بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: Çfarë duhet të bëjë gruaja shtatzënë ose ajo që ushqen me gji nëse rëndohet në Ramazan: të mos agjërojë dhe të shpaguajë për ditët që ka lënë, apo të presë pas Ramazanit dhe t’i agjërojë ditët e lëna?
Përgjigje: Për këtë çështje dijetarët ndajnë disa mendime.
Sipas dijetarit të njohur Hasen el-Basriut dhe shkollës juridike (medh’hebit) hanefi, gruaja shtatzënë ose gjidhënëse, kur ka frikë për shëndetin e saj ose të fëmijës, nuk agjëron në atë moment, por duhet t’i zëvendësojë ato ditë kaza pas Ramazanit, kur të jetë në gjendje më të mirë. Ky mendim bazohet në analogji me të sëmurin. (el-Hidaje fi sherh el-Bidaje 1/124)
Ndërsa sipas medh’hebit shafi’i dhe hanbeli, çështja trajtohet në mënyrë të detajuar: nëse gruaja shtatzënë ose gjidhënëse ka frikë për veten e saj, ajo nuk agjëron dhe i plotëson ditët kaza më vonë. Nëse ka frikë për veten dhe fëmijën njëkohësisht, nuk agjëron dhe gjithashtu i plotëson me kaza më vonë. Ndërsa nëse ka frikë vetëm për shëndetin e fëmijës, atëherë duhet t’i agjërojë ditët më vonë kaza dhe gjithashtu të shlyejë për çdo ditë të lënë (fidje).
(el-Mexhmu‘ 6/267; el-Mugni 3/149)
Kurse sipas medh’hebit maliki bëhet dallim: gruaja shtatzënë agjëron kaza nëse ka frikë se mund t’i rëndohet shëndeti i saj. Kurse gruaja gjidhënëse, nëse ka frikë për veten ose për veten dhe fëmijën së bashku, agjëron kaza më pas; por nëse ka frikë vetëm për fëmijën e saj, atëherë agjëron kaza dhe njëkohësisht shlyen për çdo ditë të lënë (fidje). (Xhami‘ el-Ummehat 1/177)
Ka dhe një mendim tjetër nga Abdullah Ibn Umeri dhe Abdullah Ibn Abbasi, të cilët mendojnë se nëse gruaja shtatzënë ose gjidhënëse ka frikë për shëndetin e saj ose për shëndetin e fëmijës, ajo mund t’i shlyejë (t’i kompensojë) çdo ditë agjërimi me masën ditore të ushqimit që i takon një të varfri dhe nuk e ka detyrë t’i agjërojë më pas kaza. (Musannef Abdurrezak nr. 7564, 7557; Musannef Ibn Ebi Shejbeh nr. 9118; Sunen Ebu Davud nr. 2318)
Megjithëse mendimi më i lehtë dhe më praktik duket ai i Abdullah ibn Umerit dhe Abdullah ibn Abbasit, pasi një gruaje mund t’i bashkohen dy apo tre Ramazane, themi se mendimi më i fortë – duke u mbështetur në analogjinë (kijasin) dhe në argumentet e ndryshme sheriatike – është se agjërimi nuk rrëzohet dhe nuk zëvendësohet me shpagim. Përkundrazi, ajo duhet t’i agjërojë ditët e lëna kur të lirohet nga shtatzënia ose gjidhënia, në rastet kur realisht ka frikë për shëndetin e saj ose të foshnjës.
Nga ana tjetër, kjo nuk duhet të keqkuptohet – sidomos nga të rinjtë në fe – sikur agjërimi mund të shpaguhet në çdo rast dhe se njeriu është i lirë të zgjedhë mes agjërimit dhe shpagimit. Agjërimi mbetet detyrë për çdo musliman që ka mundësi ta përmbushë atë.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH
