Cikli i haditheve të dobëta dhe të trilluara (2)
Libri 110 Virtyte të Imam Aliut
HADITHI NR 5 :
Ibn Abasi ka thënë: Ebu Musa el-Eshariu tha: “Aliu ishte padyshim i pari që e pranoi Islamin me të Dërguarin e Allahut (s). Hakimi shton: “Ky hadith është i saktë (sahih) nga zinxhiri (sened).”
GRADA E HADITHIT: Këtë thënie të Ebu Musa Esh’ariut e transmeton Hakimi në “El-Mustedrek” 3/465, ndërsa saktësimi i Hakimit nuk është me vend, ndërkohë dijetarët kanë folur për tolerancën e theksuar të Hakimit në saktësimin e haditheve. Në zinxhirin e këtij transmetimi gjendet Jahja ibn Selemeh ibn Kuhejli të cilin e kanë klasifikuar si tepër të dobët shumë dijetarë si Buhariu, Ibn Meini, Ebu Hatim Errazi,Tirmidhiu, Nesaiu, Darekutni, etj. Po ashtu në zinxhirin e transmetuesve gjendet dhe El-Hasen ibn Ali ibn Uthmnan të cilin e dobësojnë si transmetues disa dijetarë të tjerë, ndërkohë në zinxhir ndodhen dhe transmetues të tjerë të panjohur.
HADITHI NR 6:
Transmetohet nga Amr Mawla Afreh i cili ka thënë se: Muhammed ibn el-Kurzain e pyetën: “Kush e pranoi i pari Islamin, Aliu apo Ebu Bekri? Ai u përgjigj: Subhanellah! Aliu ishte i pari nga ata të dy që e pranoi Islamin. Kjo çështje i ngatërroi disa njerëz sepse Aliu e fshehu besimin e tij nga Ebu Talibi, kurse Ebu Bekri e deklaroi haptazi Islamin. Por sipas nesh s’mund të ketë asnjë dyshim se Aliu ishte i pari prej tyre që e pranoi Islamin.” GRADA E TRANSMETIMIT: Së pari thënësi nuk është Muhamed ibn el-Kurzai, por Muhamed ibn Ka’b el-Kuredhi, i cili është prej tabiinëve. Sidoqoftë këtë transmetim e përcjell Ibn Abdul-berri në “El-Isti’ab fi ma’rifetil-as’hab” 1/336 dhe në zinxhirin e këtij transmetimi ndodhet Abdusselam ibn Salih Ebussalt për të cilin imam Darekutni dhe të tjerë thonë se është gënjeshtar i cili ka trilluar edhe hadith në emër të Profetit (alejhissalatu uesselam).
HADITHI NR 7:
Umer ibn el-Khattabi ka thënë: “Nuk do të arrini Aliun në tre gjëra, sepse e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (s) të thotë tre gjëra (për Aliun) që sikur unë të kisha vetëm njërën prej tyre, do të ishte më e shtrenjtë për mua se gjithçka mbi të ciliën lind dielli. Isha te Profeti (s), së bashku me Ebu Bekrin, Ebu Ubejdeh ibn ul-Xherrahin, dhe disa shokë të tjerë të Profetit (s), kur ai i ra në sup Aliut me dorën e tij dhe tha: “Ti je i pari ndër njerëz që e pranoi Islamin! Ti je i pari i njerëzve në iman! Ti je për mua si Haruni për Musain!” GRADA E HADITHIT: Këtë hadith e transmeton Ibn Asakir në: “Tarih Dimeshk” 42/167 dhe në zinxhirin e tij ndodhen Me’muni, Harun Rashidi, Mehdiu, Mensuri, prej familjes së dinastisë Omejade të cilët nuk shquhen për transmetime hadithesh, madje mes tyre dhe ibn abbasit qe përcjell këtë nga Umeri ka transmetues te tjerë të panjohur të cilët e bëjnë hadithin të dobët, aq më tepër kur ky hadith nuk ruhet në koleksionet e transmetimeve të hadithit dhe as që ka transmetues të besueshëm.