بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: Kam dëgjuar se ëndrrat që shikohen gjatë gjumit të ditës nuk komentohen, nuk kanë kuptim dhe nuk janë të vërteta por vetëm ëndrrat gjatë natës kanë kuptim dhe komentohen, sa e vërtetë është kjo?
Përgjigje: Nuk ka asnjë argument që bën dallimin mes ëndrrave të natës nga ëndrrat e ditës. Përkundrazi ka argumente që flasin se edhe ëndrrat që shihen gjatë ditës janë të vërteta. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:
“Nga shenjat dhe argumentet e Tij janë gjumi juaj natën dhe ditën dhe kërkesa e juaj nga dhuntitë e Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë.” Surja er-Rum 23
Ndërsa në një hadith profetik tregohet qartë se Profeti (alejhissalatu uesselam) ka fjetur ditën ku dhe ka parë ëndërr, pastaj ka treguar cfarë ka parë dhe se cfarë do ndodhte në të ardhmen mbi atë që kish parë, ku mes të tjerash përmendi një grup të muslimanëve që do merrnin pjesë në një ekspeditë ushtarake në det. (Buhariu nr 7002 & Muslimi nr 1912)
Ndërkohë Buhariu gjithashtu përcjell në Sahihun e tij thënien e Muhamed ibn Sirinit, njërit prej tabiinëve të shquar por dhe të njohur gjerësisht në historinë islame për interpretimet e ëndrrave i cili thotë: “Ëndrra e ditës është sikur ëndrra e natës.” (Sahih el-Buhari Kapitulli nr 91, Tema nr 12: Ëndrrat e ditës)
Imam Begaviu përcjell thënien e disa dijetarëve të interpretimit të ëndrrave të cilët mendojnë se ëndrra e natës është më e fortë se ëndrra e ditës, ndërsa për kohën e natës, ëndrrat më të vërteta janë në kohën e syfyrit (para agimit). El-Begavi në Sherh es-Sunneh 12/210.
Për sa i përket ëndrrave para agimit, përcillet në një hadith ku thuhet: “Ëndrrat më të drejta janë ëndrrat në kohën e syfyrit (para agimit).” Transmetuan Ahmedi nr 11240, Tirmidhiu nr 2274 dhe të tjerë me zinxhir transmetuesish të dobët. Pra hadithi nuk është i saktë për tu argumentuar me të për këto cështje dhe për rrjedhojë mendime të tilla nuk mbështeten në argumente të shëndosha. Sidoqoftë, edhe në rastin kur hadithi do të ishte i saktë, ai tregon kohën kur ëndrra është më parësore dhe më e fortë dhe nuk përjashton pranueshmërinë dhe saktësinë e ëndrrave gjatë ditës. Andaj në përfundim themi se hadithi profetik i mësipërm te Buhariu dhe Muslimi ku tregohet se ëndrra është e pranueshme dhe e saktë gjatë ditës dhe thënia e njërit prej tabiinëve të shquar, Muhamed ibn Sirinit se ëndrra e ditës është sikur ëndrra e natës, janë të mjaftueshme për të kuptuar se ëndrrat gjatë ditës nuk kanë dallim nga ëndrrat e natës, por në të dyja rastet janë të pranueshme dhe të vërteta.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH