Blerja e aksioneve të shoqërive apo bankave që kanë një pjesë të transaksioneve të tyre të lidhur me kamatën.
Akademia e Fikhut Islam me qendër në Mekë
Lavdia i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin për Profetin tonë Muhamed, pas të cilit nuk ka Profet tjetër, për familjen dhe shokët e tij.
Asambleja e Akademisë së Fikhut Islam në sesionin e saj të katërmbëdhjetë të zhvilluar në Mekë e nderuar në datën 20 Shaban 1415 h./21 Janar 1995 e.s. mori në shqyrtim temën e mësipërme dhe vendosi:
1- Duke qenë se në parim tregtia është e lejuar, atëherë edhe hapja e një shoqërie aksionare me qëllime dhe aktivitete të lejuara, nga ana fetare është e lejuar.
2- Nuk ka asnjë mospajtim në mes dijetarëve se, është e ndaluar të bëhesh pjesë e shoqërive që kanë si qëllim kryesor të tyre diçka të ndaluar, siç është kamata, prodhimi i produkteve të ndaluara apo tregtimi i tyre.
3- Muslimanit nuk i lejohet që të blejë aksione nga shoqëritë apo bankat të cilat një pjesë të transaksioneve të tyre i kanë të lidhur me kamatën, nëse blerësi ka dijeni për diçka të tillë.
4- Nëse një person blen aksione pa e ditur se shoqëria ka marrëdhënie me kamatën dhe informohet më pas për këtë, atëherë ai e ka për detyrë të tërhiqet prej saj.
Ndalimi i pjesëmarrjes në të tilla shoqëri është më se i qartë, nisur kjo nga argumentet e përgjithshme në librin e Allahut dhe në Sunetin Profetit, që ndalojnë kamatën. Blerja e aksioneve nga shoqëritë që veprojnë me kamatë, me dijeni të plotë të blerësit, do të thotë që edhe vetë blerësi është bashkëpjesëmarrës në kamatë, sepse aksioni nuk është gjë tjetër vetëm se një pjesë e shpërndarë e pasurisë në të gjithë kapitalin e shoqërisë, si rrjedhojë, aksionari ka në pronësi të tij një pjesë të shpërndarë të aseteve të shoqërisë, për pasojë, çdo pasuri që shoqëria e merr apo e jep si kredi me fajde, aksionari ka pjesën e tij në këtë drejtim, po ashtu edhe për faktin se ata që marrin përsipër marrjen apo dhënien e kredisë e bëjnë këtë në emër të aksionarit dhe çdo autorizimi që jepet për të bërë një vepër të ndaluar është e ndaluar.
Paqja dhe bekimi qoftë për zotërinë tonë Muhamedin, vulën e profetëve, për familjen dhe mbarë shokët e tij.
Burimi: http://www.themwl.org/Fatwa/default.aspx?d=1&cidi=138&l=AR&cid=10