Drejtësia në luftë

Lidhja e Hoxhallarëve
10 minuta lexim

H. Justinian Topulli

Lufta, edhe pse e dhimbshme dhe me pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë e njerëzve, ka qenë dhe është një nga ngjarjet më të shpeshta në jetën njerëzore, për mirë ose për keq, për drejtësi ose padrejtësi. Edhe pse lufta është një aktivitet i ashpër, që zhbën rrjedhën normale të jetës njerëzore, ajo është shpesh e pashmangshme dhe e nevojshme. Por, duke qenë se lufta kërkon një dalje nga normaliteti njerëzor, qoftë fizik apo emocional, mundësia për të gabuar dhe për të rënë në gjynahe është e madhe.

Ndjenjat e dhimbjes, hakmarrjes dhe urrejtjes që shkakton një agresion luftarak janë të skajshme dhe sfida për të ruajtur të njëjtën masë në reagim, domethënë drejtësinë, është tepër e vështirë. Teprimet dhe tejkalimet janë ndër shkaqet kryesore pse shumë prej luftërave zgjatin dhe nuk mbyllen kurrë. Secila palë e përligj vazhdimin e luftës pikërisht me agresionin e padrejtë të palës tjetër apo teprimin në hakmarrje të saj. Nëse dikush vret një njeri, pala tjetër, në urrejtje e sipër, hakmerret duke vrarë më shumë, dhe kjo u jep të parëve të drejtën të kundërpërgjigjen në të njëjtën mënyrë, duke vrarë akoma më shumë, dhe kështu lufta vazhdon pa mbarim.

Por luftërat nuk kufizohen vetëm te ato me armë, por edhe te propaganda dhe ligjërimi, të cilat shpesh, për nga gjuha e përdorur, e tejkalojnë padrejtësinë dhe teprimin e atyre me mjete ushtarake.

Ne, si muslimanë, jemi urdhëruar të jemi paqësorë në normalitetin tonë me të gjithë njerëzit, por jo edhe të nënshtruar ndaj agresorëve dhe zullumqarëve. I Dërguari i Allahut i këshillonte shokët e tij të mos dëshironin të ndesheshin me armiqtë dhe t’i luteshin Allahut që t’ua shmangte përballjen, por, nëse ata gjendeshin përballë betejës, nuk duhej të tërhiqeshin e të dezertonin, por duhej ta dinin se tashmë Xheneti do të ishte për ta nën hijen e shpatave.

Dhe, sigurisht, nga urdhërimet më madhështore të Kuranit është të qenit i drejtë, në çdo rast dhe në çdo moment, sidomos në rast lufte. E ku më tepër sesa në luftë?!

Allahu urdhëron dhe thotë në Kuran:

“Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju luftojnë; por mos kaloni kufijtë (e drejtësisë), sepse Allahu nuk i do ata që i tejkalojnë kufijtë.” (el-Bekare: 190)

Kufijtë e së drejtës në luftë kalohen dhe tejkalohen shumë lehtë; njerëzit e kanë të vështirë të vetëpërmbahen, por detyrimi për të zbatuar urdhrin e Zotit është më parësor se çdo zemërim njerëzor. Ndaj, në Islam është e ndaluar të vriten ata pjesëtarë të popullsisë së armikut që nuk janë përfshirë në luftë, duke specifikuar në veçanti gratë, fëmijët, pleqtë dhe murgjit, sepse zakonisht të tillë njerëz nuk marrin pjesë në luftime.

Drejtësia nuk është privilegj dhe as favor, që ne mund t’ua japim apo t’ua kursejmë armiqve tanë; ajo është obligim hyjnor dhe hak i Zotit, qofshin këta edhe armiqtë më të egër. Allahu i urdhëroi muslimanët e parë të jenë të drejtë edhe me kurejshët, që ua kishin nxirë jetën me zullumet dhe krimet e tyre, dhe urrejtja ndaj tyre kishte arritur kulmin. Ai urdhëron e thotë:

“O ju që keni besuar! Qëndroni të palëkundur për hir të Allahut, dëshmitarë të drejtësisë; dhe kurrsesi të mos ju shtyjë urrejtja ndaj ndonjë populli që të mos veproni drejt.” (el-Maide: 8)

Ky ajet vlen në çdo kohë dhe për të gjithë.

Por një nga hadithet që keqkuptohet në këtë drejtim është hadithi i njohur, që përcjellin Buhariu dhe Muslimi, i cili flet për fundin e kohëve, kur muslimanët do të luftojnë me jehudët dhe do t’i mundin ata, aq sa edhe pemët dhe gurët do të tregojnë për jehudët që ndodhen pas tyre, përveç një peme që quhet pema e jehudëve. Një pjesë mund ta keqkuptojë këtë hadith si urdhër apo thirrje për shfarosjen e të gjithë jehudëve, ndërkohë që nuk është aspak kështu.

Së pari, hadithi lidhet me kohën e ardhjes së Isait (alejhi selam) dhe betejën e tij me Dexhalin, të cilin, siç thuhet në një hadith tjetër, do ta pasojnë shtatëdhjetë mijë jehudë nga Isfahani. Kjo sqarohet, siç thotë Bejhekiu, nga hadithi që përcjellin Ebu Umameh dhe Semureh ibn Xhundub, ku flitet për betejën e Isait bashkë me muslimët kundër Dexhalit dhe ushtrisë së tij; në të thuhet e njëjta gjë për pemët dhe gurët, por aty nuk etiketohen si jehudë, por si kafirë.

Së dyti, hadithi flet për ata jehudë që marrin pjesë në këtë betejë, dhe jo për çdo jehud të mundshëm, dhe kjo është mjaft e qartë kur thuhet: “Nuk do të bëhet Kiameti derisa muslimanët të luftojnë me jehudët dhe muslimanët do t’i vrasin ata.” Dy mundësi ka: ose në atë luftë ata jehudë që do të luftojnë përkrah Dexhalit do të jenë jehudët e vetëm të mbetur në botë – çka është e vështirë të mendohet – ose, ajo që është tepër e qartë, bëhet fjalë vetëm për ata jehudë luftëtarë që ndodhen në këtë betejë.

Së treti, hadithi nuk jep ndonjë urdhër për vrasjen e mbarë jehudëve, por tregon se çfarë do të ndodhë në betejë me jehudët kundër të cilëve po luftohet.
Së katërti, vetë hadithi tregon se madje edhe këta jehudë luftëtarë nuk do të mund të vriten të gjithë, sepse një pjesë e tyre do të shpëtojë duke u fshehur pas pemës së garkadit (Nitraria, një lloj shkurreje).

Së fundi, në asnjë dispozitë islame nuk bëhet thirrje për shfarosje gjenocidale të armikut dhe popullit të tij, në asnjë rast. Shembulli më i mirë është vetë i Dërguari i Zotit, i cili, edhe pse luftoi disa herë me jehudët që e tradhtuan, nuk ndërmori gjenocid ndaj tyre. Ashtu siç e dimë, edhe pasi tre fiset e mëdha të jehudëve, që tradhtuan marrëveshjen me Profetin, u dëbuan nga Medina, pati përsëri jehudë në të, te njëri prej të cilëve Profeti (alejhi salatu ue selam), në fund të jetës së tij, kishte lënë peng mburojën, si pagesë për drithin që kishte huazuar prej tij.

Dispozitat e Islamit në luftë janë të përcaktuara qartë, si ajeti që cituam më sipër, dhe nuk bëjnë dallime mes njerëzve; për më tepër, jehudët dhe të krishterët kanë status të veçantë në Ligjin Islam, dhe me ta lejohen marrëdhënie njerëzore që janë të ndaluara me të tjerët, pavarësisht faktit se të dy, sipas Islamit, konsiderohen si mohues (kufar).

Islami nuk e njeh dhe as e pranon hakmarrjen kolektive etnike; ai penalizon vetëm kriminelët dhe ata që përfshihen në krime. Kështu që as Hitleri dhe as ndonjë i ngjashëm me të nuk janë modele dhe as heronj për ne, për shkak se kanë shfarosur hebrenjtë në mënyrë gjenocidale. Për ne nuk vlen as shembulli biblik i Amalekëve, që disa sionistë e marrin si dispozitë hyjnore për të shfarosur edhe gratë, pleqtë e fëmijët e armiqve të tyre.

Ne shohim se si në botë, madje edhe brenda shtetit sionist, ka njerëz, sado pak, që ngrenë zërin dhe kundërshtojnë ato krime që ky shtet u bën palestinezëve. Kështu që gabimi që bëjnë disa, qëllimisht ose jo, duke e lidhur të drejtën e ekzistencës së shtetit sionist me të drejtën për të jetuar të jehudëve, është i pasaktë. E drejta për të jetuar e çdo njeriu, apo e çdo kombi dhe etnie, nuk lidhet me të drejtën për të pasur shtet, aq më tepër kur ky shtet ngrihet duke grabitur, vrarë dhe dëbuar një popull tjetër.