Dhuntitë e Allahut dhe mohimi i tyre

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

Nga hoxhë Altin Plumbi

 

Lavdet dhe falënderimet janë për Allahun

Allahu thotë: “Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.”[1]

Ibn Kethiri thotë: “me këtë shembull kihet si qëllim banorët e Mekës, sepse Meka ishte e sigurtë, e qetë dhe me stabilitet. Njerëzit rreth saj rrëmbeheshin, kur ndërkohë kush hynte në Mekë ishte i sigurtë dhe nuk frikësohej, siç thotë Allahu: Ata thonë: “Nëse ndjekim udhëzimin së bashku me ty, së shpejti do të jemi të dëbuar nga vendlindja”. Vallë, a nuk ua kemi mundësuar, që të jetojnë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen fruta të llojllojshme, si ushqim prej Nesh?[2]. Edhe këtu kështu ka thënë: {Atij i arrinin ushqime të bollshme} që do të thotë: pa vështirësi dhe me lehtësi,- {nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut},- i mohuan të mirat që Allahu kishte bërë për ta, ku mohimi më i madh ishte mohimi i Muhamedit alejhi selam, si i dërguar tek ata, siç thotë Allahu: Vallë, a nuk i sheh ata që dhuntinë e Allahut e kanë ndërruar me mohim dhe e kanë sjellë popullin e tyre në Shtëpinë e shkatërrimit? Ata do të digjen në Xhehenem. Eh, sa vendbanim i tmerrshëm është ai![3]. Për këtë arsye të dy gjendjet e tyre të mëparshme, Allahu ua ktheu në të kundërtën e tyre, dhe Allahu thotë: –{dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën},- ua veshi dhe i bëri të provojnë urinë, pasi ua sillte të gjithë të mirat dhe u arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, për shkak se nuk iu bindën të Dërguarit të Allahut dhe zgjodhën kundërshtimin e tij, kurse Profeti u lut kundra tyre, që të kalonin shtatë vite (thatësire) si shtatë vitet në kohën e Jusufit (alejhi selam). Ata i goditi një thatësirë që ua rrënoi gjithçka dhe ata u ushqyen me ilhiz, që është leshi i devesë, dhe që lyhej me gjakun e devesë kur ajo therej.”

Allahu thotë për banorët e Mekës: “i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike”[4], “kush hyn në të është i sigurt[5], “Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit …”[6].

Imam Buhariu transmeton në kapitullin “Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë,”… nga Mesruku që tha: Abdullah (ibn Mesud) ka thënë: Kjo ka ndodhur kur Kurejshët nuk iu bindën të Dërguarit të Allahut, ai u lut kundra tyre për thatësirë si ajo që goditi në shtatë vitet e kohës së Jusufit (alejhi selam). Kështu që ata i goditi një thatësirë dhe vështirësi e madhe, aq sa ata ushqeheshin me kocka. Njeriu shikonte në qiell dhe i dukej sikur ndërmjet tij dhe qiellit kishte tym, e kjo nga këputja trupore dhe gjendja e vështirë që ndodheshin. Atëherë Allahu zbriti ajetet: “Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, që do t’i mbulojë njerëzit, (e do t’u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm!”[7]. Atëherë të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) i erdhën dhe i thanë: O i Dërguari i Allahut, lutu që fisit Muder t’i zbresë shi, sepse ata u rrënuan dhe po vdesin. Ai tha: “Për fisin Muder, me të vërtetë ti po nxitohesh.” Atëherë ai u lut për ta dhe atyre iu zbriti shi. Atëherë zbriti ajeti: “Edhe sikur t’ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim).[8]. Kur i mbuloi rehatia dhe bollëku, ata u kthyen në gjendjen e mosbesimit që ishin. Atëherë Allahu zbriti ajetin: “Ditën, kur do t’i mbërthejmë ata me forcën më të madhe, Ne do të hakmerremi.[9],- domethënë në ditën e Bedrit.

Gjithashtu, thuhet se ky shembull nuk ka lidhje me ndonjë vend të caktuar, por është një shembull frikësues dhe kërcënues për këdo që të mirën e Zotit e kthen me mohim. Sidoqoftë, kushdo që ka mendje, duhet të nxjerrë mësim nga ky shembull e mos ta kthejë të mirën e Allahut me mohimin e saj, me qëllim që të mos ndëshkohet ashtu sikur u ndëshkuan banorët e këtij vendi. Por, shembujt i meditojnë vetëm ata që Allahu u ka dhuruar dije. Allahu thotë: “Këta shembuj Ne ua paraqesim njerëzve, por ata nuk i kupton kush, përveç dijetarëve.[10].

“Në këtë kontekst përfitojmë gjithashtu, duke sjellë në vëmendje edhe rënien e disa shteteve në kohët moderne, për shkak të mohimit të tyre ndaj të mirave të Zotit, si për shembull shteti që njihej me emrin Bashkimi Sovjetik, që ka qenë nga shtetet më mëdha dhe më të fuqishme në botë, pastaj puna e tij shkoi drejt dobësimit dhe rënies, si edhe shumë vende të tjera të lindjes të fuqishme ushtarakisht.

Është me vlerë të tërheqim vëmendjen se ky është ligji i Zotit në shoqëritë, që me të drejtë mund të quhet ligji i ngritjes dhe i rënies, i sigurisë dhe i frikës, i bollëkut dhe i shtrëngesës. Atëherë themi se ky ligj, ashtu siç i përshtatet shoqërive dhe shteteve, gjithashtu përkon edhe me individë dhe xhemate, sepse njeriu që jeton në mirësi dhe bereqet, por nuk i kushton vëmendje kësaj mirësie dhe nuk e vlerëson ashtu siç duhet, nuk e falënderon dhuruesin e kësaj mirësie dhe nuk i është mirënjohës atij, natyrisht që do të privohet nga kjo mirësi dhe se Allahu do t’ja heqë, për shkak të mohimit të saj dhe mosmirënjohjes ndaj Dhuruesit të saj.”[11]

[1] NAHL 112

[2] KASAS 57

[3] IBRÂHÎM 28, 29

[4]  KUREJSH 4

[5] ÂLI ‘IMRÂN 97

[6] BEKARE 125

[7] DUHÂN 10,11

[8] DUHÂN 15

[9] DUHÂN 16

[10] ANKEBÛT 43

[11] Nga faqja Islamweb.net