjë force, jo dobësie, Allahu nuk premtoi jetë pa sprova, por premtoi rrugëdalje për ata që i frikësohen Atij.

Shembujt i kemi nga më të mirët:
▪ Nuhi alejhi-selam qëndroi 950 vite duke thirrur pa u lodhur.

▪ Musai alejhi-selam u përball me Faraonin dhe vështirësitë më të mëdha.

▪ Muhamedi – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – humbi familjarët më të dashur, u përndoq, u përbuz, por asnjëherë nuk u dorëzua.

Ata nuk u mbështetën në rehatinë e jetës, por në lidhjen e tyre me Allahun.
Hadithi që ringjall shpresën: Pejgamberi – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Dije se fitorja vjen me durimin, çlirimi me vështirësinë dhe me
vështirësinë vjen lehtësimi.” (Tirmidhiu – saktësuar nga Albani)

Ky është parimi i jetës së besimtarit. Mos e kërko lehtësimin jashtë dhimbjes – ai vjen me të, në zemrën e atij që duron dhe nuk rrëzohet.

Mesazhi për çdo zemër që është tronditur:
Shumë nisen mirë, por rrëzohen në gjysmë të rrugës sepse nuk e ushqejnë durimin. Vetëm të rrallët qëndrojnë edhe kur plagosen, sepse forca e tyre nuk është në trup, por në zemër.

🔹 Kapu pas besimit/imanit edhe në ditët më të vështira.
Qëndro në rrugën tënde edhe kur çdo gjë tjetër lëkundet.

🔹 Dhe lute Allahun të mos të bëjë prej atyre që rrëzohen.
Të qëndrueshmit nuk janë ata që nuk ndiejnë dhimbje, por ata që nuk e lejojnë dhimbjen të shuajë besimin e tyre.

Të nderuar!
Durimi është pjekuria e shpirtit.
Durimi të pjek, ai të formon, pra nuk është vonesë por përgatitje.

Durimtarët nuk janë vetëm ata që durojnë, por ata që përgatiten për t’u gëzuar, sepse e kanë kuptuar që në vonesë ka kuptim, në pritje ka urtësi, dhe në sprovë ka edukim.

Muhamedi – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të- ka thënë: “Nuk e godet besimtarin as lodhje, as sëmundje, as brengë, as trishtim – madje as një gjemb që e shpon – veçse Allahu ia fshin me to mëkatet.” (Transmeton Buhariu)
A e ke parë si dhimbja shndërrohet në mëshirë? Si durimi bëhet një depo ku grumbullohen të gjitha kuptimet e pastrimit të shpirtit që kur të zbresë përgjigjja, të zbresë mbi një zemër të pastër dhe një shpirt që e meriton. Mirësia që vjen pas një durimi të gjatë, nuk është si të tjerët. Ai të mëson mirënjohjen, mbjell përulësi, dhe të formon në një rob që nuk e harron kurrë rrugën që e solli.

Mos mendo se durimi është vonesë ai është mësim. Mos mendo se është ngadalësi ai është forcim. Mos mendo se është dhimbje pa qëllim ai është vijë e drejtë drejt stacioneve që nuk hapen veçse për durimtarët.
Prandaj, duro, jo sepse nuk ka zgjidhje, por sepse kur Allahu e do një rob… Ai e
edukon në pritje.

Dua përmbyllëse:
O Zot! Na bëj prej atyre që qëndrojnë kur të tjerët lëkunden, Prej atyre që besojnë kur çdo gjë duket e errët, Prej atyre që mbështeten tek Ti dhe kurrë nuk dorëzohen. Na forco në kohë sprovash dhe mos na lër vetëm asnjë çast!