Banimi i përhershëm në një vend jomusliman

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

 

Banimi i përhershëm në një vend jomusliman 

Pyetje: Çfarë gjykimi ka qëndrimi i përhershëm në vendet jomuslimane?

 

Përgjigje: Norma bazë e fesë islame për aktivitetin jetësor të njeriut është lejimi dhe liria, me përjashtim të rasteve kur Islami e kufizon atë. Brenda kuadrit të kësaj veprimtarie është edhe lëvizja e tij si dhe vendosja në çdo hapësirë dhe vend që ai dëshiron të jetojë. Allahu në Kuranin fisnik thotë: “Ecni mbi të (tokë) dhe hani nga furnizimi i saj.” në këtë kontekst njeriu zgjedh vendin dhe shtetin që dëshiron të jetojë, ai së bashku me familjen e tij.

Vendet e perëndimit, të cilat nuk praktikojnë zyrtarisht asnjë fe hyjnore, janë destinacion i shumë njerëzve sot, mes tyre dhe i muslimanëve, të cilët i synojnë ato për një jetë më të mirë. Juristët islame nuk janë të një mendimi në lidhje me qëndrimin në vendet jomuslimane dhe një pjesë e tyre mendon se ajeti kuranor i mësipërm nuk ka të bëjë me çështjen në fjalë. Ata janë të ndarë në dy mendime, njeri prej tyre e ndalon atë, duke u argumentuar me hadithin e Profetit (alejhi salatu ue selam) i cili thotë: “Ata të cilët vendosen për të banuar pranë idhujtarëve janë larg rrugës time. (Ebu Daudi & Tirmidhiu) Duke u bazuar në këtë hadith ata e ndalojnë kategorikisht qëndrimin në vendet joislame. Pra bëhet fjalë për ata të cilët kanë lindur në vendet islame dhe shpërngulen për të banuar në vendet të tjera joislame, si dhe për ata që kanë lindur dhe jetojnë në vendet joislame, edhe nëse në to jetojnë muslimanë, shumë ose pak, por që nuk mund të praktikojnë islamin normalisht. Megjithatë ky grup dijetarësh e lejojnë qëndrimin e përkohshëm në këto vende për raste nevoje siç është shkollimi, mjekimi, tregtia etj. me kushtin që muslimani për aq kohë sa qëndron në këto vende të ruaj fenë dhe identitetin e tij islam.

Ndërsa pjesa tjetër e lejon qëndrimin me disa kushte, të cilat janë:

1-Të jetoj në mesin e një bashkësie myslimane, ku urdhërohet për mirë dhe ndalohet nga e keqja,

2-Të qëndrojë në një vend i cili nuk e pengon nga obligimet individuale dhe kolektive fetare, siç është namazi, agjërimi, zekati, namazi i xhumasë etj.

3-Të ketë aftësinë, vendosmërinë dhe mundësinë për të ruajtur identitetin  besimin e tij islam, dhe të familjes së tij.

Në epokën tonë, sot për sot, liria është e besimit dhe e ushtrimit të fesë garantohet me ligj në shumë prej vendeve të botës, ndaj dhe jeta e një muslimani në një vend që i garanton këto të drejta është më e lehtë. Megjithatë këshillohet që muslimani që vendos të jetojë në një vend jomusliman duhet të ketë parasysh se nëse ndjen apo frikësohet se ai vetë dhe familja e tij nuk janë në gjendje t’i përmbahen fesë, sidomos nëse ndjen se me kalimin e kohës fëmijët e tij do të asimilohen e do marrin po të njëjtën kulturë e zakone fetare të shoqërisë ku janë vendosur, atëherë ai duhet të kthehet në vendin e tij, ose aty ku ai mund t’ia mundësoi vetes dhe familjes një jetë më fetare.

Allahu e di më së miri.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH