Emërtimi “Hoxhë” midis titullit të merituar dhe etiketimit abuziv

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 9 minuta lexim

lkjhgfzEmërtimi “Hoxhë” midis titullit të merituar dhe etiketimit abuziv

Nga Xhemis Stafa

Para pak kohesh punonjësit e restaurimit të xhamisë së Nazareshes,( e cila daton në vitin 1599) gjeten një gur në formën e një çallme. Kjo më kujtoi një prej historive gazmore, por dhe domethënëse të një hoxhe, të cilit i bën një pyetje dhe ai modestisht iu përgjigjë që nuk e dinte. Mirëpo pyetësi i çuditur nga përgjigja negative ia ktheu duke i thënë: -Si nuk e di, kur ti ke gjithë atë çallmë të madhe në kokë?! Hoxha i urtë atëherë i tha: Urdhëro çallmën time, vendose në kokë dhe mu përgjigj ti! Kjo për t’i treguar se nuk është çallma ajo që jep përgjigjet, por koka.

Duke marre shkas nga ngjarja e mediatizuar nga emisioni “Me zemër të hapur” në televizionin News24 u ndjeva i indinjuar për keqpërdorimin e emrit “hoxhe” aty. Nuk dua të mendoj se ky emërtim është bërë qëllimisht. Në gjuhën tonë kjo fjalë është e njohur, mirëpo përdorimi i saj në mënyrën e gabuar dhe për personin e gabuar vjen për disa arsye:

Së pari për shkak të një të kaluare të errët ateiste, ku ky emërtim ose klerikët që emërtoheshin me këtë emër bëheshin preh e një propagande denigruese. Figura e hoxhës ose klerikut fetar ishte në qendër të sulmeve nga më të ndryshme, duke filluar nga shpifjet, shantazhet, akuzat, denigrimet, internimet dhe burgosjeve. Nuk na harrohet se si sistemi komunist dënoi me anë të shpifjeve një figurë të dashur për muslimanët shqiptar pas viteve 90’, plakun e bardhë, hoxhën e nderuar hafiz Sabri Koci. Burgosja e tij u bë për shkak të shpifjeve të ulëta dhe për shkak se ai përfaqësonte një njeri me vlera të larta besimi. Ai u përballë me një sistem të sofistikuar shantazhi, i përligjur nga neni famëkeq i “agjitacionit dhe propagandës”, nga akuzat e tilla si “armik i klasave” dhe “armik i partisë”, që përmblidhen në një shprehje të vetme “armik i diktaturës”. Deformimi meditiak i qëllimtë nga sistemi komunist i klerikut, me virtyte të larta fetare dhe intelektuale behej për të mbjellë në popull urrejtje, e shoqëruar kjo natyrisht nga maksima marksiste se “feja është opium për popullin” dhe “feja është prapambetje” etj. Mashtrimet e diktaturës komuniste në fakt opiumizuan shoqërinë dhe lanë pasoja të mëdha te populli shqiptar, pasoja këto të cilat fatkeqësisht i trashëgojmë edhe sot e kësaj dite. Mbas 23 viteve demokraci populli shqiptar duket se është çliruar disi nga ndikimet ateiste. Liria fetare, hapja e xhamive, institucioneve fetare, botimi i librave të besimit etj, kanë ndikuar që njerëzit të rigjejnë natyrshmërinë e tyre të mohuar dhe të grabitur për shume vite me radhe. Sot njerëzit kanë kontakt më të shpeshtë me fenë, institucionet e saj, librat fetare dhe hoxhallarët e vërtetë. Ndërkohë vëmë re se ky kontakt u mungon shpesh qarqeve mediatike, redaksive, kryeredaktorëve, gazetarëve të medias së shkruar dhe vizive. Gazetarët, qoftë dhe për kulturë qytetare, duhet të kenë disa njohuri rreth feve, qytetërimeve dhe kulturave, me qëllim që të përçojnë te njerëzit njohuri dhe lajme të sakta. Për tu ardhur në ndihmë gazetarëve, kryeredaktorëve apo dhe opinionit publik, po japim një përkufizim të termit gjuhësor dhe fetar të fjalës hoxhë.
Fjala hoxhe vjen në gjuhën shqipe nga fjala turke “hoça”
e cila origjinën e ka nga persishtja khauaxha, që do të thotë mjeshtër, zotëri. Nganjëherë në gjuhën e popullit mund hoxha përkufizohet si, njeriu që ka dituri dhe zgjuarsi dhe di t’i vendosë gjërat në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, duke përdorur mënyrën e duhur. (kujtoni Nastradin hoxhën)
Në terminologjinë fetare titulli “Hoxhë” i atribuohet klerikut islam ose studiuesit të sinqertë fetar, i cili ka mbaruar një shkollë fetare islame dhe është i aftë të njohë dhe interpretojë parimet bazë të fesë dhe ka njohuri universale dhe të thella të jurisprudencës islame. Ai mund të jetë punonjës i një bashkësie islame, si imam, hatib… etj, por dhe mund ta performojë diturinë e tij fetare qoftë si një intelektual i pavarur, apo funksionar i ndonjë organizate islame të njohur. Pra në thelb titulli “hoxhë”, i jepet personit tek i cili ndërthuren dy përkufizime, dhe si cilësi kryesore ka sinqeritetin dhe arsimimin fetar. Titulli “hoxhë” nuk mund t’i vendoset çdo njeriu, sepse ai nuk është thjesht etikete, që çdo kush mund ta varë në qafë, por ai është titull që të obligon përgjegjësi të mëdha, të cilat kërkojnë sinqeritet dhe aftësi për t’i mbajtur. Pikërisht asnjë prej nesh sot nuk thotë se, diktatori Enver Hoxha kishte titullin “hoxhë”, meqë kishte këtë mbiemër, sepse ai ishte i kundërt i hoxhës. Po kështu ç’mund të themi për atë person që mashtron, është fallxhor ose magjistar? Sigurisht që të tillë njerëz janë në skajin tjetër të botës për të pasur këtë titull. Fatkeqësisht këtë titull, në periudhën e tranzicionit në Shqipëri, e kanë marrë edhe njerëz jo të meritueshëm, për shkak të mungesës së kuadrove fetarë në vend. Nga kjo mungesë ka ardhur dhe keqkuptimi dhe mosnjohja nga njerëzit e personit që është hoxhë i vërtetë me titull  dhe një mashtruesi, fallxhori, apo magjistari përfitues, matrapazi, i cili etiketohet gabimisht me titullin “hoxhe”, por që ka abuzuar nga mos njohja e njerëzve që kanë në çështjet e fesë. Shyqyr Zotit, sot kemi një bashkësi të madhe fetare islame, një institucion fetar, kemi imam dhe hoxhallarë të përgatitur në fushat e njohurive islame dhe është e patolerueshme për këdo që të quaj me titullin “hoxhë”, një fallxhor, mashtrues, magjistar apo diktator që s’ka lidhje aspak as me sinqeritetin e as me arsimin akademik fetar islam. Për këtë gjë i bej thirrje edhe Komunitetit Musliman, që për raste të tilla të prononcohet zyrtarisht, sikurse bëri në rastin e përmendur më lart. I bëj thirrje personave që i atribuojnë vetes këtë titull, që të heqin dorë prej mashtrimeve.
I bëj thirrje medias së shkruar dhe vizive, redaksive të gazetave, kryeredaktoreve, gazetareve, drejtuesve të programeve dhe emisioneve televizive që të përdorin termat e duhur dhe fjalët e duhura, me qëllim që të mos përçojnë mesazhe të gabuara tek njerëzit, duke shkaktuar kështu dëme morale, që i shkojnë për shtat vetëm dezinformimit të periudhës komuniste.

I bëj thirrje edhe besimtareve që të sensibilizojnë të afërmit e tyre rreth këtij termi, me qëllim që shoqëria jonë të jetë në gjendje t’i identifikojë lehtësisht disa fenomene dhe persona negativë dhe të qe mos i ngatërrojë ata me staturën e vërtetë të hoxhës, në këtë periudhe postkomuniste.