Hoxhë: Dr. Bledar Haxhiu
Përmendëm pak më parë se bektashizmi që në fillimet e hershme të tij, u shtri edhe jashtë Anadollit dhe nga këto vende në të cilat ky tarikat u shtri dhe gjeti prezencë, ishin dhe trevat shqiptare.
Në fakt depërtimi dhe prezenca e bektashizmit në trevat shqiptare, erdhi si pasojë e një sërë shkaqesh, ku mund të përmendim ndër to:
- Dërgimi i dervishëve për të ftuar njerëzit që të bëheshin pjesë e tarikatit:
Haxhi Bektash Veliu mblodhi rreth vetes një numër të konsiderueshëm dervishësh, të cilët pasi mësuan prej tarikatin dhe bazat e tij, u shpërndanë në vise të ndryshme me misionin e ftesës së njerëzve për tu bërë pjesë e fesë Islame nëpërmjet mësimeve dhe parimeve të këtij tarikati.
Ndër dervishët e parë të cilët shkelën tokat e ballkanit –prej tyre dhe trevat shqiptare-, ishte dhe Sejid Ali Sulltan,([1]) Abdall Musa Sulltan,([2]) Sari Salltëku, etj, dhe prezenca e parë e dervishëve bektashi daton afërsisht rreth viteve 1378 dhe pikërisht në krahinat e jugut të shqipërisë. ([3])
Në përgjithësi dervishët bektashinj, eksploronin zonat e reja para se të mbërrinin në to ushtritë jeniçere, duke pregatitur me sa mundëshin terrenin, ndërtonin në to teqe dhe fillonin të përhapnin tarikatin, kjo arrihej edhe duke i shërbyer komunitetit në aspektin social.
- Pjesmarrja e djemve shqiptarë në rradhët e jeniçerëve:
Pasi Sulltan Orhani vendosi të ndërtonte ushtrinë Jeniçere, mendoi që të përfitonte edhe nga robërit e luftës në përplasjet që osmanët kishin me ushtritë e vendeve përret. Po ashtu edhe disa familje të krishtera me emër, kur panë fuqizimin e perandorisë osmane, vendosën ti çonin fëmijët e tyre në shkollat ushtarake dhe ti bënin pjesë të divizioneve turke.
Prej këtyre djelmoshave që u bënë pjesë e ushtrisë së re Osmane (jeniçerëve), ishin edhe një numër i konsiderueshëm djemsh të trevave shqiptare, të cilët u edukuan me bindje ndaj sulltanit, por një pjesë e tyre mori dhe parimet e tarikatit bektashi, si shkak i prezëncës së dervishëve bektashi në çdo togë jeniçere.
Pra një pjesë e mirë e djemve të familjeve shqiptare të krishtera, pasi u rritën dhe edukuan në oborrin e sulltanit, tashmë kishin përqafuar dhe tarikatin bektashi, gjë që çoi në përhapjen e këtij tarikati mes popullsisë shqiptare. ([4])
- Përplasjet e vazhdueshme mes jeniçerëve dhe sulltanëve Othman.
Ushtria jeniçere në fillimet e saj ishte një ushtri e cila thuri lavdinë e saj, arriti fitore madhështore dhe hidhej në fush betejë si një makinerri shkatërruese. Ishte pikërisht ushtria Jeniçere e cila lozi rolin kryesor në çliirimin e Kostandinopojës por edhe të vendeve të tjera.
Por me kalimin e kohës, ushtria jeniçere filloi të dobësohej, sidomos kur illuan të jetonin midis qyteteve, ku filluan të tejkalonin kopetencat dhe të bënin potere, aqsa u shtuan ankesat qytetare ndaj ushtrisë jeniçere që nga dita në ditë po bëheshin plaçkitës të popullit për mbrojtjen e të cilit ata u krijuan. Duke u zhytur në salltanete dhe në orekse të shthurura për post e pushtet, jeniçerët u kthyen një siklet i vërtet për sulltanët. Madje tashmë edhe kur kërkonin luftëra të rejaa, nuk kërkonin më luftë për lavdi, porse hapnin luftëra që të arrinin në përfitime material, duke zhvatur vendet e çliruara rishtazi.([5])
Pa asnjë dyshim se dervishët bektashinj kanë patur edhe ata një rol të madh në trazirat dhe përplasjet e jeniçerëve me qeverinë othmane, madje shpesh ata për shkak të disa qëndrimeve të kundërta me politikat e sulltanit, nxisnin jeniçerët në revolta, aq sa shpesh herë jeniçerët dhe drejtuesit e tyre u bënë aq të pushtetshëm sa hiqnin dhe vinin sulltanët sipas dëshirës!([6])
Kjo gjendje kritike në të cilën po kalonte perandorija othmane, detyroi Sulltan Mahmudin e dytë që shpërbënte divizionin e jeniçerëve. Ai mblodhi parinë dhe dijetarët dhe u tregoi qëllimet e tija, për të cilat mori një mbështetje nga të gjitha palët, të cilët të gjithë e ndienin kaosin që shkaktonin jeniçerët. Në këtë moment Sulltani Mahmudi i dytë, shkroi një ferman me të cilin shpërbënte divizionin jeniçer; nga ana tjetër urdhëroi altilerinë që gjat natës të bënin një sulm të përgjithshëm ndaj trupave jeniçere. Kështu në të gdhirë të Sulltani udhëhiqte altilerinë, dijetarët dhe njerëzit me emër në perandori. Në këtë marshim sulltanin e shoqëronte Shjhul Ekber (kryemyftiu) dhe sadrazemi (kryeministri), të cilët legjitimuan këtë nismë të sulltanit.
Sigurisht që ky sulm ishte shkatërrues për jeniçerët, ku thuajse u shkatërruan të gjithë duke vrarë dhjetra mijra ushtarë jeniçer. Të nesërmen sulltani urdhëroi për shpërbërjen e ushtrisë jeniçere, po ashtu i hoqi nga përdorimi të gjitha simbolet e tyre. ([7])
Veç kësaj sulltani urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve bektashiane, konfiskoi të gjitha pronat dhe pasuritë e tyre, dogji literaturë dhe ndaloi njerëzit të vishnin rrobat simbolike bektashiane. Thuhet se kur filluan kontrollet nëpër teqe, gjetën se në disa prej tyre kryeshin vepra që binin ndesh me fenë, madje gjetën që Kuranin e përdornin për të mbuluar enët me katran, si dhe e gjetën të vendosur në vende të tjera aspak të përshtatshme, gjë që bëri sulltanin të urdhëronte ekzekutimin e krerëve bektashinj të asaj kohe si: Baba Kojunxhi, Baba Saliun, Baba Agaci Zade etj, si dhe një numër të madh i syrgjynosi (internoi) në vilajete të largëta.([8])
Pas këtyre ngjarjeve, ata ushtarë që i shpëtuan ekzekutimit, u larguan duke u kthyer në viset e tyre, ndërsa bektashinjtë filluan të fshiheshin duke deklaruar se janë Nakshibendi apo pjestarë të tarikateve të tjera që ishin të pranuara nga perandoria osmane.
Në këto rrethana, një pjesë e jeniçerëve me prejardhje shqiptare por edhe disa dervish bektashinj, nuk gjetën vend më të përshtatshëm për të qëndruar se shqipëria, sidomos në zonat malore dhe periferike të saj, kjo për faktin se shumë nga këto zona nuk ishin nën mbikqyrjen reale të osmanllive.
Por në këtë kohë Ali pashë Tepelena kishte shpallur mëvetësinë në vilajetin e Janinës dhe kishte hyrë në konflikt me portën e lartë, dhe kjo gjendje bëri që një pjesë e mirë e të larguarve nga rradhët e dervishëve bektashinj, të afroheshin ke Ali pashai, kështu të dy palët do të përfitonin nga njëra tjetra. Ali Pash Tepelena mori në mbrojtje teqet bektashiane, madje në periudhën e tij u ndërtuan shumë të tjera dhe tarikati mori një hov goxha të madh ndër viset shqiptare, për shkak të statusit që i kishte dhënë Ali Pashai, për të cilin thuhet se edhe vet ky i fundit ishte bektashi.([9])
Përplasjet midis tarikatit bektashi dhe shtetit turk, vazhduan në këtë gjendje derisa në skenë doli Qemal Ataturku, i cili shpalli republikën turke, dhe se pushteti turk do të jetë laik, duke shfuqizuar kështu sheriatin, ku nxori një ligj me të cilin urdhëronte mbylljen e të gjitha teqeve, ndërsa teqen e Haxhi Bektash Veliut e ktheu në muze, duke i dhënë fund të gjitha tarikateve sufuste më gjashtë tetor të vitit 1925. ([10])
Pasi qeveria turke nxori vendimin për mbylljen e të gjitha tarikateve mistike, ndër to edhe tarikatin bektashi –të cilët fillimisht mendonin se do kishin privilegje nga Ataturku-, një grup i dervishëve bektashinj u mblodhën në shqipëri dhe organizuan një kongres, ku pasi iu bë e qartë se qëndra e turqisë nuk mund të jetë më funksionale, vendosën që ta zhvendosnin atë në shqipëri.
Kreu i fundit i tarikatit bektashi në Turqinë e atyre kohëve ishte Sali njazi Dedei, një baba shqipëtar, i cili sapo doli ky vendim, udhëtoi në Shqipëri dhe pasi ra dakort me qeverinë shqipëtare dhe mbretin Ahmed Zogun, e zhvendosën qendrën e tarikatit në shqipëri dhe rizgjodhën që Sali Njazi Dedei, të ishte dede babai i tarikatit, grada më e lartë që i akordohet një dervishi. ([11])
- Lufta mes dervishëve bektashinj dhe qeverisë turke:
Pasi u mbyllën teqetë dhe u internuan dervishët bektashinj nëpër skajet e perandorisë, dervishët me kombësi shqiptare filluan të mbështesnin çdo lëvizje e cila ishte kundër portës së lartë, në mënyrë që ta dobësonin dhe pse jo ta rrëzonin, në mënyrë që të mernin sërisht vendin që tashmë u kishte humbur. Prandaj gjejmë dhe një numër dervishësh të tarikatit bektashinj, të cilët kur u shfaq lëvizja rilindase, të cilët kërkonin ndarjen nga turqia dhe mëvetësi, iu bashkuan kësaj lëvizje një numër dervishësh, si hakmarrje daj portës së lartë dhe që të zhbënin njëherë e mirë presionin e saj. Kështu që shumë teqe u bënë strehë e luftëtarëve rilindas kundër perandorisë osmane. Po ashtu dervishët bektashinj, bashkëpunuan edhe me lëvizjen e xhonturqëve –turqit e rinj-, duke u përpjekur që Islami bektashi të jetë feja shtetërore e shqiptarëve, në mënyrë që të dallonin nga turqit, të cilët përfaqësonin Islamin Suni.
Kjo bëri që një numër i mendimtarëve dhe elitave shqiptare, të bëheshin pjesë e këtij tarikati dhe ta konsideronin bektashizmin si një ide të përshtatshme për shqiptarët, për shkak se shfaqte nacionalizëm dhe një lloj shkrirje me fetë e tjera. E gjitha kjo çoi në shtimin e rradhëve të këtij tarikati dhe zgjerimin e tij në mesin e popullsisë shqiptare. ([12])
([1]) Ai është Sejid Ali Sulltan Kezil Deli, i cili është një ndër figurat kryesore të bektashizmit. Ka jetuar në shekullin e katërmbëdhjetë dhe ka mësuar nga Haxhi Bektash Veliu. Haxhi Bektashi e dërgoi me mission për të ftuar njerëzit rumelisë në islam dhe tarikatin bektashi. Sejid Ali Sulltani ndërtoi një teqe në Dimotekë e cila u bë një ndër qendrat kryesore të tarikatit. Misticizma Islame dhe Bektashizmi: (fq: 204).
([2]) Abdall Musa Sulltan ka lindur në fillimet e shekullit të katërmbëdhjetë, dhe mund të ket qënë nga Hirasani. Ai ka qënë ndër halifet e parë të Haxhi Bektash Veliut. Abdall Musa është një ndër dervishët që ka përhapur mësimet e bektashizmit në zonën e ballkanit. Ai ka lënë disa shkrime si: librin “Nasihatname”, dhe divanin me poezi në të cilin shfaq qartaz panteizmin, madhërimin ekstrem të Aliut –Allahu qoftë i kënaqur me të-, dhe bindje të tjera të cilat janë në kundërshtim të hapur me parimet e fesë Islame. Urdhëri Bektashi i Dervishëve: (fq: 59); Misticizma Islame dhe Bektashizmi: (fq: 209-212).
([3]) Shiko: Mision Bektashian, Shyqyri Hysi: (fq: 20), albPaper Tiranë 2004.
([4]) Shiko: Meusuatu el Mujesera: (1/488); Mision Bektashian: (fq: 20).
([5]) Auamilu Inhijar Deuleti el Uthmanije, Ali Hasun: (fq: 77).
([6]) Muhamed Ali Basha Uixh’hetu Nadher Uthmanije, Mahmud Sejid Digejm: (fq: 13-14).
([7]) Shiko: Tarijh Deuletu el Uthmanije: (fq: 397); Usul Tarijh Uthmani, Ahmed Abdurrahim Mustafa, bot: 2: (fq: 190-191); Avamil Inhijar Deuleti el Uthmanije: (fq: 77-79).
([8]) Shiko: Urdheri Bektashi i Dervisheve, (fq: 90-91); Mision Bektashian, (fq: 25); Lindja e Turqise Moderne, Bernard Levis, (fq: 103), Shtepia e Librit & Komunikimit – Tirane; Historia e Perandorise Osmane dhe e Turqise Moderne, Stanford J. Shaë & Ezel Kural Shaë, bot: 1: ( 2/51), Jehona Study Center- Tirana.
([9]) Mision Bektashian: (fq: 27).
([10]) Fikër Batini fi Anadol: (fq: 42).
([11]) Mision Bektashian: (fq: 52).
([12]) Shiko: Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Nathalie Clayer, bot: 2: (fq: 444-445), botime Përpjekja, Tiranë 2012.