35 tituj të rinj i janë shtuar fondit të bibliotekës së LHSH dhuruar nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe të Pasojavë të Komunizmit, ku dallon në serinë e librave të botuara nga ky Institut kolana “Zërat e Kujtesës” në 6 vëllime. Pas një bisede me drejtorin e këtij Instituti dr. Çelo Hoxha me një përfaqësi nga Lidhja e Hoxhallarëve me hoxhë Sokol Kondakçiun, kryetar, hoxhë Justinian Topullin –kryeredaktor i revistës Kibla dhe hoxhë Eduart Jaho, u shkëmbyen mendime rreth punës së Institutit dhe botimeve të tij të fundit. Bashkëbiseduesit vërejtën që është bërë një punë e madhe me botimet e veçanërisht me kolanën Zërat e Kujtesës, ku janë të regjistruara kujtime nga ish të përndjekurit politikë dhe vuajtjet e tyre nëpër burgje e internime. Një autore e veçantë është edhe znj. Fatbardha Saraçi –Mulleti, e cila nëpërmjet librit të saj “Kalvari grave në burgjet e komunizmit” ka dokumentuar me imtësi vuajtjet dhe persekutimet, që pësuan gratë nëpër burgjet e regjimit të egër komunist. Dr. Çelo Hoxha vjen në drejtim të këtij Instituti pasi ka zëvendësuar prof. Dr. Agron Tufa, i cili në gjithë këto vite e ka drejtuar këtë institucion duke pasur botime të shumta mbi persekutimet e regjimit komunist dhe pasi ka denoncuar publikisht aktorët e atij regjimit të egër. Kryetari i LHSH Sokol Kondakçiu e uroi për marrjen e detyrës së re dr. Çelo Hoxha dhe e falënderoi për kontigjentin prej 35 titujsh që u dhurua për Bibliotekën e LHSH, si dhe i kërkoi këtij të fundit për mundësitë e një bashkëpunimi në të ardhmen.