Dituria dhe Edukata

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

Kadiu Fehd Jahja El-Amarij

O ju dijetarë, mësues dhe edukatorë!

  • Kombinimi dhe bashkimi mes diturisë, predikimit dhe edukimit është metodë Hyjnore, me burim (original) nga Kurani dhe Suneti Profetik.
  • Këto dy shtylla të lartpërmendura janë të lidhura me njëra-tjetrën, asnjëra nuk mund të jetë e pavarur nga tjetra gjatë rrugëtimit të dijes, mësimit dhe mësimdhënies.

Ibnu Mes’udi –Allahu qoftë i kënaqur me të- ka thënë: ‘’Pejgamberi -paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të- i kujdesej që të na këshillonte në ditë të caktuara gjatë javës.’’ Të njëjtën metodë e vazhdoi Ibnu Mes’udi dhe dijetarët pas tij.

  • Kjo metodë është shkaku kryesor për baraspeshimin e gjërave, ngritjen e moralit, të menduarit dhe edukatës.
  • Është shkak i plotësimit të arsyes, urtësisë, qëndrueshmërisë, pastrimit të shpirtit dhe rrënjosjes së modestisë në dituri dhe praktikë.
  • Është shkak i përfitimit të edukatës gjatë marrjes së diturisë dhe edukatës gjatë mësimit dhe me mësuesin; sikurse është mjekimin për sëmundjet e zemrës.
  • Kjo metodë lë gjurmë të thellë në vlerësimin, përzgjedhjen, kërkimin akademik, si dhe mënjanimin e çdo fodullëku të shfaqur në dituri.
  • Përqendrimi në njërën prej shtyllave të lartpërmendura dhe neglizhimi i tjetrës, doemos do çojë në shfaqjen e çrregullimeve dhe destabilizim gjatë rrugëtimit, sidomos në kohën kur shfaqen trazirat (fitnet).
  • Doemos shfaq ligësi dhe dobësi në trajtimin e veprave të zemrës, veprave të jashtme (gjymtyrëve), moralit dhe edukatës ndaj diturisë dhe me bartësve të saj.
  • Sjelljen e keqe me mësuesit, hoxhallarët apo dhe me kundërshtarët e tyre; sëmundjet e zemrës, fodullëku në dituri dhe devijimi gjatë rrugës, të cilën e dëshmojmë te disa kërkues të dijes, janë si rezultat i neglizhimit të metodës së besimit, edukatës dhe si rezultat i neglizhimit të pastrimit shpirtëror.
  • Dituria nuk ka fund në jetën e kërkuesit të dijes, po ashtu edhe edukimi i shpirtit, ndaj asnjëherë mos e ndal rrugëtimin e njërës prej këtyre të dyjave; sepse ato janë furnizimi i vërtetë i diturisë dhe përçimit tek të tjerët. Çdokush që ndal rrugëtimin e njërës prej këtyre të dyjave do t’i çrregullohen balancat. Është thënë: ‘’Ajo që e çon njeriun në braktisjen e shtimit të diturisë, është përfitimi i tij i paktë me atë që ka mësuar.’’
  • Prej obligueshmërisë në rrugëtimin e diturisë dhe edukimit, është përkujdesja ndaj programeve mësimore dhe metodave edukative dhe besimit, duke lexuar dhe shpjeguar, në katedrat e përcaktuara ku mësohet dituria, sikur: xhamitë, akademitë e ndryshme, universitetet, kurse, programe akademike. E gjithë kjo, në mënyrë që mos të na dalë në pah një gjeneratë e cila mbart dituri pa edukatë dhe pa moral.
  • Metodat e ndryshme të predikimit dhe edukimit, sigurisht që lenë gjurmë të mëdha në zemrat e nxënësve.
  • Kujdes, mos e ndani në asnjë mënyrë diturinë prej edukatës, sepse janë dy gjëra të pa ndara dhe ecin paralelisht njëra me tjetrën. Sa herë që do të bëhet ndarja e njërës nga tjetra, do të sjellin përfundime të pakëndshme në metodologji, trajtime dhe edukatën e mësimarrjes.
  • O Ambasador i dijes dhe i thirrjes: ‘’Dituria pa edukatë është sikur një pemë pa gjethe dhe pa fryte.’’
  • Dituria pa edukatë, është një e keqe prej të cilës duhet kërkuar mbrojtje prej Allahut, çdo e keqe që është shfaqur sot mes nesh, është thjeshtë një fryt i cili rrjedhë nga dituria e zhveshur prej edukatës.
  • Dituria e zhveshur prej edukatës, dëmin e ka më të madh sesa dobinë, ndërsa dituria e shoqëruar me edukatë do të prodhojë pikërisht rezultatet e kërkuara. Krenaria e muslimanëve është goditur pikërisht në ditën kur është ndarë edukata prej diturisë. Sa të ngratë janë ata që mbartin diturinë pa edukatë dhe sa zullumqarë që janë me të tjerët. Lumturia e vërtetë nuk arrihet me një dituri të zhveshur nga edukata, ndërsa bashkimi dhe mosndarja e diturisë me edukatën çdoherë ka qenë funksioni i Pejgamberëve – paqja e Zotit qoftë mbi ta-, të cilën e sqaron shpallja në këtë ajet: “Po kështu, (për të plotësuar mirësinë Time ndaj jush) ju kam sjellë një të Dërguar, nga mesi juaj, i cili ju lexon shpalljet Tona, ju pastron (nga gjynahet), ju mëson Librin (Kuranin) e Urtësinë (rregullat e fesë) dhe ju mëson ato gjëra që nuk i keni ditur”. ( Bekare: 151)
  • Dija ka nevojë që ta ruash dhe të përkujdesesh për të, në të kundërtën ajo do të kthehet në armikun tënd dhe do të shndërrohet thjesht në një vegël për t’i shtypur të tjerët; do të jetë një portë për devijimin tënd, daljen dhe humbjen e rrugës së vërtetë.

Nëpërmjet saj do ta ndryshosh fenë, si pasojë e  arsyetimeve, interpretime dhe polemikave të ndryshme. Do të jetë portë e nxjerrjes së njerëzve nga feja; e etiketimit të tyre si ‘’bidatçi’’ apo ‘’mëkatarë’’, duke mos qenë në përputhshmëri me udhëzimin e Allahut dhe as metodën e të Dërguarit të Tij – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të- .

  • Pastaj kjo hap rrugën e ofendimit të dijetarëve dhe atyre të cilët e kanë vendosur tashmë barrën e tyre në Xhenet -janë prej banorëve të Xhenetit-, nga njerëz të vegjël dhe pa vlerë. E për këtë ‘’trashëgimi’’ përgjegjësinë e saj do ta mbajnë ata që e kanë sjellë brez pas brezi, për të cilën do të merren në llogari Ditën e Gjykimit.
  • Imam Er-Razij –Allahu e mëshiroftë– ka thënë: ‘’Shpëtimi nga tirania e diturinë, është vetëm Adhurimi’’ Adhurimi i Allahut nëpër mihrabe, namazi natës dhe agjërimi, do të mbrojnë nga dëmi që mund të ta sjellë dituria, zbukurimet dhe fodullëku i saj.

Adhurimi i Allahut doemos do të mbjellë tek ti frikën, moralin e lartë, devotshmërinë, të mos folurit në emër të Allahut pa dije; do ta ruajnë gjuhën tënde, do të mbajnë larg nga të dyshimtat dhe do të jetë shkak që t’i përmbahesh Sunetit dhe rrugës së të parëve tanë.

 

Allahun e lus të më furnizojë mua dhe juve me dituri dhe vepra të dobishme.

 

Përktheu: Abdulkadir Musa