DEKLARATË
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë shpreh me zë të lartë shqetësimin e saj për disa zhvillime të fundit në qytetin e Shkodrës, që lidhen me pronat vakëf.
Pas një kalvari të gjatë procesesh gjyqësore, të nisura që prej më shumë se tre dekadash për kthimin e së drejtës tek i zoti dhe për njohjen ligjore të pronave vakëf poseduesve të tyre të ligjshëm, së fundi po u shtohen dhe përpjekjet për cënimin e këtyre pronave vakëf për qëllime krejt të tjera.
Ne dëshirojmë të bëjmë me dije opinionin publik, si dhe institucionet shtetërore përkatëse, se pronat vakëf janë pasuri të patundshme të lëna trashëgim dhe amanet në shërbim të besimit dhe në dobi të njerëzve.
Të konsideruara fetarisht si prona të Zotit, në shërbim të qëllimeve për të cilat janë vendosur si vakëf, ato janë të paprekshme, e nuk lejohet, në parim, as të shiten dhe as të tjetërsohen, duke ndryshuar destinacionin përfitues në këtë botë.
Në këtë kuadër, cenimi i vakëfit të Fushë-Çelës, aty ku sot gjendet Xhamia “Ebu Bekër”, njohur me te drejtë parablerje nga ish-KKKP Bashkia Shkodër, nga institucionet shtetërore apo nga individë që duan ta tjetërsojnë, përbën prekje të drejtpërdrejtë të shenjtërisë së këtyre pronave, pavarësisht arsyetimeve të mundshme të “interesit publik” apo “investitorëve privatë”.
Thirrja jonë u drejtohet të gjithë individëve të përfshirë dhe institucioneve shtetërore, për t’u kujtuar atyre shenjtërinë e pronave vakëf, dhe, paprekshmërinë e tyre.
Njëkohësisht, i bëjmë apel organeve ligjzbatuese, Gjykatës Administrative Tiranë që të tregojnë seriozitet dhe vendosmëri në përmbushjen e detyrës, duke mos lejuar cenimin e pronave vakëf, ndalimin e çdo forme grabitjeje të paligjshme dhe kthimin e tyre tek poseduesit e ligjshëm.
Ne inkurajojmë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë të vazhdojë përpjekjet për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave që lidhen me pronat vakëf, si dhe e mbështesim në këtë qëndresë të drejtë.
Njëherësh, dhe në mënyrë të përsëritur, i bëjmë apel institucioneve për ndërgjegjësim dhe respektim të shenjtërisë së pronave vakëf, pasi abuzimi me to përbën një shkelje të rëndë morale dhe ligjore, një cënim të papranueshëm e fyes dhe një dëm të madh për të gjithë bashkësinë e besimtarëve myslimanë.
