nga hoxha Dorian Balliu
“Largohuni nga ata që fenë e tyre e marrin si lojë dhe dëfrim e që janë mashtruar nga jeta e kësaj bote. Këshilloji ata me Kuranin, me qëllim që të mos i humbasin shpirtrat e tyre për shkak të veprave të veta. Përveç Allahut, ata nuk do të kenë as ndihmës, as ndërmjetës. Edhe sikur të ofrojnë çdo lloj shpagimi, nuk do t’u pranohet. Këta janë ata që do të lihen në humbje për shkak të veprave që kanë bërë. Ata do të pinë ujë të valuar dhe do të kenë dënim të dhembshëm për shkak të mosbesimit të tyre.”
Pra, o Muhammed, lëri ata njerëz të pakujdesshëm që fenë e tyre e konsiderojnë lojë dhe dëfrim, tallen dhe i përbuzin mësimet e saj, ata i mashtron kjo jetë, sepse mendojnë se do të jenë të sigurtë dhe të lumtur në të, u zhytën në kënaqësitë e saj sepse pretendojnë se nuk ka jetë tjetër pas saj.
Po të vëmë re Allahu thotë; ata e konsideruan fenë e tyre lojë dhe dëfrim por nuk thotë se lojën dhe dëfrimin e konsideruan fe, sepse jo gjiçka që është lojë dhe dëfrim ata e konsiderojnë fe, por ata vendosën të krijojnë fenë e tyre dhe përzgjodhën disa praktika të caktuara, lojra dhe dëfrime, dhe këtë e quajtën fe.
Imam Raziu thotë: Kuptimi i ajetit “larguho prej tyre”, do të thotë mos u shqetëso për mosbesimin dhe talljen e tyre dhe mos u jep atyre ndonjë rëndësi, por kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga këshilla dhe tërheqja e vëmendjes, sepse fill pas kësaj Allahu thotë: “Këshilloji ata me Kuranin”, pra, ajo çfarë ky ajet synon të na thotë është të mos përfshihesh në praktikat e tyre jo të mos i paralajmërosh dhe tërheqësh vëmendjen.
Cfarë domethënë se ata e morën fenë lojë dhe dëfrim, do të thotë se ata lojrat dhe dëfrimet që organizonin tek adhuronin idhujt e tyre i konsideruan fe.
Ibn Abasi thotë: “Zoti ka caktuar për çdo popull një festë të cilën ata e shenjtërojnë, falen dhe festojnë duke përmendur Zotin. Politeistët dhe ithtarët e librit festën e tyre e konceptuan si lojë dhe dëfrim, ndërsa muslimanët qëndruan besnik dhe zbatuan urdhërin e Zotit.
Muxhahid mendon se ky ajet në suren El-Enam është i ngjashëm me ajetet në suren Mudethir. “Më ler Vetëm (të merrem) me atë që e krijova, dhe i dhashë pasuri të pamatë, e djem pranë vetes! Unë ia bëra kamjen të lehtë e të shtruar, e, megjithatë, ai lakmon që t’i jap më tepër. Jo, kurrsesi! Vërtet, ai i mohoi me kryeneçësi shpalljet Tona, prandaj Unë do ta ngarkoj atë me dënime të rënda.”
Nuk ka popull në botë që mos të jetë i lidhur me një fe që në një mënyrë a një tjetër t’i falet të madhit Zot. Vetëm një klasë e njerëzisë, me gjithë se në ndërgjegjen e tyre e ndjejnë këtë lidhje shpirtrore që kanë me Krijuesin e Madhnueshëm, i bëjnë bisht me përdhunë kësaj ndjenje dhe kërkojnë të mbysin zërin e ndërgjegjes së tyre. Kjo klasë njerëzish gjendet në çdo popull me forma e maska të ndryshme. Kurani i Madhnueshëm në ajetin e mësipërm na dëften shenjat karakteristike të njerëzve që bëjnë pjesë në këtë klasë.
a. Fenë e konsiderojnë lodër.
b. Tallen me të.
c. I harlis dhe dëfren jeta e kësaj bote.
Të këtillë njerëz ka edhe mes nesh, dhe është shumë e lehtë t’i dallosh nga shenjat karakteristike që përmendëm. Të gjithëve na ka rënë rasti të shohim njerëz që s’kanë asnjë respekt për Zotin e për parimet e nalta dhe të Shenjta të Fesë. Kjo dorë njerëzish ndjenjën që ushqejnë kundër Fesë e shprehin me frazën “përralla që ju ka kaluar koha!”
Një pjesë tjetër shprehet se bota është zgjuar dhe nuk duron më këthetrat e fesë; njerëzia sot kërkon të jetojë e lirë dhe jo skllave e fesë. Feja i përket të shkuarës, shkenca dhe teknologjia të ardhmes. Këta janë antifetarët që luftojnë me fenë pa e kuptuar ose pa dashur ta kuptojnë se i bëjnë dëm shoqërisë. Sepse një shoqëri nuk mund të zhvillojë një jetë të ndershme, me parime dhe qëndrime të larta morale dhe edhe e lumtur pa Zotin.
Një tjetër kategori njerëzish që mundohen të mbysin me përdhunë zërin e ndërgjegjes, janë ata që i ka harlisur dhe dëfryer jeta e kësaj bote.Sjelljet tona janë shenja të këqija që po na paralajmërojnë rrezikun e madh. Morali i shoqërisë ka shkuar në pikë të fundit! Askush s’është i kënaqur me fatin e vet.
Tregëtarët e hidrokarbureve i kanë ngritur çmimet ku nuk mban më, me gjithë këtë nuk janë të kënaqur, nga ana tjetër shoqëria duket e kënaqur me qenë se nuk ka asnjë reagim nga ana e saj. Profesorët, mjekët, infermierët, gjykatësit, prokurorët, drejtorët nuk janë të kënaqur me punën e tyre sepse nuk fitojnë aq sa duan. Korrupsioni, padrejtësia, krimi, droga janë sheshit, por shoqëria jonë nuk bën zë, ajo është e dhënë pas dëfrimeve. Spektaklet që ofrojnë televizionet e shumta përdoren nga pushteti si ampula qetësuese. Këto spektakle i kanë bërë njerëzit agresivë dhe po shthurin shoqërinë.
Prindërit nuk janë më të kënaqur me jetën prindërore, dhe as fëmijët me prindërimin e tyre, madje ata nuk janë të kënaqur me statusin e të qenurit fëmijët e dikujt, sepse kjo i ngarkon me përgjegjësi dhe detyrime. Bashkëshortët nuk janë më të kënaqur me jetën bashkëshortore, profesionistët me profesionin e tyre, studentët me shkollimin, sepse spektaklet televizive si BigBrother VIP, Përputhen etj ofrojnë një model ndryshe suksesi, i cili nuk kalon nga djersa, përpjekja, ndershmëria, por është shumë i thjeshtë dhe lehtë.
Dhe edhe fetarët nuk janë më të kënaqur dhe të lumtur si më parë me fenë e tyre, sepse ajo i pengon të jenë kaq lehtësisht të suksesshëm, të famshëm, të pasur dhe kaq shumë të lumtur, si Donaldi, Iliri, Arbana, Arjola, Fifi dhe Sabiani.
Prandaj në spektaklin e fundit garuan edhe disa besimtarë, sepse ata nuk mund të rrinin duarkryq teksa gara bëhej e ethshme, edhe ata do të garonin duke lënë mënjanë parimet e fesë, sepse feja ju kufizon mundësitë për sukses, famë dhe pasuri. Pra feja e re që i ofrohet shoqërisë është feja e spektaklit.
Njeriu nuk mund të mbajë të fshehur çfarë është intime për të sepse kjo sjellje nuk të bën të famshëm, as të suksesshëm aq më pak të pasur. Njerëzit duhet të dinë çfarë ha dhe si ha, si lahesh, si fle, si dashuron, sa dashuron dhe më i suksesshmi dhe famshmi është ai që s’ka asnjë sekret mes tij dhe shoqërisë, sepse ai është i tyre dhe ata janë të tijët, prandaj mbërthehen pas televizionit me orë të tëra.
Atyre që dëfrehen dhe harlisen me siguri s’ju bi ndërmend të mendojnë një herë për gjygjin e amshueshëm me ç’sy e faqe do të dalin para Zotit të Madhënueshëm. Thua këta njerëz nuk mendojnë të rregullojnë llogaritë e tyre me Zotin përpara se të jetë shumë vonë? Thua këta njerëz nuk mendojnë se do të vdesin një ditë, dhe çdo të ndodhë me ta në atë varr?
Ajeti na fjalë e shpjegon hallin e njerëzve në fjalë: Allahu i Madhnueshëm i jep urdhën Peigamberit dhe i thotë: Ata njerëz që i ka harlisur e dëfryer jeta e kësaj bote, ata që tallen me fenë dhe s’duan t’ia dinë për parimet e saj, s’çajnë kokë për urdhëresat e Zotit; ti vetëm këshilloji dhe kujtoji me Kuran; dhe, nëse nuk binden, lëri në punë të vet, sepse ata rrezikun katastrofal të tyre e kanë pregatitur me dorën e vet.
Ata as në këtë jetë nuk kanë qetësi, sepse janë në kujdes të pasurisë dhe famës, dhe nuk i zë gjumi tërë natën nga frika se mos iu del duarve. Pra ata nuk janë zot të pasurisë së tyre sepse vetë pasuria dhe fama është shndërruar në zot për ta.
Në suren Xhathije 23 Allahu thotë: “Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?”
Ndërsa në suren Furkan 43 Allahu thotë: “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?”