Pyetje: Si falet namazi në aeroplan?
Përgjigje: Nëse koha e namazit hyn dhe aeroplani është ende në fluturim, dhe ekziston frika se koha e namazit mund të dalë para uljes së tij, si p.sh. namazi i sabahut, ose namazet që nuk mund të bashkohen me të tjerat si ikindia me akshamin, atëherë nuk lejohet të vonohet namazi derisa të dalë koha e tij. Në këtë rast, namazi duhet të falet në avion para se të dalë koha e tij, sipas mundësisë. Nëse mundeni, faleni në këmbë, me ruku dhe sexhde, në çdo vend të mundshëm në avion. Nëse nuk mundeni ta falni në këmbë, dhe kjo paraqet vështirësi, atëherë faluni ulur, duke bërë me shenjë për rukunë dhe sexhden. Sexhdja në këtë rast duhet të jetë më e ulët se rukuja.
Dhe kjo në përputhje me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Prandaj, frikësojuni Allahut sa të keni mundësi.” (et-Tegabun: 16) Gjithashtu, është transmetuar nga Profeti r se ka thënë: “Falu në këmbë, nëse nuk mundesh, atëherë ulur, e nëse nuk mundesh, atëherë i shtrirë në anë.” (Buhariu nr. 1117, Nesai nr.1660)
Sa i përket drejtimit nga Kibla, në namazin farz, duhet të drejtoheni nga Kibla gjatë gjithë namazit, sipas mundësisë. Nëse aeroplani shmanget nga drejtimi i Kiblës gjatë namazit, ju duhet të ktheheni drejt Kiblës. Nëse nuk arrini ta mbani drejtimin nga Kibla gjatë gjithë kohës, atëherë nuk ka problem dhe namazi juaj është i saktë, me lejen e Zotit, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, dhe kudo që të ktheheni, aty është Fytyra (drejtimi) e Allahut.” (el-Bekare: 115)
Ju mund ta mësoni drejtimin e Kiblës nga kapiteni i aeroplanit dhe ndihmësit e tij, pasi ata kanë pajisje për këtë. Nëse nuk arrini ta mësoni drejtimin e Kiblës prej tyre, atëherë përpiquni me të gjitha mundësitë tuaja dhe faluni sipas përfundimit të përpjekjes suaj.
Po ashtu, nëse namazi mund të bashkohet me atë që vjen pas tij, dhe nuk keni mundësi ta falni pas zbritjes nga aeroplani brenda kohës së namazit të dytë, sepse udhëtimi vazhdon derisa të kalojë koha e namazit të dytë, atëherë ju duhet t’i falni të dy namazet me shkurtim në aeroplan, siç u përmend më herët. Ju lejohet t’i bashkoni në kohën e njërit prej tyre dhe nuk lejohet t’i vononi derisa të kalojë koha e namazit të dytë.
Ndërsa, nëse namazi mund të bashkohet me atë që vjen pas tij, si akshami me jacinë dhe dreka me ikindinë, dhe është e mundur t’i falni pas zbritjes nga aeroplani brenda kohës së namazit të dytë, atëherë më e mira është t’i vononi derisa t’i falni në tokë; sepse në këtë rast, koha e namazit të dytë konsiderohet edhe si kohë për namazin e parë. Dhe sepse në këtë mënyrë namazi kryhet në formën e tij të plotë.
Po ashtu, nëse udhëtimi është i shkurtër dhe nuk zgjat sa e gjithë koha e namazit, duke ju mundësuar ta falni atë në kohën e vet pas përfundimit të udhëtimit, atëherë më e mira është ta vononi atë deri afër fundit të kohës së tij, për ta falur në tokë. Por, nëse do ta falnit namazin që hyn koha e tij në aeroplan në fillim të kohës, sipas mundësisë, nuk ka asnjë problem me këtë, dhe veprimi juaj është i lejuar.
Allahu e di më së miri.
Burimi: Fetaua Lexhneh ed-Daime 6/459, nr. 21805. Meusuatu el-Mujesere fi Fikh el-Kadaja el-Muasire 1/150.