Cikli i haditheve të dobëta dhe të trilluara (1)

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 7 minuta lexim

sY9X-5jnY_92_viG7xmQvdXbeOgBFH6krG-UMczvGU1BaYF3MLVn8nsVQrJl836bWg=w300

Cikli i haditheve të dobëta dhe të trilluara (1)

Nga hoxhë Mustafa Tërniqi

Në numrat e kaluar kemi folur për dëmin dhe rrezikun e haditheve të dobëta dhe të trilluara në mesin e muslimanëve, ku kemi përmendur dhe përhapjen e këtyre haditheve në shkallë të gjerë në literaturën islame shqipe. Gjithashtu kemi cituar se redaksia e kësaj gazete do të fillojë një cikël të posaçëm për klasifikimin dhe dallimin e haditheve të dobëta dhe të trilluara, veçanërisht ato hadithe ku mbështeten dhe kërkojnë të lulëzojnë shumë sekte dhe rryma të devijuara nga Islami i pastër, të cilët nuk mjaftohen veç me predikimin e ideve të tyre, por përpiqen edhe me botimin e librave të ndryshëm. Ndër ta është dhe sekti Shiit, i cili bën përpjekje të vazhdueshme për t’u integruar në mesin e muslimaneve suni me botime të ndryshme. Një prej këtyre botimeve kemi librin : 110 VIRTYTE Të IMAM “ALIUT”, Përgatitur nga Edin Q.Lohja dhe botuar nga: Biblioteka “Zemra e Traditës”, nr 2. Me këtë libër synohet të ngrihet kulti i individit, ku flitet veç për vlerat e Aliut, që nënkuptojnë se ai është njeriu më i dashur, më i mirë dhe më i devotshëm nga të gjithë shokët e Profetit a.s. Jo vetëm kaq por nëpërmjet këtij libri synohet të besohet se Aliu duhet të ishte Kalifi i parë i muslimanëve, ai është dera e vetme e udhëzimit dhe e shpëtimit dhe kjo duhet trashëguar kështu pas vdekjes së tij nga familja e tij, dhe se ata janë të vetmit që e kuptojnë të drejtën dhe të vërtetën, duke zbehur kështu gradualisht figurën e Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit dhe sahabëve të tjerë të ndershëm. Ndërkohë shumica e këtyre haditheve janë të dobëta dhe shumë prej tyre të trilluara.

Hadithi nr 1: Transmetohet nga Omer ibn el-Khattabi, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Asnjeri nuk mund t’i afrohet virtyteve të Aliut, ai e shpie shokun e vet në udhërrëfim dhe e largon atë nga humbja.” (E ka përcjellur Taberaniu).

Grada e hadithit: Këtë hadith e transmeton Taberaniu në “Mu’xhemin e mesëm” nr. 4726 dhe në “Mu’xhemin e vogël” nr. 676 dhe në zinxhirin e transmetuesve gjendet Abdurrahman ibn Zejd ibn Eslemi për të cilin Imam Ibnul Xheuzi thotë: “E kanë bërë të dobët të gjithë muhadithinët”. Madje imamët e mëdhenj si Buhariu, Ali Ibn Medini, Nesaiu, Ebu Hatim Errazi etj., e konsiderojnë tepër të dobët. Kurse imam Hakimi dhe Ebu Nuajmi thonë, se ky transmetues përcjell hadithe të trilluara.

Hadithi nr 2: Ibn Abasi ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që dëshiron të jetojë jetën time, të vdesë vdekjen time, e të banojë në Xhenetin e Përjetësisë të mbjellur nga Zoti im, atëherë le të marri për kujdestar (vali) Aliun dhe trashëgimtarët e tij, dhe le të pasojë imamët (që do vijnë) pas meje, sepse ata janë pasardhësit e mi (itreti): Ata janë krijuar nga brumi im dhe janë pajisur me të kuptuar me dije. Ndaj, mjerë ata nga umeti im që ua mohojnë meritat dhe me këtë ndahen prej meje! Allahu mos ua dhashtë ndërmjetësimin tim!

Grada e hadithit: Këtë hadith e transmeton Ebu Nuajmi në “Hiljetul-eulija” 1/86 dhe në zinxhirin e transmetuesve gjenden Abdurrahman ibn Imran ibn Ebi Lejla dhe Ja’kub ibn Musa el-Hashimi, të cilët janë transmetues të panjohur dhe për rrjedhojë nuk u merret për bazë transmetimi.

Hadithi nr 3: Hakimi në “El-Mustederek alessahihajn thotë: “Është transmetuar nga një numër i bollshëm burimesh (tevatur) nëpër hadithe se Fatime bint Esedi e lindi Prijësin e Besimtarëve Ali ibn Ebi Talibin brenda Qabes.”

Grada e hadithit: Fjala e Hakimit bie në kundërshtim me transmetimet e vërteta që kanë ardhur, sepse nuk është aspak e njohur tek dijetarët e hershëm dhe as në transmetimet e ndryshme, që Aliu ka lindur brenda Qabes. Ndërkohë ajo që njihet gjerësisht në transmetimet e sakta është se Hakim ibn Hizami është ai që ka lindur brenda Qabes, siç transmeton Muslimi në Sahihun e tij dhe të tjerë. Madje vetë Hakimi në Mustedrekun e tij transmeton fjalën e Mus’ab ibn Abdullahut, i cili thotë se Hakim ibn Hizami është ai që ka lindur brenda Qabes dhe askush tjetër para dhe pas tij. Ndërsa imam Muglatai në “Ikmal Tehdhibil Kemal” 4/120 përcjell fjalën e imam Ibnul Xheuzit, i cili thotë: “Pretendimi i atyre që thonë se Aliu ka lindur brenda Qabes nuk është i saktë, sepse brenda saj s’ka lindur askush tjetër përveç Hakim ibn Hizamit.”

Hadithi nr 4: “I Dërguari i Allahut citohet t’i ketë thënë Hazreti Aliut: “O Ali! Pozita jote është si ajo e Qabes. Njerëzit shkojnë tek Qabeja, por ajo shtëpi e madhërishme nuk i afrohet kurrë askujt. Ndaj nëse pas vdekjes sime, njerëzit vijnë tek ti dhe të japin betimin e besnikërisë (bejat) pranoje, e nëse nuk vijnë, atëherë ti mos shko tek ata.”

Grada e hadithit: Këtë hadith e transmeton Ibnul Ethiri në “Usdul-Gabeh fi Ma’rifetis-sahabe” 4/31 dhe në zinxhirin e transmetuesve ndodhen Muhamed ibn Zekerijja el-Galabi për të cilin imam Darekutni thotë: “Ka qenë trillues i haditheve profetike” dhe El-Abas ibn Bekar për të cilin imam Khatibul Bagdadi thotë: “Ka qenë gënjeshtar”.