Bektashizmi, disa qasje historike dhe doktrinare rreth tij (I)

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 24 minuta lexim

Hoxhë. Bledar Haxhiu

 

بسم الله الرحمن الرحيم

Si lindi Bektashizmi dhe ku shtrihet ai?

Bektashizmi i ka fillesat e tij me daljen në skenë të Haxhi Bektash Veliut (1248 – 1271), i cili ishte një Turkmen nga Nisaburi (tashmë pjesë e Iranit), i cili në shekullin e 13 zbriti dhe u zhvendos në Anadoll në vendin që sot mban emrin e tij Haxhibektash, si shkak i ofensivave Mongole në atë zonë.

Haxhi Bektashi thuhet se bazat e para të dijes dhe sufizmit i mori nga një dervish Turkmen i quajtur Llokman Perende, i cili kishte marrë dorë nga hoxha i njohur Turkmen Ahmed Jesevi që ishte themeluesi i sektit sufi Jesevizmit, një ndër sektet më të përhapure mes turkmenëve të asaj kohe, që kishte gjetur shtrirje dhe në tokat e Anadollit.

Rreth figurës së Haxhi Bektash Veliut ka shumë legjenda dhe gojëdhëna që janë ofruar në kontekstin e zbulimit të vlerës së tij, shumë prej këtyre legjendave i gjen në librin që flet për jetëshkrimin e tij “Vilajetname, ose Shenjti mbi Gur”, aty ka dhe detaje që nuk janë të mbështetura mbi fakte historike, pasi janë të tejmbushura me fantazi dhe gjëra të pa pranuara logjikisht.

Haxhi Bektashi pasi u vendos në Anadoll, mblodhi rreth vetes një numër të konsiderueshëm sufistësh të ardhur nga viset turkmene, ai me ta themeloi urdhrin Bektashi, duke u bëri si drejtues i tyre (Piri i parë) shpirtëror, nga ku më pas filluan të shtoheshin radhët dhe të dërgoheshin dervishë në vise të ndryshme.

Në shumë libra historik përmendet lidhja e ngushtë midis Bektashinjve dhe ushtrisë jeniçerë, ku sipas Vilajetnames, fillimi i kësaj sipas bektashinjve ishte kur Osman Gazit iu dha kurora Elif (mënga e pelerinës) nga vetë Haxhi Bektashi në vitin 1288 pas Krishtit. Megjithatë, duke pasur parasysh se Haxhi Bektashi vdiq në vitin 1271 pas Krishtit, gjë që tregon se kjo gojëdhënë është shumë e dobët.

Sipas një gojëdhënë tjetër, pasi Orhan Gazi themeloi jeniçerët, ai shkoi në teqenë e Haxhi Veliut dhe mori bekimin e tij për të gjithë ushtarët nga një dervish bektashi i quajtur Abdall Musa, i cili vuri njërën dorë në kokë njërit prej këtyre ushtarëve dhe i tha: “Qofshin jeniçerë”. “Zoti i Madhërishëm ua zbardhë fytyrat, krahët e tyre i bëftë të fortë, shpatat e tyre të mprehta, shigjetat e tyre të fuqishme dhe ata do të jenë gjithmonë fitimtarë”.

Në këtë mënyrë Bektashizmi u zgjerua pasi nga ajo ditë ishte e lidhur ngushtë me pushtetin dhe ushtrinë e re Osmane. Kjo bëri që në gjirin e këtij urdhri të futeshin goxha sekte të tjera që vepronin në Anadoll, sidomos urdhrat që kishin ide ezoterike (batini) ekstreme të cilat më pas u luftuan dhe konsideroheshin si të pa fe, ndër to mund të përmendim Kalenderitë, Hajderitë, Babaitë, Hurufitë, Këzëlbashët etj., të cilat me kalimin e kohës luajtën një rol dhe ndikuan në konfigurimin e Bektashizmit.

Tarikati Bektashi pas Haxhi Bektashit u udhëhoq nga një numër baballarësh, derisa në kohën e sulltan Bajazitit II (1481-1512) zuri fill një prirje reformuese dhe kanunore e tarikatit me caktimin e Ballëm Sulltanit (1473-1516) në krye të urdhrit të bektashinjve. Dikur prijës i një dege të rëndësishme të bektashinjve në Dimetokë të Trakës pranë Edrenesë, ai zuri postin drejtues në selinë qendrore të bektashizmit duke marrë gjithçka nën kontroll të rreptë dhe duke sjellë një unifikim të konsiderueshëm, si pasojë e të cilit nisi të nderohej si shenjtori i dytë themelues i urdhrit.

Por disa anëtarë të tarikatit e refuzuan reformën e Ballëm Sulltanit, ndaj dhe u shfaqën dy grupe ndërluftuese ndjekësish. I pari përbëhej nga çelebij, pra pasardhës të Haxhi Bektash Veliut dhe ndjekësve të reformave të Ballëm Sulltanit. I dyti përbëhej nga baballarët, që e shihnin veten si ndjekësit e vërtetë të mësimit të themeluesit të bektashive; ata luftuan kundër reformave. Kjo gjë e futi tarikatin në konflikte dhe përplasje serioze.

Megjithatë Bektashinjtë ishin një ndër sektet më me ndikim gjatë periudhës osmane që shkon deri në shek. 18 kohë kur raportet e bektashinjve me sulltanët filluan të acaroheshin.

Bektashinjtë zakonisht gjenden në Turqi, Ballkan si Bullgari, Rumani, Bosnje, Maqedoni, si dhe kanë një qendër në Amerikë të cilën e themeloi baba Rexhepi. Kanë pasur edhe në Kajro të Egjiptit një qendër të udhëhequr nga Ahmed Siri baba, e cila edhe kjo është mbyllur. Qendra e bektashizmit sot gjendet në Tiranë, dhe numri i tyre është diku te 5-7,000,000 ndjekës, shumica e të cilëve gjenden në Turqi..

 

Kur erdhi Bektashizmi në Shqipëri dhe cilat ishin faktorët që çuan në shpërnguljen e qendrës së tyre në Tiranë?

Siç theksuam dhe më parë, Bektashizmi kishte një lidhje të ngushtë me jeniçerët, aq sa për çdo togë kishte një udhëheqës të urdhrit bektashi, i cili angazhohej me edukimin fetar të jeniçerëve.

Porse jeniçerët u përballën me një konflikt me sulltanët Osmanë, ku filluan të ndërhynin në vendosjen apo largimin nga posti të disa sulltanëve, gjë e cila shtyu në një përplasje e cila u finalizua në kohën e Sulltan Mahmudit të II, pasi ky i fundit  filloi një sërë reformash ushtarake ku në vitin 1826, do ta shtynin të shkatërronte përfundimisht armatën e pabindur jeniçerë, në një nga masakrat më të mëdha në historinë se Perandorisë Osmane. Së bashku me jeniçerët do te merrte fund edhe urdhri i tyre shpirtëror, bektashizmi të cilin sulltani e shfuqizoi me një dekret të lëshuar prej tij. Teqetë dhe pronat e tyre më pas do t’i kalonin Urdhrit Nakshibendi.

Megjithatë në periudhën e fundit të perandorisë, kur ajo po mbaronte së ekzistuari, bektashinjtë rifilluan sërish aktivitetin e tyre në Turqi, madje në 1908 kryegjyshi i atëhershëm Fejzi Dedei, për shkak të vështirësive financiare që kishte qendra Bektashiane në Turqi, dërgon  Sali Niazi Dedein të mblidhte ndihma financiare në trevat shqiptare. Këtë mision Sali Niazi Dedei e kreu me sukses, ndaj për meritat e tij të punës, hyri në Këshillin e Lartë të klerit Bektashian. Pas 15 viteve, me largimin nga kjo jetë e ish-Kryegjyshit Bektashian, Haxhi Fejzi Dedeit, Këshilli i Lartë Gjyshnor, në vitin 1914, e cakton Sali Niazin në postin e lartë të udhëheqjes të këtij tarikati. Ai e udhëhoqi Kryegjyshatën Bektashiane në Turqi, deri në vitin 1926 dhe kur Ataturku e shpalli Turqinë republikë, ai i shfuqizoi të gjitha tarikatet gjë që detyroi Sali Niazi Dedein të bënte një marrëveshje me mbretin Ahmed Zogu i cili pranoi që qendra bektashiane të vendosej në Shqipëri, dhe në 1930 qendra u vendos në Tiranë.

Duhet theksuar se me ligjin mbi komunitetet fetare të vitit 1929, edhe pse tarikati bektashian u deklarua autonom, ai prapë ishte nën varësinë e Komunitetit Musliman.

Sali Niazi Dedei e udhëhoqi urdhërin bektashian deri në vitin 1941, pasi thuhet se ai është vrarë -aludohet nga Italianët-, pasi nuk mbështeti pushtimin Italian.

Pas tij urdhërin e udhëhoqën Ali Riza Dede (1941-1944) dhe Kamber Ali Dede, (1944-1945), pas tyre do të vinte në krye Abaz Hilmi Dede (1945-1947).

Më 1946 kur komunistët organizuan Kongresin e Katërt të bektashinjve, disa baballarë të lidhur me partinë komuniste, si Baba Faja Martaneshi dhe Baba Fejzo që ishin dhe pjesë të Partisë Komuniste Shqiptare, ushtruan trysni që nga tarikat mysliman të kishte statusin e një komuniteti fetar më vete. Po ashtu ata kërkuan që dervishët të visheshin me rroba civile dhe të bëheshin reforma të tjera. I gjetur në këto rrethana Abaz Hilmi Dedei më 1947 i vrau që të dy këta baballarë në ambientet e kryegjyshatës, dhe më pas vrau dhe veten.

Pas tij, bektashizmin e drejtuan Ahmet Myftar Dede (1947-1980), Haxhi Dede Reshat Bardhi (1991-2011), i cili e rihapi kryegjyshatën menjëherë pas demokratizimit të Shqipërisë, dhe në fund Haxhi Dede Edmond Brahimaj zgjedhja e të cilit u shoqërua me kritika dhe kundërshtime në mesin e vetë bektashinjve.

Është e vërtetë që një pjesë e rilindësve bektashianë dhe baballarëve kanë luajtur rol të rëndësishëm në pavarësinë e Shqipërisë, por duhet të dimë se një gjë e tillë ka pasur si shtysë edhe një lloj hakmarrje ndaj perandorisë Osmane dhe një frikë se nëse do ishin nën ndikimin Osman mund të kishin të njëjtin fat si në Turqi.

Opinionistë të shumtë, përpiqen ta pasqyrojnë bektashizmin si një urdhër tolerant, paqësor dhe pa rregulla strikte, ndërkohë që bektashianët të tillë u bënë si shkak i rrethanave, pasi dihet që pjesa dërmuese e tyre dikur ishin jeniçerë që luftuan për interesat e perandorisë Osmane, madje ende sot e kësaj dite, në jo pak mejdane teqesh (ku bëhen ritualet sekrete), gjenden ende heshtat dhe shtizat simbolike të jeniçerëve!!!

 

Mbi çfarë themelesh dhe praktikash ndërtohet tarikati Bektashi?

Duhet të pohojmë se bektashizmi nuk ka libra bazë të cilat shpalosin dhe shpjegojnë doktrinën e tarikatit të tyre, kështu që si pasojë e faktorëve të ndryshëm, që nga themelimi i tarikatit e deri më sot, tarikati Bektashi ka pësuar goxha ndryshime në mënyrën se si e prezanton besimin dhe praktikat e tij.

a)- Koncepti mbi Zotin. Bektashinjtë besojnë në ekzistencën e Zotit, por besimi i tyre ndaj Zotit është i ndërtuar mbi karakteristika sufiste, të cilat herë-herë, shkojnë edhe në ekstrem.

Ata besojnë në panteizëm (Uihdetul Vuxhud), pra sipas tyre ka vetëm një ekzistencë reale dhe të vërtetë dhe Ai është Allahu, ndërsa krijesat e tjera janë thjesht pasqyrime të kësaj ekzistencën. Allahu sipas tyre e krijoi njeriun për tu njohur dhe ai është krijesa që e personifikon Zotin.

Ndërkohë që kjo bie ndesh me ajetet Kuranore dhe thëniet e Profetit të cilat tregojnë se Allahu është i ndarë nga krijesat, madje kjo doktrinë të çon në përfundime të pështira dhe të ulët që nuk lejohet të cilësohet Allahu me to, pasi e shohin krijesën dhe Zotin një si të pandarë. Atëherë kush është i adhuruari dhe kush adhuruesi?

Madje dhe nga vetë sufitë ka të atillë që e kanë hedhur poshtë këtë doktrinë të gabuar, Sha’rani në librin e tij “Tabakat Sufije” thotë: “Adhuruesit e idhujve nuk guxuan t’i konsideronin zotat e tyre si Zotin vetë, por thanë: “Ne u lutemi atyre (idhujve) vetëm që të na afrojnë tek Allahu” [Zumar: 3], kështu që si mund të mendohet që miqtë e Allahut të pretendojnë bashkimin me të vërtetin (Allahun) – i Plotfuqishmi – kjo është e pamundur”.

b) Po ashtu Bektashinjtë si shumë tarikate të tjera sufish, besojnë në mishërimin e Zotit te disa krijesa, si dhe shkrirjen e disa krijesave te Zoti; kjo doktrinë lidhet me 12 imamët e tyre, sidomos te Aliu Allahu qoftë i kënaqur me të. Kjo doktrinë gjendet dendur në librat bektashianë, Baba Kozeli në një nga nefeset e tij thotë:

Zoti i vërtetë

Kur njeriun krijoi

Në të zuri vend

Në atë vend qëndroi

Atje u mëshirua i tëri

Në zemrën e njeriut

Pas fytyrës që krijoi

Që Rrahmanit i ngjet ([1])

Në fakt ky lloj besimi është më i keq se besimi i të krishterëve të cilët Allahu i demaskoi në Kuran, sepse besojnë se Zoti është mishëruar tek Isai i biri i Merjemes, e më pas se ai është Zot.

c) NURI MUHAMED ALI

Sipas botëkuptimit bektashian e cila gjendet edhe në tarikate të tjera sufish, Allahu ka krijuar një dritë prej dritës së vetë dhe e ka emërtuar si Nuri Muhamedi, dhe pikërisht kjo dritë është shkak i krijimit të gjithësisë.

Këtë përpiqen ta argumentojnë me një thënie të trilluar dhe të gënjeshtërt e cila i atribuohet Profetit Muhamed, sikur Allahu i ka thënë atij: “Nëse nuk do të ishe ti (o Muhamed) nuk do të kisha krijuar gjithësinë”.([2])

Në fakt pretendimi i Bektashinjve dhe i sekteve të tjera që besojnë në Nur el Muhamedi, është i bazuar mbi baza të pavërteta, madje hadithi që ata përmendin është i trilluar. Ne vërtetë besojmë se Profeti Muhamed ka një vend të posaçëm dhe të lartë tek Allahu, porse ai është njeri si gjithë njerëzit, nuk është i krijuar nga drita dhe nuk është shkaku i ekzistencës së gjithësisë.  Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej ajkës së baltës, e pastaj, e bëmë atë pikë (si farë) dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!” [Mu’minun: 12-14]

Gjithashtu Allahu na tregon se i Dërguari, nuk është gjë tjetër veçse një njeri si gjithë të tjerët: Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj…”. [Kehf: 110]

Ndërsa Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Melekët janë të krijuar prej dritës, kurse xhinët janë të krijuar prej flakës së zjarrit, ndërsa Ademi është krijuar prej asaj që ju është përshkruar (në Kuran).” Muslimi nr. 7495

Në këtë hadith, Profeti ﷺ foli për dritën, dhe se kush është krijuar prej saj, por ai nuk përmendi se është krijuar nga drita, siç përmendi engjëjt. Ai gjithashtu foli për Ademin, babain e parë të njerëzimit dhe krijimin e tij, tregoi se ai u krijua nga ajo që Zoti përmendi në Kuran, që do të thotë nga balta, dhe dihet se Muhamedi ﷺ është nga bijtë e Ademit.

Edhe besimi se i Dërguari i Zotit ﷺ, është qëllimi i ekzistencës është në kundërshtim me atë që Allahu thotë në Kuranin Famëlartë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj të më ushqejnë. [Sure El-Dharijat: 56-58] Kjo është dëshmi e qartë se qëllimi i ekzistencës është njohja e Allahut dhe adhurimi i Tij të vetëm, pa ortak. Pra Ai nuk e krijoi atë për hir të profetit tonë Muhamed ﷺ, dhe kjo është arsyeja pse Profeti e përcolli këtë fe, në mënyrë që njerëzit të arrinin qëllimin për të cilin ishin krijuar.

Duhet thënë se bektashinjtë në poezitë e tyre e përmendin dendur dhe shpesh Allahun, Muhamedin dhe Aliun në kuptimin e panteizmit duke i njësuar të tre, aq sa disa studiues e kanë krahasuar me trinitetin e krishterë.

Në këtë pikë bektashinjtë e shohin si dritë të Zotit së bashku me Profetin Muhamedin edhe Aliun. Ata i njësojnë të dy duke i parë si përfaqësimin e dritës hyjnore. Sipas tyre, Muhamedi dhe Aliu edhe pse kanë trupa të ndryshëm ata janë një, pasi janë të krijuar prej së njëjtës dritë.

Baba Qazim Dedei thotë: “Bektashinjtë, bazuar në vargun e Mubahales([3]) dhe thëniet e Pejgamberit, nuk bëjnë dallim midis personalitetit të Muhamedit dhe Aliut, por ata shihen si një person, me një trup të vetëm, një gjak dhe një frymë.([4])

Autori i librit “Urdhri Bektashian” thotë: “Bektashinjtë e lartësojnë Muhamedin dhe e konsiderojnë atë dritën e Zotit, si të tillë e shohin edhe Imam Aliun, ata përfaqësojnë dritën hyjnore, dhe ata besojnë se pavarësisht trupave të ndryshëm të Muhamedit dhe Aliut, ata janë vetëm një shpirt nga një dritë e vetme.”([5]) Kjo ndër ta është e njohur edhe si Teuhid Nurani -Njësimi dritës- (Allahu Muhamed Ali).([6])

Ky demonstrim i këtij triniteti gjendet në masë të gjerë në librat dhe burimet bektashiane, madje e përdorin edhe në lutjet e tyre.

Baba Ali Tomori thotë: “Allah Muhamed Ali”,  quhen  “Yçlere” që do të thotë Triniteti i të shenjtëve” ([7])

Ka shumë poezi bektashiane – nefese – të shkruara nga poetët bektashian rreth kësaj doktrine, ku bejtet e mëposhtme janë një shembull tipik rreth saj:

Nëse për fillin e kësaj bote pyet

Allah Muhamed Aliu

Nëse për bartësin e kësaj rruge pyet

Është Allah, Muhamed Aliu

Unë nuk di gjë tjetër veçse

Allah Muhamed Aliu

Nuk ndihem i ndarë nga

Allah Muhamed Aliu([8])

Në një tjetër poezi bektashiane thuhet:

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

Ajo është dashuri

Muhamedi është profet i Zotit

Ajo është dashuri

Ali prijësi evlija Allah

Ajo është dashuri

Dashuria është drita që pa Xhibraili

Në prani të Allah Muhamed Ali([9])

Dashuria në këtë poezi është e njëjtë në të tre emrat, ajo sipas tyre është drita që pa Xhibraili, dhe padyshim që kjo është një lajthitje dhe devijim i shëmtuar.

Madje hafiz Ali Korça Allahu e mëshiroftë, në historinë e profetëve të cilën e ka sjellë në vargje, pikërisht në historinë e Isait alejhi selam, ka vemdosur dhe një poemë me titull “Trinimi ka hyrë edhe ndër myslimanët”, ku përpiqet të kurojë këtë fenomen negativ që është në kundërshtim me fenë. Hafizi këtë poemë e fillon kështu:

Dyk([10]) e qeshur thotë miku

“Tritimi([11]) dhe ju ju fiku”

Më vjen Islamët të tërë

Idolatër([12]) janë bërë

Allah, Muhamed- Alinë

i njohin si Perëndinë

_____________

([1]) Kopshti i shpirtit, (fq: 79); Vepra Letrare, Fletore e Bektashinjet, (fq: 204); Misticizma Islame dhe Bektashizma, (fq: 429).

([2]) Këtë e ka përmendur Sagani në librin e tij “Hadithet e Trilluara”, fq. 52.

([3]) Ka për qëllim ajetin 61 të sures Al Imran: “Atyre që të kundërshtojnë ty për çështjen e Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë, pastaj, të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët!” Mubahala është një ritual mallkimi i cili kryhet për të shfaqur të vërtetën.

([4]) Tarikati.

([5]) Tarikati Bektashian, (f, 85).

([6]) Shiko: Meusuatu Firrak uel Medhahib, (f, 211).

([7]) Historia e Bektashinjvet, (f, 45).

([8]) Shiko: Bektasilik ve Bektasi Siiri, Abdurrahman Guzel, (f: 55), Hacettepe University, Edebiyat Fakeltesi Armagan, Ankara-1983.

([9]) Urdheri Bektashi i Dervisheve, Johen Kingsley Birge, (f, 163), Urtesia Bektashjane-Tiranë.

([10]) Duke.

([11]) Triniteti.

([12]) Idhujtarë.

 

vazhdon

Etiketat