Dispozitat e therrjes së Kurbanit dhe ndarja e tij

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

ea31b8de-872f-42f6-9bbd-eff35ddb1de5_16x9_600x338

Dispozitat e therrjes së Kurbanit dhe ndarja e tij
Pyetje: Kurbani që theret për Bajram është detyrë (vaxhib) apo sunet?
Përgjigje: Bismilah, elhamdulilah, uesselatu uesselamu ala resulilah!
     Shumica e dijetarëve islamë përfshi këtu dhe medh’hebet e njohura si medh’hebi Maliki, Shafi’i dhe Hanbeli janë të mendimit se therja e Kurbanit për Bajram për atë që ka mundësi është sunet i fortë (suneh muekkedeh) dhe jo vaxhib. Imam Neveviu përmend se me këtë mendim janë edhe sahabët e nderuar si Ebu Bekri, Umeri dhe Ebu Mes’udi.  Ndërsa medh’hebi Hanefi dhe disa dijetarë si Euzai, Lejthi etj, janë të mendimit se Kurbani është detyrë për atë njeri që ka mundësi ta bëjë atë.
     Argumentet e të dyja palëve janë të ndryshme, mirëpo argumenti më i njohur me të cilin argumentohet medh’hebi Hanefi është hadithi i Ebu Hurejres që e transmeton Ahmedi në Musnedin e tij ku thuhet: “Kushdo që ka mundësi të bëjë Kurban dhe nuk e bën  atë mos t’i afrohet namazgjasë sonë.”
     Dijetarët e tjerë kanë shpjeguar se ky hadith në të vërtetë është transmetuar në versione të ndryshme si thënie e Ebu Hurejres dhe jo si fjalë Profetike siç shënohet në Sunenin e Darekutnit, Bejhekiut etj. Për këtë shikojmë se Imam Tirmidhiu, Bejhekiu dhe të tjerë thonë se ky transmetim është i saktë si thënie e Ebu Hurejres dhe jo si hadith profetik.
Përveç kësaj, shumica e dijetarëve ndër argumentet e tyre  të shumta përmendin dhe hadithin e Ummu Selemes në Sahihun e Muslimit ku Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë: “Kur të futen 10 ditët e para të muajit Dhul-Hixhe dhe ndonjëri ka mundësinë e Kurbanit dhe dëshiron të presë Kurban mos të shkurtojë flokët dhe mos të presë thonjtë (derisa të bëjë Kurbanin).” Në një version tjetër thuhet: “Kur të shikoni hënën e re të Dhul-Hixhes dhe kushdo prej jush ka dëshirë të bëjë Kurban…” Siç shikohet, Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka lënë në dëshirë çështjen e therjes së Kurbanit për Bajram dhe nuk shprehet se ajo është detyrë. Ky është mendimi më i fortë në dukje edhe pse ai që ka mundësi të bëjë Kurban dhe nuk e bën atë i ka ikur një shpërblim shumë i madh.
Pyetje: Në sa pjesë ndahet Kurbani dhe a mund të mbahet diçka për vete?
Përgjigje: Bismilah, elhamdulilah, uesselatu uesselamu ala resulilah!
Mishi i Kurbanit mund të ndahet në pjesë të ndryshme dhe u jepet kategorive të ndryshme të njerëzve qoftë si sadaka (lëmoshë) apo si dhuratë, por mund të mbahet edhe për vete një pjesë e tij. Allahu i Madhëruar në Kur’anin famëlartë thotë: “…Hani (prej mishit të tyre) dhe ushqeni atë që lyp, edhe atë që nuk lyp.” Surja El-Haxhxh 36. Ky ajet kuranor tregon qartë se mishin e Kurbanit mund ta ndajë çdo kush në tre pjesë. Një pjesë e mban për vete, një pjesë e jep sadaka (lëmoshë) dhe një pjesë ia jep atyre të cilët nuk lypin. Dijetarët kanë përmendur se ata që nuk lypin  janë ata njerëz të cilët kanë nevojë për lëmoshë mirëpo nuk e shfaqin veten e tyre  si të tillë, andaj atyre mishi u jepet në formë dhurate  dhe jo si lëmoshë. Zakonisht njerëz të tillë gjen brenda farefisit, prandaj dhe një pjesë e dijetarëve kanë thënë se mishi u jepet në formë dhurate pjestarëve të ndryshëm nga farefisi.
Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH