Disa nga vlerat e ditës së Arafatit

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 9 minuta lexim

Hoxhë: Bledar Haxhiu

E  falënderojmë  Allahun i Cili Meriton çdo falënderim,    paqja  dhe  bekimi  Tij qofshin  mbi Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë pasuesit e tij derisa jeta të ketë mbarim.

Dita e Arafatit është një prej ditëve më me vlerë që ka krijuar Allahu, në këtë ditë të madhe është plotësuar feja, në të pranohen lutjet, shlyhen mëkatet, si dhe ajo është dita kur Allahu i Madhëruar krenohet përpara melaikeve me njerëzit që gjinden në tokën e Arafatit. Këtë ditë Allahu e ka madhëruar dhe e ka ngritur mbi ditët tjera, Ai në këtë ditë, zbret prej mëshirës dhe begatisë së Tij si kurrë më parë. Ajo është një ditë kur mblidhen robërit më të sinqertë, më të dashur të Allahut dhe që njëkohësisht janë miqtë e Tij, ndaj meqenëse jemi në ditët më të mira, ku njëra nga këto është dhe dita e Arafatit, është me vlerë t’i kujtojmë disa nga mirësitë e kësaj dite.

1- Në ditën e Arafatit ashtu sikur thamë, është plotësuar dhuntia dhe është përsosur feja islame. Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Umeri, radijallahu anhu, se një hebre i ka thënë atij: “O prijës i besimtarëve! Në Librin tuaj gjendet një ajet që ju e lexoni, po të na kishte zbritur neve, atë ditë do ta konsideronim si festë. I tha: cili ajet, pyeti Umeri? Tha:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا

“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe”. (El-Maide: 3)

Umeri i tha: ne e dimë ditën dhe vendin në të cilin i ka zbritur ky ajet Pejgamberit salallahu alejhi ve selem; i ka zbritur ditën e xhuma, duke qëndruar në Arafat.

2- Kjo ditë është festë për njerëzit që janë të mbledhur dhe qëndrojnë në Arafat. Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, tha: “Dita e Arafatit dhe ditët e teshrikut, janë festa jonë, festa e muslimanëve, janë ditë të ngrënies dhe pirjes”. Tirmidhiu dhe Nesaiu, hadithi është i mirë.

3- Për këtë ditë Allahu është betuar në Kuran, dhe Allahu i Madhërishëm nuk betohet për gjëra pa vlerë, por betohet me gjëra të mëdha. Kjo ditë, është “dita e dëshmuar” në ajetin:

وَشَاهِدٍ وَمَشْهُودٍ

“Pasha atë që dëshmon dhe të dëshmuarën!”. (El-Buruxh: 3)

Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Dita e premtuar është Kiameti, dita e dëshmuar është Arafati, kurse dita dëshmuese është dita e xhuma…”. Tirmidhiu, hadithi është i mirë.

Po ashtu dita e Arafatit është dita “tek” me të cilën betohet Allahu në Kur’an:“Pasha çiftin dhe pasha tekun!”. (El-Fexhr: 3).

Ibën Abasi radijallahu anhu, thotë: “Dita çift është dita e kurban bajramit (10 Dhulhixhe), kurse dita tek është dita e Arafatit (9 Dhulhixhe).” Të këtij mendimi janë edhe dijetarët e jterë si: Ikrime dhe Dahaku, etj.

4- Agjërimi i kësaj dite i shlyen mëkatet e dy viteve. Ebu Katade radijallahu anhu, tregon se e kanë pyetur Pejgamberin salallahu alejhi ve selem, mbi agjërimin e ditës së Arafatit, kurse ai është përgjigjur: “I shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që vjen”. (Muslimi)

Ibën Kajimi duke bërë një krahasim mes agjërimit të ditës së Arafatit dhe ditës së Ashurasn dhe pse Arafati ka më tepër shpërblim thotë: “Në qoftë se dikush pyet pse agjërimi i ditës së Ashuras i fshinë mëkatet për një vit, ndërsa agjërimi i ditës së Arafatit për dy vjet, do t’i theksojmë dy mendime: E para është se dita e Arafatit ndodhet në muaj të shenjtë, porse edhe muaji përpara dhe ai që vijon janë gjithashtu muaj të shenjtë, gjë e cila nuk korrespondon me Ashuren. E dyta është se agjërimi i ditës së Arafatit është specifikë e umetit tonë, ndërsa Ashura është e trashëguar nga pejgamberët e mëparshëm, ashtu që me bereqetin e të dërguarit Muhammed salallahu alejhi ue selem, vlera e Arafatit është dyfishuar.

Duhet të theksojmë se agjërimi i kësaj dite është i pëlqyeshëm për atë njeri që nuk është në haxh, sepse Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, nuk ka agjëruar gjatë qëndrimit të vet në Arafat, madje ka edhe transmetime se ka ndaluar agjërimin në Arafat.

5- Në këtë ditë Allahu ka marrë besën nga bijtë e Ademit. Ibën Abasi radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Allahu ka marrë besën nga bijtë e Ademit në Arafat, i ka nxjerrë nga kurrizi i tij të gjitha krijesat, i ka shpërndarë para Vetes si grimca, pastaj u ka folur:

وَإِذْ أَخَذَ رَبُّكَ مِن بَنِي آدَمَ مِن ظُهُورِهِمْ ذُرِّيَّتَهُمْ وَأَشْهَدَهُمْ عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ أَلَسْتُ بِرَبِّكُمْ ۖ قَالُوا بَلَىٰ ۛ شَهِدْنَا ۛ أَن تَقُولُوا يَوْمَ الْقِيَامَةِ إِنَّا كُنَّا عَنْ هَٰذَا غَافِلِينَ (172) أَوْ تَقُولُوا إِنَّمَا أَشْرَكَ آبَاؤُنَا مِن قَبْلُ وَكُنَّا ذُرِّيَّةً مِّن بَعْدِهِمْ ۖ أَفَتُهْلِكُنَا بِمَا فَعَلَ الْمُبْطِلُونَ

“Përkujto kur Allahu Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Allahu juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!” Të mos thoni në ditën e kiametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur. Ose të mos thoni: “Prindërit tanë më parë  ishin  idhujtarë,  e  ne  ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?”. (El-A’raf: 172-173). Ahmedi, hadithi është i saktë.

6- Kjo është dita e shlyerjes së mëkateve, lirimit nga zjarri dhe e mburrjes që Allahu bën me ata që qëndrojnë në Arafat.

Transmeton Muslimi nga Aishja se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu liron njerëz nga zjarri i xhehenemit më shumë sesa në ditën e Arafatit. Ai afrohet dhe pastaj u mburret me ata melekëve, duke thënë: çfarë dëshirojnë këta njerëz?”. Kurse Ibën Umeri radijallahu anhuma, thotë se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Allahu mburret para melekëve ditën e Arafatit me ata që qëndrojnë në Arafat dhe thotë: shikoni robërit e Mi, më kanë ardhur të rraskapitur dhe të pluhurosur”. Ahmedi, hadithi është i saktë.

Ndaj në këtë ditë duhen shtuar lutjet për falje dhe lirim nga zjarri i xhehenemit, sepse shpresohet që në këtë ditë të pranohet lutja. Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, thotë: “Lutja më e mirë është lutja e Arafatit, kurse fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Pejgamberët para meje është: La ilahe ilallahu vahdehu la sherike lehu, lehul mulku ve lehul hamdu ve huve ala kuli shejin kadir”

“Nuk ka të adhuruar me meritë veç Allahut, të Vetëm dhe të Pashoq! I Tij është pushteti dhe Atij i takon lavdia! Dhe Ai për gjithçka është i Plotpushtetshëm!”. Tirmidhiu e ka saktësuar Albani.

Kështu që  muslimani  duhet  të caktojë  kohë  për  dhikër,  lutje  dhe kërkim falje gjatë kësaj dite madhështore, le të lutet për vetveten, për prindërit, për familjen dhe për mbarë muslimanët.

Etiketat