Dispozitat islame të pasurisë haram

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 9 minuta lexim

The-first-rule-of-asking-for-a-payrise

Dispozitat islame të pasurisë haram

Zoti e ka krijuar njeriun nevojtar ndaj materies, ndaj dhe nuk e ka privuar atë plotësisht prej saj, por duke qenë se materia nuk është gjithçka dhe se ajo shpesh bëhet e dëmshme, Ai ka vendosur kufizime, të cilat në thelb vetëm se e mbrojnë njeriun nga anët negative që mbart bota materiale.

Një nga problemet madhore me të cilat përballen sot besimtarët është edhe pasuria e fituar duke tejkaluar kufizimet e Zotit. Kjo pasuri e dëmshme njihet në të drejtën islame me termin haram, pra e ndaluar. Duke ditur rëndësinë që ka në jetën e një besimtari të qenit larg haramit, dijetarët islam kanë bërë maksimumin e tyre për të shpjeguar dispozitat fetare në këtë drejtim, si dhe për qartësuar çdo rast sesi njeriu duhet të ruhet apo pastroj pasurinë e tij nga elementët e haramit, që bëhen shkak për zemërimin e Zotit dhe largimin e begatisë dhe mbarësisë nga jeta e besimtarit. Në materialin e më poshtëm do të paraqesim disa norma dhe dispozita të përmbledhura, në lidhje me pasurinë haram, rezultate këto të një studimi akademik islam, në mbi 400 faqe. Studimi në fjalë (Dispozitat e Pasurisë Haram dhe Rregullat e Shfrytëzimit dhe Përfitimit prej saj në Ligjin Islam) është bërë nga Dr. Abas Ahmed El-Baz, nën kujdesin dhe recensimin e Shejh Prof. Dr. Umer Sulejman El-Eshkar (Allahu e mëshiroftë!).

Nga ky studim u bë e mundur të nxirren këto përfundime:

  • Pasuri haram është çdo pasuri të cilën feja ia ka ndaluar muslimanit ta posedojë ose zotërojë, qoftë kjo pasuri e ndaluar në vetvete (si objekt haram), apo e ndaluar për shkaqe të tjera (të jashtme).
  • Në mënyrë të përgjithshme duhet thënë se pasuria haram nuk konsiderohet pjesë e pasurisë së muslimanit, qoftë kjo sasi e vogël apo e madhe.
  • Pasuria e marrë haram nuk trashëgohet, sepse ajo vazhdon të jetë pronë e atij që i është marrë me pa të drejtë.
  • Pasuria e fituar nga një transaksion i pavlefshëm ose i paligjshëm fetarisht nuk është hallall, ai që e posedon atë e ka për detyrë të pastrohet prej saj.
  • Pasuria e zotëruar nga një transaksion për të cilin nuk ka konsensus mes dijetarëve, nuk gjykohet si haram, nëse mospajtimi mes tyre është i fortë. Jo çdo gjë për të cilën një dijetar beson se është haram, ajo është e tillë.
  • Pasuria e fituar haram para se dikush të bëhej musliman, është hallall për të pasi ai të jetë bërë musliman. Ky njeri nuk e ka detyrim të pastrohet prej saj.
  • Pasuria e gjetur (p.sh. send i humbur), është haram për atë që e vë në pronësi të tij, nëse ai nuk e bën më parë atë publike. Por, pas kësaj, është hallall për aq kohë sa nuk njihet pronari i saj.
  • Pasuria e fituar haram nga padija, është hallall për atë që e ka fituar, nëse kjo ka ndodhur në një situatë padije.
  • Atë pasuri që feja e ka gjykuar si haram në vendet muslimane, si kamata, bixhozi… etj, ngelet haram për muslimanët në çdo vend. Mendimet e tjera nuk merren në konsideratë në këtë çështje.
  • Fitimi i nxjerrë nga investimi i pasurisë me kamatë në vendet jomuslimane, është haram dhe nuk lejohet të merret.
  • Transaksioni me poseduesin e pasurisë haram, për një send haram, është i ndaluar.
  • Transaksioni me poseduesin e pasurisë haram, (për një send hallall) kur ajo është e përzierë me hallallin, lejohet, por është e papëlqyeshme.
  • Transaksioni me një musliman të paidentifikuar (si mbartës i haramit), por për të cilin dyshohet, lejohet pa asnjë ndalesë.
  • Transaksioni me një jomusliman lejohet, sido që ai ta ketë fituar pasurinë, nga harami apo hallalli, nëse ky transaksion kryhet në përputhje me rregullat e fesë dhe dispozitat e sheriatit.
  • Harami në pasuri është një gjykim që e merr poseduesi i kësaj pasurie dhe jo vetë malli në qenësinë e tij.
  • Pasuria haram nuk lejohet që të shkatërrohet duke u djegur, prishur ose hedhur në det.
  • Pasuria haram nuk lejohet të përfitohet prej saj nga askush, përveç asaj që përcakton sheriati.
  • Pasuria haram, e cila nuk i dihet pronari, shpenzohet për të varfrit, nevojtarët dhe nevojat publike të muslimanëve.
  • Pastrimi i pasurisë haram, duke ia dhuruar atë të varfërve, nevojtarëve ose duke e përdorur për nevojat publike të muslimanëve, nuk konsiderohet sadaka (lëmoshë), për të cilën merret shpërblim (sevab). Ky veprim është thjesht pastrim nga gjynahu dhe lirim nga barra e mëkatit që rëndon ndërgjegjen e poseduesit dhe ndot pasurinë e tij.
  • Kthimi i pasurisë, pronarit të ligjshëm, kur ai dihet, ose dhënia e saj të varfërve dhe nevojtarëve, kur nuk dihet, është një nga kushtet e pranimit të pendimit dhe pastrimit nga pasuria haram.
  • Ekzistenca e pasurisë haram në thesarin e shtetit, nuk është shkak për të mos punuar me të, kjo së pari se ajo nuk dihet se ku është (sepse është e përzier) dhe së dyti, për shkak të nevojës që kanë njerëzit për punë.
  • Pasuria hallall e dhënë si vleftë monetare për kryerjen e një gjynahu, del nga pronësia e poseduesit të saj dhe i takon të varfërve, nevojtarëve ose për nevojat e përgjithshme të muslimanëve.
  • Tek objektet publike që plotësojnë interesat e muslimanëve futen shkollat, rrugët, spitalet, klinikat mjekësore, bursat për studentët… etj.
  • Nuk lejohet ndërtimi i xhamive ose marrja e objekteve ku falet namazi, me pasuri haram, sepse Allahu është i mirë (i dëlirë) dhe nuk pranon vetëm se të mirën (të dëlirën).
  • Lejohet për muslimanin të shpenzojë për vete dhe familjen e tij nga pasuria haram, nëse është i detyruar për këtë dhe nuk mundet të sigurojë dot pasuri hallall.
  • Lejohet marrja e borxhit nga borxhliu i cili posedon pasuri haram, nëse kjo pasuri haram nuk ka një pronar të veçantë.
  • Haxhi që kryhet me pasuri haram, është i saktë dhe ai shlyen obligimin, por një veprim i tillë është i gabuar dhe me të nuk fitohet shpërblim.
  • Kompensimi nëpërmjet pasurisë haram, i dëmit të shkaktuar nga inflacioni dhe dobësimi i forcës blerëse të monedhës, është haram, sepse kjo përligj konsumimin e kamatës, haram.
  • Shlyerja e taksave nga pasuria haram, është haram, sepse kjo përligj konsumimin e pasurisë së ndaluar, haram.
  • Fitimi që del nga investimi i pasurisë haram merr të njëjtin gjykim si kapitali që e solli atë fitim. Nuk lejohet të përfitohet prej tij asgjë, sepse djersa e derdhur në haram nuk meriton asgjë.
  • Pastrimi i parave haram ose i pasurisë së pisët, është i ndaluar fetarisht dhe ligjërisht, sepse kjo pasuri fitohet nëpërmjet metodave të ndaluara dhe sepse kjo gjë u jep mundësi bandave kriminale të vënë nën kontroll shtetin dhe institucionet e tij.
  • Pasuria haram që përfitohet nga pastrimi parave, pasi sekuestrohet dhe bllokohet nga shteti, i takon të varfërve, nevojtarëve dhe interesave publike (të qytetarëve).