Projektligji për barazinë gjinore, i paraqitur së fundmi nga qeveria dhe i pa konsultuar më parë me të gjithë grupet e interesit, përfshirë këtu edhe komunitetet fetare, krijon hapësira ligjore, të cilat cenojnë konceptet bazë të përbashkëta e të trashëguara të njerëzimit, mbi të cilat është ndërtuar familja dhe jeta shoqërore për mijëra vjet. Në dritën e trashëgimisë tradicionale të kombit tonë dhe jo vetëm dhe të vërtetave fetare, ne pranojmë dhe njohin vetëm dy gjini të krijuara nga Zoti, mashkull dhe femër, burrë dhe grua. Ndërkohë, projektligji i fundit për barazinë gjinore, paraqet një sfidë të thellë konceptuale ndaj këtij rendi natyror dhe moral të shoqërisë. Koncepti i “gjinisë së shumëfishtë” është një manipulim artificial ideologjik dhe një devijim nga rendi biologjik dhe hyjnor dhe shndërrohet në një “stisje” që cenon thelbin dhe vlerat tradicionale të familjes.
Ky ligj, duke njohur dhe legalizuar identitete gjinore jashtë binaritetit burrë-grua, cenon autoritetin e normave tradicionale shekullore dhe ato fetare dhe kufizon lirinë e besimit dhe shprehjes. Ai imponon në mënyrë të detyrueshme një gjuhë të ndjeshme gjinore dhe një edukim që përhap ide që janë të papranueshme për traditat dhe besimet tradicionale, duke u ofruar kështu si një formë indoktrinimi kulturor.
Nga kjo perspektivë, ligji ndikon negativisht në konceptin e strukturës familjare dhe shoqërore duke minuar kështu rolet dhe përgjegjësitë natyrore të burrit dhe gruas dhe duke rrezikuar stabilitetin e bashkësisë shoqërore. Për më tepër, kjo qasje kundërshtohet nga vetë aspekti biologjik dhe social i saj, ku identitetet gjinore të tjera, përveç burrit dhe gruas, janë dhe perceptohen si anomali apo përjashtime, të cilat nuk ka aspak nevojë të legjitimohen ligjërisht.
Çdo njeriu ligji i garanton të drejtat e tij themelore, për shkak të të qenit njeri, cilido qoftë ai, cilësim ky i mjaftueshëm për të respektuar nderin dhe dinjitetin e tij njerëzor. Por ndërkohë, ligjet që kanë të bëjnë me konstruktet sociale të shoqërisë duhet të respektojnë vlerat dhe virtytet më të mira të traditës dhe trashëgimisë së konsoliduar njerëzore dhe jo të përfshihen në eksperimente të një inxhinierie sociale, pasojat e të cilave janë të panjohura apo negative.
Prandaj, ky ligj është i papranueshëm për ne në kontekstin e vlerave tradicionale dhe fetare dhe duhet rishqyrtuar nga pozicione që respektojnë rendin natyror, parimet hyjnore dhe përparësinë e familjes dhe të koncepteve burrë-grua si themel i shoqërisë.
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë