Emocionet e një udhëtimi në Vendet e Shenjta të Islamit
Nga hoxhë Sokol Kondakçiu
Në jeten e një besimtari ka disa momente të cilat janë të papërsëritshme dhe të pakonvertueshme në një vlerë të caktuar. Ato janë momentet ku ndoshta nëpërmjet një telefonate mund të informohesh, se ke fatin të bëhesh vizitor i Qabes së Madhnueshme, duke mos e planifikuar këtë gjë. Kushdo nga ne do t’i përgjigjej me një po, nëse kjo dhuratë do të na vinte në formen e një pyetje se: a dëshiron të shkosh në umra?
Pas kësaj besimtari mendon, se kjo umra është një dhuratë e madhe, të cilën Allahu i Madhëruar ia ka dhënë atij dhe është një privilegj për atë gjithashtu, ndërkohë që shumë dëshirojnë të jenë të tillë, por mundësitë dhe kushtet nuk ua lejojnë.
Prej këtu nisin dhe vërshojnë mendimet. Padyshim që një musliman i mirë duhet të mendojë se çdo gjë që ndodh në këtë botë ndodh me lejen e Allahut të Madhëruar dhe se çdo gjë ka kuptimin dhe urtësinë e vet.
Mendimet vërshojnë, ndoshta ka ardhur koha për ta ndryshuar mënyrën e jetesës, ndoshta ka ardhur momenti dhe rasti për të plotësuar mangësitë me sevape nëpërmjet umres, me namaze, lutje dhe tavaf në Qabe. Kjo ndoshta mund të jetë një mundësi që të jepet ty për të ndryshuar dhe kjo nga mirësia e Zotit tënd për ty. Ndoshta mund të jetë kjo dhe mundësia jote e fundit dhe Zoti yt dëshiron të të lehtësojë e të nderojë para takimit me të. I Dërguari i Allahut thotë për vizitën e Qabes:
“Nga Umra në Umre fshihen gjynahet mes tyre…” Buhari dhe Muslimi. Megjithatë momentet e gëzuara fillojnë që kur e merr lajmin e më pas bëhesh gati për një udhetim të tillë, i cili është një udhëtim i lartësimit të shpirtit dhe i përsosjes së qenies tonë. Stacioni i parë i këtij udhëtimi ishte nisja me avion. Në sytë e vëllezërve të tjere shihej një gezim i pafshehur po ashtu dhe në fjalët e tyre, e si të mos ishim të atillë ne ishim nisur për umra.
Një stacion i rëndësishëm në këtë udhëtim shpirtëror ishte veshja e ihramit të bardhë dhe zhveshja nga rrobat e përditshmërisë, dhe në këtë moment e sheh atë që pak më parë të dukej si ëndërr, se ti po i afrohesh më shumë drejt destinacionit, dhe kupton se ëndrra po bëhet realitet. Në këto momente jo vetëm ti, por edhe ata që të shohin, të shohin me një zili nga malli dhe dëshira që kanë për të shkuar në Qabe, me ihramin e bardhë të gjithë duke qëndruar në një vend të grumbulluar. Në një nga aeroportet e Turqisë ne dukeshim si ata pëllumbat e bardhë të paqes, që donim vetëm të shtegtonim në Vendet e Shenjta, dhe aty ku gjen burimin e paqes dhe të mirësisë. Disa shikonin me habi, ngase jeta e kësaj bote është aq e vrrullshme dhe aq e rrëmbyeshme, saqë të merr me vete dhe të bën të harrosh deri në momentin kur e sheh një pamje të tillë dhe ndoshta mendon thellë në brendinë e tij dhe me një shikim dëshpërues sikur po të thotë: “Një ditë edhe unë do të kthehem”.
Një nga stacionet e këtij udhëtimi është stacioni i destinacionit, ku një udhëtar me padurim dëshiron të jetë përballë shtëpisë së Allahut, pikërisht në Qaben e Madhnueshme e ta përshëndesë atë, të bëjë tavafin me shtatë rrotullimet rreth tij, duke u lutur e duke u përmalluar me të. Këto emocione bëhen ende më të forta, kur mendon se pikërisht këtu vetë i Dërguari i Allahut ka lindur dhe është rritur është bërë profet dhe prej këtu ka nisur të bëjë thirrje në rrugë të Allahut. Në momente të tilla sjell ndërmend historinë e profetit Muhamed a.s. me të gjitha gëzimet, hidhërimet, dhe me vuajtjet e Tij, dhe të duket se edhe ti je një copëz e vogël brenda kësaj historie.
Falja e dy rekateve në Mekamin e Ibrahimit aty ku profeti Ibrahim fali namaz pas përfundimit të rindërtimit të Qabes së Madhnueshme dhe u lut për pasardhësit e tij, që ata t’i bëjë një umet të madh e të përkushtuar. Në këto momente emocionuese mes besimit, përkushtimit dhe përmallimit, mendja të shkon tek vetja, duke i thënë: Elhamdulilah,… unë jam prej umetit të Muhamedit a.s., unë jam përfshirë në lutjen e profetit Ibrahim a.s.
Pas kësaj pirja e ujit të Zemzemit ndaj të cilit kishim etje trupore dhe shpirtërore na kujton mrekullinë e Allahut në historikun e këtij burimi. Ajo që të shkon ndërmend në këto momente është, se duhet të kalojme një provë, e ajo është pirja e sa më shumë ujë deri sa të fryhesh, ashtu si ka vepruar vetë Profeti a.s., sepse munafikët nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Me këtë pirje shuhet etja trupore dhe pjesërisht ajo shpirtërore nisur me një bismilah dhe përfunduar me elhamdulilah për këtë mirësi.
Saji, xhirot mes Safasë dhe Mervesë janë një tjetër stacion, ku na kujtohet Haxhireja me fëmijën e saj, Ismailin. Aty kupton se sa të lodhshme janë ato xhiro, por po ashtu kupton se një mundim të tillë nuk do ta bëje për diçka tjetër. Ne lidhje me këtë me kujtohen diskutimet mes vëllezërve, se kjo me të vërtetë ishte e mundimshme, sidomos në temperatura të larta, dhe pas një lodhje nga udhëtimi pa pushim. Dikush me thoshte, se një mundim të tillë nuk do ta bëja në asnjë vend tjetër, por këtu e bëj me një dëshirë dhe vullnet të madh dhe për këtë falënderimi i takon Allahut, që na bëri besimtarë muslimanë.
Nëse mendojme se kjo ishte në ndjekje të asaj që bëri Haxhireja, si mundim për të gjetur ujë për fëmijen e saj, atëherë e gjithë jeta është mundim dhe përpjekje për të jetuar e për të qenë kërkues dhe ambicioz për të arritur tek më e mira, dhe kjo nuk arrihet vetëm me përpjekje të vazhdueshme, por edhe me një mbështetje të fortë tek Krijuesi dhe Furnizuesi.
Një nga stacionet emocionuese të këtij udhëtimi ishte edhe mbërritja në Medinen e Profetit Muhamed a.s. Pikërisht aty ku profeti ynë u përkrah nga ensarët dhe aty ku fitoi betejat më vendimtare të Islamit, të cilat nuk ishin qëllim në vetvete. Kjo mirësi duhet të plotësohej me këtë vizitë dhe xhaminë me namazet në të dhe tek Reuda, të cilën Profeti a.s. e ka cilësuar si lulishte të xhenetit. Ky udhëtim nuk mund të ishte i plotë pa i dhënë selam të zotit të shtëpisë dhe mësuesit të njerezisë, të dashurit tonë Muhamedit a.s. dhe dy shokëve të tij të ngushtë Ebu Bekrit dhe Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Me të vërtetë ishin çaste emocionuese të përziera mes mallit dhe besimit, i cili rritet dhe shkon shumë lart, kur je në të tilla kushte dhe rrethana.
Në fund pak pikëllim, i cili vjen nga ndarja. Kur vijnë momentet e ndarjes ato janë vërtet të trishtueshme dhe mendja menjëherë të shkon tek ajo, se valle a do ta kem përsëri mundësinë për ta vizituar edhe një herë këtë xhami, apo mos kjo është hera e fundit. Kur mendon, se mund të vish përsëri ndarja të bëhet më e lehtë, dhe për këtë e kemi lutur Zotin Tonë, dhe herë pas here të na e mundësojë këtë gjë.
Më në fund si në ëndërr jemi përsëri në avion, por kësaj here në kthim në ndjekje të Perëndimit. Dielli ikte dhe ne i shkonim pas dhe dita bëhej më e gjatë. Dukej sikur ai nuk donte të perëndonte dhe ky në një farë mënyre i ngjan udhëtimit në kohë, por që nuk kursen nga orët tona biologjike të jetës sonë. Nëse ky nuk është një udhëtim real në kohë mund të them, se në një farë mënyre është për ata që Allahu ua ka pranuar Umren, sepse në umra të fshihen gjynahet qysh nga umra e kaluar. Kjo është njësoj sikur të kthehesh prapa në kohë dhe të ndreqesh e të fshish të gjitha gabimet që ke bërë. Kjo është ajo që ndodh me pendimin dhe me punët e mira që kryhen në një adhurim të tillë siç është Umra. Allahu në Kuranin Famëlartë thotë: “Është e vërtetë se punët e mira i fshijnë të këqijat”. Por oferta vazhdon edhe pas kthimit:
“Kush e fal namazin e sabahut me xhemat dhe ulet pas namazit për të bërë dhikrin deri në lindje të diellit e pastal fal dy rekate, ai shpërblehet si të kish bërë Haxhin dhe Umren”.
“Umra nga umra është fshirje për mëkatet që bëhen ndërmjet tyre, ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër për të vetëm se xheneti.”
Falënderimi i takon Zotit të botëve.