Bereqeti i Ramazanit një sofër bujare

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 3 minuta lexim

Bereqeti i Ramazanit një sofër bujare

Bereqeti i Ramazanit u kthye në një tribunë të begatisë hyjnore në këtë muaj të shenjtë ku ditët e fundit po i përjetojmë me një emocion të madh e të papërshkrueshëm në pritje të Ramazanit. Agjërimi dhe dobitë e tij ishin në qendër të vëmendjes të hoxhallarëve dhe ligjëratave që mbajtën ata në këtë tubim ku pjesëmarrës ishin edhe shumë hoxhallarë e xhemat. Të gjithë të pranishmit i mirëpritën me emocion ligjëratat e hoxhallarëve Justinian Topulli dhe Mustafa Tërniqi, si dhe të doktorit Alfred Aga. Bereqeti i Ramazanit u hap me këndimin shumë të bukur nga hafizi i ri Ahmed Mezruh, që këndoi me një zë të bukur vargje kuranore, të cilët prekën zemrat e të pranishmëve. Më pas e mori fjalën kryetari i LHSH-së hoxhë Sokol Kondakçiu, që i përshëndeti pjesëmarrësit dhe me fjalën e tij ju uroi mirëseardhjen dhe foli se sa i vyer është për ne të gjithë ky muaj madhështor. Hoxhë Justinian Topulli foli për urtësitë dhe dobitë shpirtërore të agjërimit gjatë Ramazanit, duke përdorur hadithe të shumta e ajetin kuranor nga surja Bekare “ O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”

Doktor A. Aga gjatë ligjëratës së tij theksoi faktin, se agjërimi me periudha të shkurtëra është bërë pjesë e procedurave klinike në të gjithë Evropën dhe e konkretizoi me disa shembuj. Hoxhë Mustafa Tërniqi në ligjëratën që mbajti foli për shumësinë e sevapeve që përfiton besimtari musliman në këtë muaj. Ai i përkujtoi të pranishmit se mirësia e sevapeve është e madhe përpara Ramazanit, por është edhe më e madhe pasi e fillojmë të gjithë agjërimin në Ramazan. Moderatori i këtij tubimi Qani Sulku e drejtoi me mjeshtëri këtë tubim dhe në mbyllje të tubimit ia dha mundësinë edhe një herë hafizit të vogël Ahmed Mezruh, që me shumë dëshirë me zërin e tij fëminor këndoi vargjet kuranore përmbyllëse të tubimit.