Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin mbi vulën e
profetëve, Muhamedin (alejhissalatu uesselam).
Pyetje:
Zakonisht e fal namazin me pantallona të shkurtra dhe gjatë tehijatit më zbulohet gjuri dhe ndonjëherë edhe një pjesë e kofshës.
A është i saktë namazi im?
Përgjigje
Namazi është shtylla e dytë e fesë, ndaj edhe Allahu ka kërkuar një sërë kushtesh pa të cilat namazi është i pavlefshëm. Një prej këtyre kushteve është edhe mbulimi i pjesës së turpshme (auretit). Kjo pjesë për meshkujt është nga kërthiza deri tek gjunjtë sipas mendimit të shumicës së dijetarëve dhe imamëve të njohur. I derguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) ka thënë : “… Pjesa e turpshme është nga poshtë kërthizës deri te gjunjtë.” Hadithin e transmeton imamAhmedi, Ebu Daudi dhe Bejhekiu. Ka edhe dijetarë të tjerë të cilët e konsiderojnë këtë hadith të dobët dhe për rrjedhojë mendojnë se pjesa e kofshës nuk është auret por është prej etikës që të mbulohet gjithsesi.
Sa i përket gjunjëve ato nuk përfshihen në pjesën e turpshme, ndërsa kofsha, përderisa tek shumica e dijetarëve konsiderohet pjesë e turpshme, duhet të jetë detyrimisht e mbuluar gjatë namazit.
Profeti (alejhissalatu uesselam) i thotë një shoku të tij: “Mbuloje kofshën se është pjesë e turpshme” Transmetoi Tirmmidhiu.
Ndërsa për sa i përket zbulimit të kofshës, apo auretit gjatë namazit, nëse zbulimi ka qenë i pakët, nuk ka kaluar shumë dhe e ke mbuluar shpejt me rrobe, atëhere namazi është i saktë. Nëse ky zbulim është i shpeshtë dhe e ekspozon shumë kofshën , atëherë namazi është i pavlefshëm sipas mendimit të shumicës së dijetarëve dhe shkollave juridike islame të njohura, përvec medh’hebit Maliki, i cili nuk e konsideron mbulimin e kofshës një kusht për vlefshmërinë e namazit, por vetëm detyrim (uaxhib).
Besimtari duhet që të përgatitet në formën më të bukur kur fal namaz, sepse në suren El-A’rafe( ajeti 31) Allahu i Lartësuart hotë: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni”.
Allahu e di më së miri.